Shqipëria ka dështuar të mbrojë shqiptarët e trojeve

Nga Reldar DEDAJ



Tani, pas vrasjes barbare të katërvjeçarit Almir Aliu në Kumanovë ka ardhur koha që Shqipëria duhet të pranojë pafuqinë e saj, si dhe duhet të veprojë si pasojë e kësaj.

Dhe duhet të veprojë shpejt. Kushdo që pretendon se është i izoluar nga infektimi, rrezikon t’i përkeqësojë gjërat, për vete dhe për të tjerët. Dhe është në prag të një zgjimi të fortë. Nëse Maqedonia reagon vetëm për tre fshatra të Prespës me një grusht banorësh edhe kur u mungon energjia elektrike, çfarë reagimi duhet të presim nga Shqipëria në rastin e një vrasjeje si pasojë e urrejtjes etnike ndaj popullsisë shqiptare në maqedoni.

Por kombet me ndërgjegje nuk mbyten aksidentalisht, veçse atëherë kur i heqin shtyllen kurrizore, i lënë në errësirë, si një anije që është shmangur tashmë nga drejtimi, është pa kapiten, pa pikësynim, pa pamje të qartë, pa busull, në një det me dallgë, dhe ku pritet nga çasti në çast mbytja e saj.

Ne jetojmë në një kohë kur ëndrrën për të pasur një “çati mbi kokë”, nuk mund ta kenë të gjithë shqiptarët. Por lidhur me këtë, lind një pyetje e logjijkshme: A mund të quhet strehë mbi kokë një shtet që nuk denjon të reagojë për një komunitet që ka jashtë trojeve të saj dhe është mbi dyzet përqind e popullsisë së një shteti tjetër.

E thënë ndryshe, a duhet të mbrojë Shqipëria minoritetin e vet kombëtar, e aq më tepër kur ai është pjesë e sulmeve të njëpasnjëshme etnike nga etni të tjera?

Mosreagimi i qeverisë shqiptare për rastin e vdekjes së katërvjeçarit nga Kumanova, nuk tregon asgjë tjetër, veçse një komb të mbytur. Ç’ju duhet atyre Europa e bashkuar me një Shqipëri të copëtuar në të. E pazonja për t’u mbrojtur, madje e pazonja për të folur. E aq më tepër, kur janë të vetëdijshëm se si duhet të jetojnë në një shtet si Maqedonia, në të cilën ëndrra e atyre që vetveten e quajnë maqedonas, është që ata të jenë pronarë të shtetit, ndërsa shqiptarët qiraxhinj në të. Fatkeqësisht, shqiptarët e përjetojnë çdo ditë në shtetin ku jetojnë. Sepse nuk ka kush t’i mbrojë.

Por ndodh thuajse e kundërta! Na thoni një projekt mbarëshqiptar, të cilin e përkrahin të gjitha qeveritë e “Shqipërive” tona, e që ka të bëjë me mbrojtjen e interesit mbarëshqiptar? Na thoni, pse Tirana e Prishtina zyrtare lënë përshtypjen se as që e dinë se ku ndodhet shtëpia e Kongresit të Alfabetit?! Na thoni, për shembull, pse pushtetarët në Tiranë e Prishtinë nuk heqin dorë nga darkat e drekat që i paguajnë me parat e popullit, e që me ato para të ndërtojnë ndonjë shkollë në Luginën e Preshevës. Na thoni pse heshtin kur i vrasin, i rrahin dhe i shajnë?

Të besosh do të thotë t’u japësh jetë gjërave.

Por fatkeqësia e tyre është sot se ata s’mund të besojnë, as t’u japin jetë gjërave. Nuk duan më të besojnë nga frika se mos bëhen qesharakë. Shqiptarët janë në mëshirë të fatit. Edhe pse flitet pak për luftë, shqiptarët vazhdojnë të vriten, por harrojnë se ata po vriten, burgosen, ofendohen, rrihen dhe masakrohen për asgjë tjetër, veçse, për liri dhe dinjitet.

Ngado që të shkosh në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në të gjitha trojet shqiptare, do vësh re, se do ndihesh i shtypur nga mungesa e plotë e jetës, ritmit, fëmijëve, të ardhmes. Shqipëria as nuk ëndërron më. Edhe ëndrrën e ka vdekur, hapësirën e vetme të lirisë. Shterrimi shpirtëror çon në mumifikimin e një kombi.

Go to top