Dëbohet kosovari pas 24 vjetësh qëndrimi në Zvicër

Gjyqtarët e bënë të qartë se kosovari me 24 dënimet penale dhe administrative e ka shkelur në mënyrë të ndjeshme dhe të shumëfishtë rendin dhe sigurinë.

Gjykata Federale e Zvicrës e ka vërtetuar me vendim përfundimtar vendimin që më parë e kishin marrë instanca të tjera që kosovari 42 vjeçar duhet të lëshojë Zvicrën. Zyra për Migracion e Kantonit të Schwyz-it ia ka hequr atij në tetor 2014 lejen e qëndrimit në Zvicër, shkruan Neue Luzerner Zeitung.

Por, ai ka bërë ankesë në shkallën më të lartë të gjyqësisë, në Gjykatën Federale, e cila e ka hedhur poshtë atë, duke e cilësuar si “të pabazë”, transmeton albinfo.ch.

Gjyqtarët e bënë të qartë se kosovari me 24 dënimet penale dhe administrative e ka shkelur në mënyrë të ndjeshme dhe të shumëfishtë rendin dhe sigurinë.

Ai kishte ardhur në Zvicër para 24 viteve në kuadër të bashkimit familjar. Në vitin 1994 është martuar me gruan me të cilën kanë bashkë tre fëmijë. Në periudhën 1994-2004 ndaj tij ishin ushtruar 14 dënime dhe fletarreste, shumica lidhur me delikte të komunikacionit.

Përkundër faktit se atij i ishte shqiptuar një vërejtje nga Zyra për Migracion, ai në vend se t`i ndërpriste ai filloi të bënte delikte më të rënda.

Pas kësaj i erdhi edhe një vërejtje e dytë ndërsa tri vite më vonë zyra në fjalë konstatoi se u teprua dhe ia tërhoqi atij lejen e qëndrimit në Zvicër.

Arsyeja për këtë ishte dënimi i tij për tri vepra penale të ndryshme, gjegjësisht përfshirja e kosovarit në delikte me drogë, ngacmime të rënda dhe pengim të punës së policëve.

Kësaj i shtohen edhe borxhet prej rreth 83.000 frangash që i ishin grumbulluar atij deri në korrik 2014. Më tutje, familja e tij ka jetuar pjesërisht nga ndihmat sociale.

Të gjitha këto kanë bërë që veprimi i Zyrës Kantonale për Migracion të miratohet edhe nga qeveria e kantonit, pastaj nga Gjykata Administrative dhe së fundi, edhe nga Gjykata Federale.

Në vendim më tutje thuhet se dëbimi është i adekuat dhe i arsyetueshëm, edhe përkundër faktit se familja e tij vazhdon të jetojë në Zvicër dhe ai vetë ka jetuar këtu për 24 vite.

Po ashtu, borxhet e tij të shumta dëshmojnë se integrimi i tij ekonomik në Zvicër ka qenë i pasuksesshëm dhe kërkimi i ndihmave sociale nga ana e tij do të mbetej edhe më tutje gjë e mundur.

Ndërsa ndarja nga gruaja dhe fëmijët, ndonëse goditje e rëndë në jetën familjare, është e drejtë pasi që ai vetë, me vetëdije e ka vënë në lojë jetën e tij familjare.

Fëmijët e tij janë në moshën kur mund të mbajnë kontakt me babanë e tyre edhe nga largësia. Ndërsa ai e njeh mirë Kosovën dhe atje ka dy motra, përfundon arsyetimi i vendimit për dëbim.

Go to top