Mësoni më shumë rreth Misionit diplomatik të paqes dhe prosporitetit!

Diplomatic Mission Peace and Prosperity, shkurt DMPP, është organizatë ndërkombëtare lobimi e akredituar në OKB, BE, USA, etj.,

që ka rreth vetes shumë politikanë e diplomatë të huaj, gazetarë, shkrimtarë, artistë dhe intelektualë të shquar shqiptarë e të huaj me synimin e krijimit në vendet perëndimore të lobeve të fuqishme në mbështeje të demokratizimit, paqes dhe përparimit të vendeve në zhvillim. Lobim, Lobim dhe vetëm Lobim për Paqen! – ky është misioni kryesor i kësaj organizate.

Diplomatic Mission Peace and Prosperity është ideuar nga i ndjeri Ambasadori Richard Holbrooke, ish-diplomat i shquar amerikan, performues i Ballkanit të sotëm për të ndihmuar veçanërisht vendet problematike të gadishullit ballkanik.

Qendrën ky mision e ka në Tiranë dhe vepron në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoni, në Mal të Zi dhe në shumë shtete të mëdhenj të mbarë botës si në SHBA, Kanada, Australi, Angli, Indi, etj.

Ky mision vepron gjithashtu dhe në ato shtete ku janë përqëndruar komunitetet shqiptare me synimin për të mbështetur çështjet e kombit shqiptar, si një nga kombet më të vjetër e paqedashës në botë. Në SHBA ky mision ka zanafillën, si vendi mik më i fuqishëm i shqiptarëve që ka më shumë se një shekull që me politikat dhe diplomacinë e vet e ka marrë në mbrojtje Shqipërinë e vogël.

Peace and Prosperity (Paqe dhe Përparim) ishte slogani i fushatës elektorale presidenciale të vitit 1956 i përdorur me shumë sukses për herë të parë nga Presidenti Amerikan Dwight Eisenhower. Me këtë leitmotiv paqësor Presidenti Eisenhover fitoi fushatën elektorale dhe e përdori si lëvizje gjatë presidencës së vet në ndihmë të vendeve të botës së tretë që kishin dalë edhe më të varfra nga Lufta e Dytë Botërore dhe aspironin për demokraci. Ky slogan u përqafua më vonë edhe nga shumë presidentë e senatorë amerikanë që ideuan shumë misione paqeje në ndihmë të vendeve të përfshira nga krizat politike e ekonomike. Këtë motiv e përdori dhe vazhdon ta përdorë edhe OKB në misionet e saj për mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe të paqes në botë. Presidenti Xhon F. Kenedi, në vitin 1961, me këtë moto nxiti krijimin e Korpusit të Paqes të SHBA, vullnetarët e të cilit veprojnë edhe sot në më shumë se 69 vende në të gjithë botën. Veprojnë edhe në Shqipëri. Pra, nisur nga përvojat e politikanëve e diplomatëve më të shquar amerikanë që kanë punuar pa u kursyer për paqe e prosperitet, edhe Ambasadori Richard Holbrooke bashkë me një grup diplomatësh të tjerë punoi për paqe në Ballkan.

“Idetë mbeten ide, mbeten ëndrra e nostalgji idilike, po nuk u përqafuan nga njerëz energjikë, me shpirt aksioni”, – përsëriste shpesh Ambasadori Richard Holbrooke, ky diplomat i shkëlqyer, që punonte me dëshirën e madhe që ta shihte të realizuar edhe në Kosovë, Shqipëri e në tërë Ballkanin projektin e tij për paqe e përparim. Ai ndiqte dhe përpiqej të realizonte në jetë një nga ëndrrat më të mëdha të njerëzimit për paqe botërore, si i ndrituri Presidenti Amerikan Abraham Linkoln, Lideri Indian Mahatma Gandhi, Afrikani Mandela, etj.

Paqe dhe Përparim! – kjo është motoja e DMPP kudo në botë, po ashtu edhe në Shqipëri. Anëtarët e këtij misioni punojnë e sakrifikojnë me qëllim që ta paraqesin Shqipërinë Demokratike para opinionit ndërkombëtar si një vend me zhvillim të qendrueshëm, që e ka paqen në gjenet e shtetasve të vet. Misionarët e DMPP u tregojnë botës se populli shqiptar është një popull sa i lashtë dhe i qytetëruar që punon e përpiqet për një Ballkan, një Europë e një Botë më të mirë ku të zotërojë Parajsa e Zotit. Populli Shqiptar nëpër shekuj ka dëshmuar se është një popull që në gjenet e veta ka paqen. Pra, është popull misionar paqeje. Dhe këtë e përforcon më së miri edhe puna e misionarëve të DMPP në bashkëpunim me misionarët shqiptarë.

Anëtarët e DMPP janë liderë të shquar nga shumë vende të ndryshme, nga të gjitha fushat e jetës dhe nga të gjithë besimet, të cilët ia kanë dedikuar veten çështjes së Paqes Botërore.

Dy janë objektivat kryesorë të këtij misioni:

Së pari, zgjerimi i rrethit të diplomatëve dhe politikanëve të huaj që do të lobojnë për përmirësimin e imazhit të shteteve që aspirojnë për  demokraci, si Shqipëria, model i Paqes dhe Prosperitetit për Ballkanin e trazuar. Shqipëria, pavarësisht tranzicionit të gjatë ekonomik, si pasojë e politikave të gabuara të politikanëve klanorë, mund të merret si shembull për gjithë vendet që aspirojnë për Paqe e Qytetërim. Dhe këtë po e realizon DMPP dhe misionarët e saj.

Së dyti, misionarët e DMPP janë në rolin e koordinatorit për të siguruar financime për projektet e ndryshme në fushën e kulturës, shëndetësisë, energjitikës, donacioneve publike etj., për fuqizimin ekonomik të vendeve në zhvillim. Stafi diplomatik lobon pranë liderve më të fuqishëm botërorë, që të sigurojë mbështetjen e shteteve perëndimore, të kapitaleve më të mëdha dhe të donatorëve të huaj për vendet në zhvillim. Pra, DMPP punon e lobon duke kontribuar kështu për zhvillimin ekonomik e demokratik të qendrueshëm të vendeve si Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe vendet tjera ne zhvillim.

Diplomatic Mission Peace and Prosperity synon që të atashojë në radhët e veta personalitete të shquara botërore të Politikës, të Kulturës, Artit, Letërsisë etj., veçanërisht personalitete të Diplomacisë, me objektivin që të krijojë lobe të fuqishme në mbështetje të vendeve të vogla si Shqipëria Maqedonia, Kosova… DMPP synon të krijojë mbështetje të vazhdueshme të çështjeve kombëtare të vendeve të sapo dala nga diktaturat, nga krizat politike, ekonomike dhe fatkeqësitë natyrore.

Administrim vlerash humane, koordinim, këshillim, negocim, ndërmjetësim dhe lobim për Paqe e Përparim, ky është qëllimi dhe thelbi i veprimtarisë së këtij misioni. Diplomatic Mission Peace and Prosperity nëpërmjet veprimtarisë së vet ka edhe shumë pikësynime të tjera si:

Ridimensionimi i imazhit të vendeve si Shqipëria, vend i nëpërkëmbur gjatë prej ish-diktaturës komuniste shqiptare si dhe imazhi të shteteve tjera ballkanike. Çdo misionar i DMPP ka si detyrë të luajë rolin e një Ambasadori model në sytë e opinionit ndërkombëtar dhe diplomacive të huaja për lartësimin e vlerave të kulturës dhe të çështjes kombëtare të çdo populli që frymëzohet në përparimin e vet nga modeli i diplomacisë amerikane.

Një nga detyrat e misionarëve është përkushtimi i denjë ndaj fushës ku ata veprojnë. Realizimi i dokumentarëve televizivë për jetën dhe veprën e personaliteteve që kanë kontribuar për paqen në botë, për personalitetet botërore që ndihmojnë Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën dhe vende të tjera në zhvillim, ky është një objektiv tjetër për të cilin punojnë misionarët e DMPP.

Nxitja e të rinjve të talentuar për të ndjekur universitetet më të mira të botës si dhe specializimi i talenteve dhe intelektualëve të rinj në fushën e diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare për krijimin e gjeneratave të reja që do të lobojnë për përmirësimin e vazhdueshëm të imazhit të vendeve që e duan paqen, ky është një synim i vazhdueshëm i misionarëve të DMPP. Ata punojnë me përkushtim për sigurimin e asistencës teknike për talentet dhe intelektualët e rinj me qëllim që të krijohet një brez i ardhshëm misionarësh të aftësuar si diplomatë e si pjesëtarë të lobeve të së ardhmes për paqe, për të përvetësuar mjeshtërisht talentin e lobuesit nëpërmjet bashkëpunimit me profesionistë të botës perëndimore e veçanërisht me specialistët më të mirë të SHBA-ve.

DMPP synon punësimin e sa më shumë djemve dhe vajzave të talentuara të popujve paqedashës, si shqiptarët, në administratën shtetërore të çdo vendi demokratik, në administratat e vendeve perëndimore dhe të shoqërive shumëkombëshe, të cilat përcaktojnë fatet e politikës dhe ekonomisë botërore, veçanërisht në përfaqësitë e huaja diplomatike perëndimore. Misionarët e DMPP punojnë që misionarët e rinj të paqes nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Ballkani të jenë diplomatët e ardhshëm të përfaqësivë diplomatike në vendet kryesore të botës. Pra, misionarët paqedashës e jo zyrtarët burokratë të jenë diplomatë e ambasadorë të popujve e kulturave që udhëhiqen nga dashuria për paqen.

Si përfundim, Diplomatic Mission Peace and Prosperity dhe misionarët e saj, kudo në botë, i janë përkushtuar krijimit të lobeve sa më të fuqishme me personalitete botërore në mbështetje të zhvillimeve demokratike të vendeve si Shqipëria, si ato të Ballkanit, si të gjitha vendet ku punohet për paqe, sipas modelit të demokracisë amerikane që frymëzon integritet, dinjitet, përparim e qytetërim si vetë Amerika, si Evropa apo si shtete të tjera të përparuara.

Go to top