Kushtet e diktaturës

Shkruan: Abdylmenaf Bexheti, Tetovë

Fillimisht një shpjegim terminologjik. Me termin “regjim” në këtë tekst nënkuptoj strukturat qeverisëse në Maqedoni, posaçërisht 5-6 vitet e fundit. Këtu nuk është vetëm VMRO-ja, por edhe BDI-ja dhe gjithë satelitët e tjerë në orbitën e regjimit të Gruevski&com. Në fakt, qeverisja diktatoriale në Maqedoni nënkupton kapjen e shtetit prej një grupi të ngushtë njerëzish në të dyja strukturat politike përballë numrit të konsiderueshëm të njerëzve të ndershëm në po ato struktura.

Regjimet diktatoriale gjithandej përfundojnë në izolime regjionale dhe ndërkombëtare. Izolimet zakonisht nisin për arsye politike, por më shpesh realizohen me instrumente ekonomike. Problemi qëndron te adresa e faturës për këto veprime. Faturën e paguajnë qytetarët. Kostoja direkte bie mbi ata, ndërkohë që pritet transmisioni i efektit të bartet te politikanët përgjatë procesit të ardhshëm elektoral. Një shembull më i afërt në historinë e regjionit ishte regjimi i Millosheviqit. Nuk duhet elaboruar më detajisht si filloi dhe aq më pak si mbaroi, por kostot edhe pas 15 viteve i përjeton popullata!

Maqedonia, në kontekstin gjeopolitik, dhe sjellja e regjimit do jetë një “rast i mirë studimor” për studentët e shkencave politike, por jo ato të  “prof. Horhes” në UKIM të Shkupit, si dhe shumë të tjerëve që deklarohen si të pavarur, ndërkohë që politika i “tërheqë për hunde” si do dhe ku do! Prej “intelektualëve dhe profesorëve të pavarur” ka edhe të atillë që ministrat (dhe zëvendësit, bile edhe këto aktualë) ua kanë mbajtur çantat nëpër kampuse derisa i kanë “magjistruar dhe doktoruar” ata. Personalisht ata do të vetidentifikohen edhe në këtë rast.

Sado që negativisht ndikoi, akti i abolimit në Maqedoni edhe si mega-skandal i të a.q. kryetar i Maqedonisë e ka edhe efektin e vet “pozitiv” – si katalizator dhe betonues i krizës politike të një subjekti të vetëm. Mbase kjo u bë shkak edhe i “thyerjes së besës” dhënë Gruevskit për zgjedhjet e 5 qershorit. Për herë të parë, pas shumë vitesh, BDI-ja e bëri një veprim të mirë!

Aspektin gjeopolitik të Maqedonisë e kemi trajtuar disa herë, gjithnjë duke paralajmëruar rrezikun që kjo qeverisje këtu do ta sjellë vendin, andaj kësaj radhe do ta shqyrtojmë edhe nga një aspekt – keqqeverisja e brendshme, që e përcaktoi intensitetin e ndikimit të jashtëm. Kjo marrëdhënie njihet edhe në kuptimin teorik (Richard Haass, 2013), sipas të cilit “politika e jashtme e çdo vendi fillon nga politika e brendshme e tij” (Foreign Policy begins at Home).

Izolimi ekonomik ka filluar nga reduktimi dhe bllokimi i fondeve e granteve ndërkombëtare. Një gjë të tillë ia “kam sugjeruar” komisarit Han një natë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Përzhinos në darkën e punës që na e shtroi një rrethi shumë të ngushtë në rezidencën e BE-së në Përzhino. Ah sikur ta zbatonin pa humbur kohë në sistemin e “shkopit dhe karotës”! Zaten, këtu dështoi bashkësia ndërkombëtare – nuk i kishin “mësuar leksionet” nga marrëveshjet e kaluara në formatin e “letrave të tualetit”. Asnjë normë nuk vlen në Ballkan po qe se nuk keni mekanizëm të fuqishëm kushtëzimi ose sanksionimi. A nuk e mësuam këtë edhe nga MO-ja?

Vetizolimi i Maqedonisë shkaktohet nga regjimi diktatorial, i cili midis demokratizimit dhe izolimit, gjithnjë me shpresë të mbijetesës politike, përzgjedhë të dytën. Duke u izoluar “brenda llojit vet”, regjimi mendon se do t’i shpëtojë presionit ndërkombëtar, por edhe regjional, pavarësisht nga kostot që do të paguajnë tjerët. Bota idilike e diktatorëve është ajo në të cilën sundojnë pa “ndërhyrje” nga oponentët. Nëse “kjo botë” u lejohet të zgjatë pak më gjatë, ata fillojnë t’i besojnë tendencës se mund t’ia dalin! Zaten këtu qëndron kurthi i “botës së tyre”.

Në këtë proces diktatorët e Maqedonisë i gabuan llogaritjet! Fillimisht llogaritën në preferencën e mbështetjes ruse, gjithnjë duke menduar dhe kapitalizuar preferencën e tyre në sferën e ndikimit gjeopolitik. Ndoshta “blenë” disa muaj duke gënjyer veten me relevancën e tyre në këtë ekuacion gjeopolitik. As Serbia nuk mbijetoi në këto përllogaritje, e lëre më Maqedonia. Kur të mëdhenjtë bëjnë pazare, të vegjlit bëhen pa(k) pare ose, thjesht, bëhen kolaterale! Shembulli më i mirë për këtë ishte rasti i flamurit dhe himnit të Kosovës për medaljen e artë të Majlinda Kelmendit në Kampionatin Europian të mundjes në Kazan të Rusisë!

Gjithashtu diktatorët lokalë të Maqedonisë llogaritën edhe në krizën e refugjatëve dhe faktorizimin e tyre. Menduan se Berlini zyrtar do t’i lusë për korridor transiti. Në vend që a kapitalizojë “shansin” me projekte për pranim, sistemim dhe transitim të tyre, duke krijuar efekte të shumëfishta, si ekonomike, sociale dhe politike, ata treguan “dhëmbët” të frustruar për “kërcënimin” e sovranitetit tyre. Trishtuese ishte fotoja e “Horhes” në ballinat e Bild-it gjerman!

Konteksti regjional i Maqedonisë mbetet sfidues për regjimin vendor. Qëndrimi i Athinës zyrtare bëhet edhe më rigoroz, posaçërisht pas armiqësimit të regjimit me ndërkombëtarët. Kryeministri bullgar publikisht e qortoi sjelljen dhe veprimet e ish homologut të tij, diktatorit Gruevski. Duke llogaritur në Tiranën indiferente si deri më tani, ai rrezikon të irritojë në këtë proces edhe më shumë! Bllokimi i trangujve “shqiptarë” në kufi nuk zgjati më shumë se dy ditë dhe ishte një matje pulsi ndaj Tiranës zyrtare. Në anën tjetër, Prishtina zyrtare që para dy vitesh ia ka treguar dhëmbët me masat e reciprocitetit në mbyllje të kufirit. Beogradi, i “evropizuar” në agjendë, posaçërisht pas fitores më bindëse të agjendës proevropiane të Vuçiqit, e lë gjithnjë më të vetmuar regjimin e Shkupit. Në këto rrethana regjimi i Shkupit ose do të vetëdijësohet për t’u pajtuar me realitetin e krijuar, që është shumë pak për t’u besuar, ose do vetëpërmbyset i ngulfatur në izolim pa kthim.

Gjeopolitika regjionale bëhet gjithnjë e më konfuze me ndërhyrjet e Turqisë në agjendat e regjionit. Pas paternalizmit turk ndaj Ballkanit Perendimor (Sarajevë, Tiranë, Prishtinë dhe Shkup) si duket Turqia i rrit apetitet edhe me Ballkanin Qendror, posaçërisht me Beogradin zyrtar. Në tre nga këto katër qendra (pa Shkupin zyrtar), Turqia dhe Erdogani morën simpatinë e establishmentit politik regjional pikërisht në çështjen e kundërvënies së interesave të Beogradit, ndërkohë që me këtë të fundit u tregua dyfytyrësia përgjatë vizitës së kryeministrit tij (z. Davutoglu) në fund të vitit 2015-të! Ai sikur deshi ta rimarrë simpatinë e Beogradit nga historia e hidhur me shqiptarët 80 vite më parë, që nga koha e Zogut dhe dyndjeve të mëdha të shqiptarëve në Turqi, duke i konvertuar në “turq elhamdulilah”! Po çka se ua mori një pjesë të kapitalit të majmë kosovarëve pothuaj falas, siç ishte me rastin e KEDS-it (rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike me vlerë mbi katër herë më të ulët se çmimi i po të njëjtit potencial-treg në Maqedoni). Normalisht, gjithnjë duke ua rrahur shpatullat me qefbërje “Hashim dhe Edvin kardashit”! Ndërkaq për simpatinë ndaj maqedonasve s’ka nevojë të elaborohet, sepse është e njohur botërisht tash e një çerekshekulli.

Konteksti evropian i gjeopolitikës së Maqedonisë është edhe më kompleks se kaq. Që nga Raporti e Pribe-së me të gjitha diagnostifikimet detale të sistemit të kalbur, iu futën Marrëveshjes së Përzhinos me përcaktim që përmes zhvatjes, obstruksioneve dhe neglizhencës krijojnë hapësirë për ta mbajtur në infuzion politik elektoratin e helmuar me gënjeshtra nga spin-i dhe PR-i i mediumeve të partizuara. E shpallen person non grata Van Hauten, duke e larguar nga Shkupi vetëm pse filloi t’i ballafaqojë me gënjeshtrat dhe shantazhet e tyre. Menduan se Perëndimi do ta tejkalojë lehtë rezistencën masovike qytetare. Ndoshta, po të ishte në pyetje vetëm opozita, Brukseli edhe do t’i shikonte “nëpër gishta” dështimet dhe gënjeshtrat e regjimit, por ama organizimi qytetar dhe rezistenca apartiake ka vlerat dhe dioptrinë tjetër nga Perëndimi. Në mossuksesin e Johanes-it austriak u përcaktua një Johanes tjetër, por kësaj radhe një gjerman! Këta dhe “lehtësues” tjerë në misione të këtilla, edhe pse nuk theksohen, nënkuptojnë atribute protektorati. Elementet e protektoratit vërehen te konvertimi i krizës politike edhe në krizë të sigurisë nën “patronazhin” e Komisares Federika Mogerini, karakteri i së cilës është diametralisht i kundërt me atë të Komisarit Han!

Krejt këto rrethana të kontekstit regjional dhe ndërkombëtar e bëjnë Maqedoninë të paqëndrueshme në përcaktimet deklarative për integrimet euro-atlantike. Para një dekade vendi ishte në krah me Kroacinë në këtë proces, ndërkohë që Serbia ishte një dekadë pas neve. Sot na ka tejkaluar Serbia e Mali i Zi dhe “Oaza e regjionit” të dikurshëm po shndërrohet në shkretëtirë të izoluar politikisht dhe ekonomikisht njëkohësisht. Banka Botërore i bllokoi gjitha financimet e projekteve të dedikuara për infrastrukturën e komunave, ndërkohë që IPA-fondet europiane gjithashtu pezullohen. Vetëm fondet nga buxheti i BE-së janë me peshë relevante financiare për vendin. Vetëm viti fiskal 2016-të i buxhetit të BE-së, parasheh 91,6 milionë dhe ai 2017-të edhe 94,9 mil. euro për Maqedoninë. Këto dhe masat e tjera të bashkësisë ndërkombëtare saknsionojnë qytetarët që ata ta ndjejnë në lëkurën e tyre dhe e gjithë kjo të reflektojë në zgjedhjet e ardhshme, kurdo qofshin ato. Fondet e tjera nga donatorë ndërkombëtarë (USAID, GIZ, grante holandeze, britanike, japoneze etj.) do të pezullohen dhe “sterilizohen” deri në ndërrim të regjimit. Kjo pa dyshim që do të ndodhë, por rikuperimi do të kërkojë kohe, resurse dhe alternativa.

Sivjet kur “festojmë” jubileun 20-vjeçar të marrëdhënieve me BE-në, që prej nënshkrimit të marrëveshjes së parë për bashkëpunim dhe gati një dekadë të statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, kemi arritur në atë shkallë që me shumë të drejt të kërcënohemi për tërheqjen e rekomandimit nga Komisioni i BE-së! Kjo është meritë e qeverisjes diktatoriale, përfshirë këtu edhe subjektin shqiptar, që në emër të vetin e mban atributin e “integrimeve”! Është mirë që “elitat qeverisëse” të mos pretendojnë të na (dez)integrojnë më tej, sepse mjaft “sukses” kanë arritur në këtë proces. Që të jetë ironia edhe më e madhe, më se një dekadë të këtij “suksesi” shqiptarët e kanë “qeverisur” Sekretariatin për Euro-integrime në qeverinë diktatoriale të Maqedonisë.

Koha e humbur e gjeneratave te reja nuk kthehet prapa dhe nuk kompensohet më. Aq më shumë nëse kjo humbje përkthehet në trendet emigruese të rinisë në kërkim të shpresave për jetë më të mirë. Ndoshta faktori ndërkombëtar ka kohë të mjaftueshme dhe “nuk i shpejtohet” në procesin e çlirimit nga regjimet diktatoriale, por qytetarëve kjo do u kushtojë  shumë. “Elitat” meritore për këtë proces nuk mundet dhe kurrë nuk do të amnistohen nga këto dështime.

Go to top