Liderët na udhëzojnë, “Sallata” të prodhojmë!

Shoqëria shqiptare në kuptim e “masës” dhe vitalitetit është ndër më dinamiket në regjion.

Grupmoshat e reja, në tërë territorin etnik, janë më të avancuara krahasuar me regjionin dhe shumë më të theksuara në krahasim me Evropën, edhe pse trendet e “civilizimit” popullativ shqiptar dëshmojnë për rënie të konsiderueshme të intensitetit në shtimin natyror.

Shkruan: Abdylmenaf Bexheti, Tetovë

Ideja e bashkimit ekonomik të shqiptarëve nuk është e re. Për atë është shkruar edhe më herët po në këtë revistë, bile me modalitetet dhe projektet konkrete. Zaten projekti i “Rrugës së kombit” është fillimi i këtij procesi. Tani është koha këtij akronimi t’i shtohet edhe K-ja, pra “Kultura” në kuptimin e gjerë të fjalës. Kultura, që në vete ngërthen gjuhën, artin, sportin, traditat…, me një fjalë mënyrën e sjelljes së përbashkët. Tirana, Prishtina, Shkupi, pa lënë anash edhe krahinat e tjera, duhet të jenë trekëndëshi i bashkërenditjes dhe sinergjisë së këtij procesi kombëtar. Bashkëpunimi me Brukselin dhe Uashingtonin pa dyshim duhet të koordinohen nga një qendër. Gjërat duhet të vihen në letër – në strategji të përafrimit kombëtar deri në bashkim.

Shqiptarët në vitin 2016 po promovohen më ndryshe. Jo se nuk ka pasur edhe më parë veprime që meritojnë të theksohen, por ky vit me gjasë përmbledh më shumë sinergji në këtë proces. Shqiptarët, në përgjithësi, i kanë dhënë vlera universale njerëzimit përgjatë gjithë historisë, bile shumë më shumë se disa popuj të tjerë të Ballkanit. Civilizimi shqiptar vërehet që në mesjetën e hershme, që kur perandorive të mëdha u ka dhënë shumë prijës dhe personalitete tejet të rëndësishëm, që nga arkitektër me famë në krijimin e mrekullive botërore e deri te heroi kombëtar Gjergj Kastrioti. Në kohën e re figura si Aleksandër Moisiu, të vijuar nga nobelistët Ferid Murati e Nënë Tereza më pas Ismail Kadare, Inva Mula…, e deri te Eliza Dushku e Rita Ora… (të na falin shumë të tjerë…). Përfaqësuesja e futbollit në kampionatin evropian, e ndjekur nga shqiptarët gjithandej, pa dallim prejardhje administrativo-gjeografike, la vragë shumë pozitive në Europë. Që nga legjenda e boksit Azis Salihu e ai i mundjes Shaban Tërstena, e deri te Majlinda Kelmendi, e krijojnë këtë sinergji. Shumë artistë e sportistë të tjerë, si dhe ekipe shqiptare, po e ndihmojnë këtë proces. Shenjtërimi i Nënë Terezës vulos pozitivisht promovimin shqiptar për 2016-tën! Pra, jemi komb me shumë tradita, kulturë dhe civilizim perëndimor. Artefaktet nga Butrinti, Berati, Gjirokastra e deri në Dardani, janë dëshmi e kulturës edhe më të vjetër se shumë popuj të tjerë në Evropë. Krejt kjo sinergji duhet të kanalizohet, strukturohet dhe menaxhohet.

Ekonomia duhet dhe mund t’i prijë e para këtij procesi. Këtë nuk mund të na e parandalojë askush e, aq më pak, “ndërkombëtarët”, që betohen në ekonomi liberale! Kemi sinergji dhe komplementaritet të lartë në kushtet dhe faktorët e zhvillimit ekonomik, nga ato natyrorë e deri te ata njerëzorë. Natyra (nënkupto: Zoti) në gjithë gjeografinë shqiptare ka diversifikuar resurse komplementare, dalje ne det, përplot lumenj, fusha pjellore dhe male me pyje e deri te nëntoka e pasur me xehe dhe përplot minerale. Sipas teorisë më tradicionale të zhvillimit ekonomik, kushtet natyrore parapërcaktojnë zhvillimin ekonomik më të përshpejtuar, por vetëm nëse ka mendje dhe burime njerëzore, që i menaxhon ato si duhet. Në të kundërtën kjo teori demantohet tërësisht, si p.sh. Japonia, si vend më i varfër me pasuri natyrore dhe bile më i ekspozuar në rreziqe masive natyrore (pozitë sizmike), bie ndër vendet më të zhvilluara në botë. Ekstremi tjetër shkon te vendet si Lindja e Mesme, notojnë mbi arin e zi dhe megjithatë ngecin në zhvillim ekonomik (p.sh. Kuvajti ka 6% normën më të lartë të papunësisë, bile midis grupmoshave të reja, se mesatarja botërore), përveç pasurimit të disa sheikëve që shpenzojnë pasuritë natyrore pothuaj në mënyre kafshore (rasti i dhjetëra mijërave dollarë peshqesh kamerierëve në brigjet e Malit të Zi)!

Shqipëria në tërë kufirin e saj veri-jug “afër detit – afër mbretit” noton mbi bitumen, karbure dhe pasuri të tjera minerale. Vetëm sektori i naftës dhe gazit në tri blloqet kryesore offshore – atë të Durrësit, Jonit dhe Adriatikut, krahas blloqeve të lira si dhe blloqet onshore (tanimë të kontraktuara) të studiuara e eksploruara nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore “premtojnë” resurse të mëdha potenciale, pa përfshirë këtu burimet ekzistuese në fushat e naftës nga Albpetroli.

Veriu, në anën tjetër, është me male të larta dhe lumenj me rënie për hidroenergji. Vetëm sistemi Skavica do të gjeneronte mbi 7 miliardë m/kub ujë në vit! Sistemi (ekstenziv) hidrografik përbëhet nga 11 lumenj dhe katër liqene – prijnë Drini me dy degë – i Zi dhe i Bardhë, Mati, Ishmi, Erzeni, Shkumbini Semani me dy degë – Devilli dhe Osumi, Vjosa, Bistrica,… liqenet si Shkodra, Ohri, Prespa dhe Butrinti, mbulojnë një sipërfaqe prej 1.032 km. katrorë. Studimet dëshmojnë për pasuri uji nëntokësor në mbi 200 burime, secili me rreth 200 l në sekondë. Në sistemin hidroenergjetik, kur kjo të kombinohet me pellgun e thëngjillit kosovar, do furnizonim qëndrueshëm (verë e dimër) jo vetëm veten, por edhe shtetet e vogla përreth nesh!

Në Shqipëri pyjet mbulojnë rreth 36% të vendit, kullotat rreth 16% dhe tokë të lëvrueshme ka rreth 24%, ku bie edhe fusha pjellore e Myzeqesë, që e përplotëson këtë mozaik (makro)ekonomik.

Kosova është përplot minerale, që nga thëngjilli e kromi, e deri te ari e argjendi. Gjithashtu ka hapësirë të mjaftueshme të tokës së punueshme krahas pyjeve e kullotave.

Edhe Maqedonia “shqiptare” duket “përplot pare”! Nga Likova e deri ne Prespë është gjallë, por pa shpresë. Liderët na udhëzojnë kastravecë të prodhojmë! Pa shaka: Pollogu ka shumë resurse, Kodra Diellit është pastër shqiptare, por manastiri (maqedonas) zgjerohet ashiqare!

Kur këtij mozaiku t’i shtohet Lugina e Preshevës dhe Malësia e Malit të Zi, tregu shqiptar tejkalon 7-milionëshin. Ekuilibri simetrik në Ballkan (bullgar, shqiptar, grek dhe serb) me popullsi të përafërt “4 x 7-8” milionë popullatë bëhet i qëndrueshëm.

Kjo është (gjeo)natyra e ekonomisë shqiptare. Në anën tjetër, shoqëria shqiptare në kuptim e “masës” dhe vitalitetit është ndër më dinamiket në regjion. Grupmoshat e reja, në tërë territorin etnik, janë më të avancuara krahasuar me regjionin dhe shumë më të theksuara në krahasim me Evropën, edhe pse trendet e “civilizimit” popullativ shqiptar dëshmojnë për rënie të konsiderueshme të intensitetit në shtimin natyror. Zhvillimi njerëzor, i shprehur në indeksin e tij (HDI – Human Development Index), që ngërthen tri elemente – baza materiale dhe ekonomike, kohëzgjatja mesatare e jetesës dhe niveli i arsimimit, akoma është larg nivelit euro-perëndimor.

Niveli i zhvillimit ekonomik në trojet etnike shqiptare akoma është në fund të tabelës së regjionit: në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë shqiptare indikatorët bazikë të rritjes ekonomike, standardit jetësor, papunësisë dhe, për pasojë, varfërisë, janë ndër më negativët në Ballkanin Perëndimor. Nëse shkojmë pak më thellë në analizën e strukturës ekonomike dhe atë sektoriale, do të konstatojmë se aftësia jonë konkurruese në eksport është në “fuqinë punëtore” ose në mërgatën tonë. Të tria shtetet pothuajse kanë “eksport rekord” të emigracionit ekonomik dhe të ardhurave dominuese nga remitencat: Shqipëria rreth 1 milion njerëz, Kosova jo më pak se gjysmë milioni dhe mbi 200 mijë shqiptarë të Maqedonisë, pra gati 1/3 e resurseve të përgjithshme njerëzore.

Në të tria shtetet, me theks të veçantë në Maqedoninë shqiptare, pothuaj mbi 20% e PBB-së vendore paraqesin remitencat dhe prurjet nga mërgata, të cilat fatkeqësisht nuk janë të utilizuara në kahe dhe projekte të qëndrueshme. Bile në disa aspekte, për shkak të dështimeve të kapaciteteve institucionale dhe qeverisjeve të dobëta, kanë shkaktuar edhe distorzime ekonomike dhe kaos urban – betonizimi i trojeve shqiptare, duke terrorizuar ambientin, ka krijuar një kaos të paparë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Analiza sektoriale dhe strukturore e eksportit nga trojet shqiptare dëshmon për një varësi ekstreme nga importi i produkteve edhe më elementare ushqimore! Shqipëria mbulon vetëm rreth 30% të importit me eksport – deficiti tregtar i Shqipërisë në mesin e këtij viti e tejkalonte edhe 3-miliardëshin amerikan, këtu falë eksportit të shërbimeve turistike, akoma dominuese vetëm brenda “tregut shqiptar”.

Kosova vetëm 10% mbulon importin me eksport, bile në strukturë “të dhimbshme”, duke eksportuar lëndë të parë mineralesh dhe duke importuar edhe qumështin serb! Ndërkohë, Maqedonia shqiptare s’ka statistika etnike, kurse ne shkallë vendi mbulon 65% të importit me eksport. Pjesa e Maqedonisë shqiptare është konsumatore ashiqare! Deficiti tregtar i Maqedonisë në qershor 2016 arriti rekordin e dy miliardë dollarëve amerikanë.

Performansa më e rëndësishme ekonomike qëndron te aftësitë konkurruese të ekonomive të tyre. Ne jo vetëm që nuk prodhojmë vegla dhe makina të thjeshta pune për veten tonë, por fatkeqësisht akoma edhe ushqimin e përditshëm e importojmë. Në rrethanat e kushteve natyrore që i shpjeguam, kjo është e patolerueshme. Shumicën dominuese të financave që i fitojmë në emigracion i shpenzojmë në vend, duke konsumuar kryesisht produkte të huaja, bile shpesh dominuese nga tregjet më “armiqësore”, si ai i Serbisë, Greqisë dhe Maqedonisë! “Forca ekonomike” e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi dominohet nga konsumi, ndërkohë që “shkrihet” nga eksporti negativ. Më saktë, nga rritja kumulative prej rreth 3% në vit, mbi 2,0% shkrihet nga eksporti negativ (shih më gjerë raporti i BB-së për 6 vendet e EJL-së, nr. 8, vjeshtë 2015).

Siç duket, kemi hendek të madh midis potencialeve natyrore dhe aftësive tona për t’i shfrytëzuar ato me dobi dhe qëndrueshmëri. Problemi është kompleks, por ta analizojmë edhe shtyllën e dytë të indeksit të zhvillimit njerëzor, atë të arsimit. Në gjithë tregun tonë “etnik” me rreth 60 universitete (si publike dhe private), jo që nuk kemi asnjë të vetëm që radhitet në 500 universitetet në botë (vetëm universiteti i Lubjanës është midis 400-500), por s’kemi as në top 3000! Më “i miri” rezulton Universiteti i Prishtinës, i ranguar në pozitën 3.401! Normat e përfaqësimit tonë (që nuk është vetëm atribut shqiptar) në arsimin e lartë shkojnë përtej normave të SHBA-ve, Gjermanisë ose edhe Zvicrës. Por, çfarë prodhojmë ne, përveç diplomave dhe titujve?Q Në tregun tonë të punës gjejmë qindra doktorë shkencash të papunësuar, por vështirë gjejmë profile më bazike profesionale: bujq të arsimuar e trajnuar, makinistë dhe elektricistë, e deri te instaluesit e rrjetit të ujit e kanalizimit. Në një treg ku një parukere fiton shumë herë më shumë se një profesor i matematikës ose fizikës ose ku një bastore fiton më shumë se një qumështore, nuk mund të bëhet fjalë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror.

Për ta rrumbullakuar, mbi të gjitha në të gjithë hapësirat kombëtare na mungon qeverisja e mirë. Një qeverisje që do punojë me përcaktim, planifikim dhe përkushtim. Një është aspekti i qeverisjeve shtetërore, përfshirë edhe integrimet euro-atlantike, ndërsa tjetër është aspekti mbarëkombëtar – një strategji mbarëkombëtare për bashkëpunim ekonomik dhe kulturor të shqiptarëve. Këto dy procese mund dhe duhet të zhvillohen paralelisht, por pa folklor dhe politikë ditore për çështje kaq madhore. Bashkërenditja e veprimeve në secilin aspekt krijon sinergji në procesin e bashkimit ekonomik dhe kulturor të shqiptarëve (BEK-Sh-i).

Dhe, nuk kemi pse druajmë për këtë nga “ndërkombëtarët”! Mënyrën se si e shtrojmë çështjen kam përshtypje se vetë e fabrikojmë kundërshtimin ndërkombëtar për bashkimin kombëtar. Siç duket, ne akoma vetë nuk jemi të bindur dhe, aq më pak, të përgatitur për këtë projekt. Logjika dhe mentaliteti mikrostruktural i lidershipit tonë “i pari i fisit tim në principatën time”, akoma nuk ka shkuar në histori. Proceset integruese rekomandojnë, kërkojnë dhe bile financojnë bashkëpunim ndërshtetëror, regjional dhe ndërkufitar. Çfarë të keqe ka këtu, pa paragjykuar epilogun e kufijve politiko-administrativë?! Me këtë proces nuk e dëmtojmë askënd. Nëse ne punojmë të koordinuar dhe bashkërenditur me prioritete, kjo mbetet çështje e kohës, shpresoj e besoj, jo shumë të gjatë!

Go to top