Hojt Ji: Do ta ndihmojmë Maqedoninë

Zëvendës ndihmësi sekretari amerikan i shtetit, Hojt Brajan Ji, për Evropë dhe Euroazi, ka deklaruar se do të punojnë me kryeparlamentarin e ri në mbështetje të demokracisë dhe avancimit të Maqedonisë në rrugën e integrimeve euroatlantike.

Ji në Nënkomitetin e punëve të jashtme të Kongresit, tha se autoritetet e vendit duhet të hetojnë sulmet ndaj deputetëve dhe përgjegjësit për këtë sulm të sillen para drejtësisë.

“Tensionet etnike në Ballkan edhe njëherë janë në rritje. Dhuna e fundit në Maqedoni e përforcon seriozitetin e problemeve të tyre politike.  Në rajon nacionalizmi rritet, ndërsa retorika e politikanëve vendor dukshëm përçan”, ka thënë Hojt Brajan Ji, Zyrtar i DASh-it.

Ai ka shtuar se, me angazhim të përforcuar nga SHBA-ja, rajoni mund të ruaj rrugën euroatlantike.
“Maqedonia dëshiron të anëtarësohet në NATO, Maqedonia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimit Evropian. E njejta është me Shqipërinë, e cila dëshiron të anëtarësohet në BE.  Ne si partner u ndihmojmë që t’i arrijnë standardet e domosdoshme që të arrihet ky qëllim. Kur e mbrojmë sundimin e së drejtës, gjyqësorin e pavarur, të drejtat e njeriut ajo nuk është çdoherë e famshme për Qeverinë”, tha Hojt Brajan Ji, Zyrtar i DASh-it.

Ji ka theksuar se rajoni përballet me sfida të mëdha të cilat nëse nuk trajtohen në mënyrë adekuate paraqesin kërcënim për interes amerikane në Evropë. Ai gjithashtu ka deklaruar se  Moska po tenton që të pengojë lidhjen e Ballkanit me Perëndimin, duke përdorur mjete financiare dhe politike.

Go to top