Thaçi: Spanja nuk është Serbi, e as Katalonia Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehu besimin e tij se Spanja, “një shtet miqësor”, së shpejti do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Këtë deklaratë Thaçi e bëri gjatë një interviste për agjencinë spanjolle të lajmeve EFE, ku nuk ka dashur të tërheqë paralele mes shkëputjes së Kosovës nga Serbia dhe lëvizjeve separatiste në Spanjë. “Spanja nuk është Serbi, e as Katalonia Kosovë”, tha presidenti Thaçi, i cili do të marrë pjesë sot në inaugurimin e projektit të zgjerimit të Kanalit të Panamasë, së bashku me Mbretin e Spanjës, Juan Carlos I, dhe disa presidentë të tjerë.

Thaçi foli edhe për terrorizmin, duke theksuar se Kosova ka “zero tolerancë” ndaj “grupeve kriminale dhe terroristëve radikalë islamikë”, ndërsa shtoi se Kosova do të jetë “aktive në sistemin global anti-terrorizëm”. “Të gjithë e dinë se ne nuk kemi të bëjmë me aktivitete kriminale dhe terroriste. Në Kosovë ka zero tolerancë për këto aktivitete”, tha ai, bëri të ditur ATSH. “Kosova, sikurse vendet e tjera, nuk ka qenë imune për sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve të saj nëpër luftërat në Lindje të Mesme. Megjithatë, ne tashmë kemi ndërmarrë masat ligjore për të parandaluar radikalizmin”, theksoi presidenti Thaçi në këtë intervistë.

Duke folur për marrëdhëniet e Kosovës me Spanjën, si dhe me administratën e Katalonisë dhe Shtetit Bask, Thaçi tha se “Spanja është shtet mik i Kosovës”, duke sqaruar se “institucionet e Kosovës kanë marrëdhëniet të mira me institucionet e Spanjës në Madrid”. Në këtë pikë, Thaçi shfaqi besimin se “Spanja do të marrë vendimin për të njohur pavarësinë e Kosovës. Shpresoj që kjo të ndodhë shpejt.”E kam vizituar Madridin. Spanja ka njohur dokumentet me të cilat është shpallur pavarësia. Gjithashtu, edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata si UEFA e FIFA, është mirëpritur nga të gjithë. Spanja ka duartrokitur dhe përshëndetur paqen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel”, theksoi Thaçi. Ai lavdëroi edhe trupat spanjolle në kuadër të KFOR-it të cilët tha ai, kanë bërë një punë shumë të mirë.

Go to top