Si nuk u mbudhëm me mend një herë?!

Shkruan: Teuta Buçi, Shkup

Ndonjëherë është mirë të mos flasësh, por ndonjëherë e ke patjetër të flasësh sepse fjalët që mban brenda të gllabërojnë dhe të çmendin.

Dhjetëra persona humbën jetën si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga infrustruktura e dobët dhe mungesa e kanalizimit në disa vendbanime të Shkupit. Vendbanimet e përfshira ndodhen vetëm disa kilometra larg qendrës së këtij kryeqyteti të veshur në barok. Ironia nuk mund të shkoj më larg se kaq.

E shihni seriozitetin e pasojave të udhëqësve të papërgjegjshëm?! E shihni tani se pasojat i ndjejnë deri në palcë madje edhe fëmijët e djepit, ani pse ata ende s’kuptojnë asgjë nga bota dhe janë të pafajshëm?! Reagimet e udhëheqësve, politikanëve dhe të gjitha organeve të tjera kompetente janë cinike, shumë cinike. Sepse këto zhvillime dhe jo vetëm, po dëshmojnë se në vendin tonë tash më një kohë të gjatë jeta e njeriut është më e lirë edhe se një monedhë.

Asnjëherë në jetën time nuk kam parë aq shumë trishtim, dëshpërim, pikëllim në sytë e ndonjë njeriu. Dëmet nuk mund të kompensohen. Si do të kompensohen viktimat e humbura?! Si do të kompensohen traumat?! E si do të kompensohen gjithë ai mund, punë, djersë, sakrificë që çdo familje ka investuar me vite të tëra për të krijuar fole dhe të gjitha këto u rrënohen brenda një nate të vetme?!

Dhe nuk po habitem nga politikanët. Nuk po habitem nga shmangia e përgjegjësisë së organeve kompetente. As nuk po habitem që nuk po turpërohen. Po më habit shoqëria! Si mund të jemi kaq të pa organizuar?! Si mund të jemi kaq indiferent ndaj gjitha tragjedive që po ndodhin një pas një?! Si mund të jemi kaq zemërgjerë dhe të mëshirshëm ndaj gjitha dështimeve të një pas njëshme të përfaqësuesve të popullit?! Si kemi mundur të lejojmë kaq vite të na udhëheqin njerëz të tillë?! Si nuk u mbushëm me mend njëherë?! Vërtetë jemi në gjendje të mjerueshme!

Go to top