Një vajzë në Tiranë pret damarët nga dhuna, zbulohet arsyeja

Një 19-vjeçare, e cila dhunohej fizikisht prej disa vitesh në mënyrë sistematike nga babai i saj, tentoi të vetëvritet në maj të vitit 2015 në Tiranë.

 

Përveç dhunës me dru, grushte e shkelma, i ati e kishte ndaluar të dilte nga shtëpia. Në gjendje të rënduar mendore, ajo dëmtoi damarët e duarve me një mjet prerës. Falë dërgimit të shpejtë nga familjarët në spital, mundi t’i shpëtojë vdekjes. Historia nuk rrodhi në të njëjtën formë për babain dhunues, Zyhdi Q..

Ai përfundoi si i pandehur në Gjykatën e Tiranës për akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes”. Pak ditë më parë, gjyqtarja Migena Laska përfundoi gjykimin ndaj tij, duke e shpallur të fajshëm për këtë akuzë. Ai u dënua me 3 vjet heqje lirie.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi uljen e një të tretës. Sipas vendimit të gjykatës, rezultonte e provuar se veprimi i 19-vjeçares ishte ndikuar nga gjendja e rënduar mendore e shkaktuar nga dhuna e babait të saj. Dhuna e të atit është pohuar nga vetë e dëmtuara R.Q., por është konfirmuar edhe nga e ëma e saj, si dhe nga një prej dy motrave të mitura. Gjatë gjykimit, i pandehuri ka pranuar akuzën dhe ka shprehur pendesë të thellë.

NGJARJA

Referuar vendimit të gjykatës, në datën 16 maj 2015, Komisariati i Policisë Nr.5, Tiranë, ka marrë njoftim se në Spitalin Ushtarak kishte shkuar e dëmtuar dhe me plagë prerëse në të dy duart shtetasja R.Q., me banim në fshatin ZallHerr, të rrethit Tiranë. E pyetur si kallëzuese dhe më pas si deklaruese, ajo ka shpjeguar se babai i saj, i pandehuri Zyhdi Q., që prej rreth tre vjetësh ka ushtruar dhunë sistematike ndaj saj.

Për herë të fundit, ka shpjeguar e dëmtuara, ai ka përdorur dhunë ndaj saj në datën 15.05.2015, rreth orës 20:00, kur ajo ka qenë në shtëpi së bashku me nënën dhe dy motrat e saj të mitura. Sipas saj, i pandehuri e ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit me dru, grushte dhe shkelma. Për të ndërprerë dhunën kanë ndërhyrë nëna dhe motrat e saj. Pas përdorimit të dhunës fizike, babai i saj nuk e ka lejuar të dëmtuarën të dilte nga shtë- pia dhe në këto kushte, rreth orës 16:00, të datës 16.05.2015, nga mërzia dhe nga pamundësia për të dalë nga shtëpia, ajo ka dëmtuar damarët e dy duarve me një mjet prerës.

Për shkak të hemorragjisë, ajo ka rënë pa ndjenja, ku është gjetur nga një prej motrave, që ka dhënë alarmin për nënën e saj. Pasi është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, e dëmtuara R.Q. është futur në sallën e operacionit, ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për qepjen e plagëve.

DESHMIA E NENES

E pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, nëna e të vajzës, shtetasja L.Q., ka konfirmuar në thelb vërtetësinë e deklarimeve të të dëmtuarës. Ajo ka shpjeguar se bashkëshorti i saj ka përdorur disa herë dhunë fizike ndaj të bijës dhe se një ditë, para se ajo të tentonte vetëvrasjen, i pandehuri e kishte goditur me shuplakë.

DESHMIA E MOTRES

Në prani të një psikologeje ka dhënë shpjegime edhe një nga motrat e mitura të të dëmtuarës, 15-vjeçarja X.Q.. Ajo ka shpjeguar se në datën 16 maj 2015, pasdite, në momentin që ka shkuar brenda në dhomë, ka gjetur motrën duke dëmtuar dorën me një brisk. Porsa ka parë këtë veprim, ajo ka njoftuar babain e saj, i cili bashkë me nënën e kanë çuar motrën e saj në spital. E pyetur se cila është arsyeja që motra e saj kishte, minorenia është përgjigjur se ajo nuk është në gjendje të dijë arsyen. Më tej, ajo ka sqaruar se kishte disa kohë që motra e saj ishte mërzitur, pasi babai nuk e linte të dilte me shoqërinë./Panorama/

Go to top