Statusi juridik-kushtetues dhe politik i shqiptarëve në Maqedoni

Shkruan: Abdulla Mehmeti


Prioriteti kryesor i shqiptarëve në Maqedoni duhet të jetë zgjidhja përfundimtare e statusit të tyre juridik-kushtetues dhe politik.

Shqiptarët në Maqedoni edhe përkundër përpjekjeve të shumta dhe sakrificave, nuk kanë arritur ta ruajnë as statusin juridik-kushtetues dhe politik që u garantonte Kushtetuta e vitit 1974, aq më pak ta avanconin këtë status, edhe përkundër mjegullave që u hedhin syve përfaqësuesit e subjekteve politike të tyre.

Kërkesa e vetme dhe më e rëndësishme e shqiptarëve në Maqedoni duhet të jetë rregullimi i statusit juridik-kushtetues dhe politik i popullit shqiptar me kushtetutën e këtij shteti, me këtë do t’i garantohej statusi i popullit shtetformues dhe barabarësia e plotë, që u garantohej me kushtetutën e vitit 1974. Ky status, shqiptarëve të Maqedonisë u është degraduar në mënyrë të padrejtë dhe arbitrare me kushtetutën e vitit 1991, përkatësisht ndryshimet dhe plotësimet e saj përmes amendamenteve, në vitin 2001.

Ky duhet të jetë objektivi i vetëm i subjekteve politike të shqiptarëve në Maqedoni, të cilat gjatë fushatës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të parakohshme nuk ka nevojë të premtojnë asgjë tjetër. Edhe gjatë mandatit të ardhshëm, cilado prej tyre që ta fitojë mandatin për formimin e qeverisë së re, nuk duhet të preokupohen me realizimin e asnjë premtimi tjetër parazgjedhor. Të gjitha do t’ua falin zgjedhësit e tyre, por me një kusht: ta rikthejnë së paku statusin juridik-kushtetues dhe politik të popullit shqiptar, në analogji me nenin 1 të Kushtetutës së ish Republikës Socialiste të Maqedonisë, të vitit 1974, të para 42 vjetëve!

Vetëm për këtë çështje le të merren vesh me partnerët e tyre strategjikë nga pala joshqiptare, për ndryshimin e Kushtetutën aktuale të këtij shteti, duke e rikthyer përmbajtjen e vetëm një neni! Asgjë më tepër nuk do të kërkojnë shqiptarët prej këtyre subjekteve politike.

Pa realizimin e këtij objektivi madhor, subjektet politike të shqiptarëve nuk do të kenë më rastin të mburren se gjatë 26 viteve të kaluara e paskan ndryshuar statusin kushtetues-juridik dhe politik të shqiptarëve.

Nuk do të kenë nevojë as ta zbatojnë në tërësi Marrëveshjen kornizë të Ohrit, sepse atë, vetë e shpallën të pavlerë e të vdekur, kur i miratuan dhe publikuan marrëveshjet e veta partiake, Marrëveshjen e Marsit dhe Marrëveshjen e Majit.

Nuk do të kenë nevojë as ta ndryshojnë gjendjen politike, ekonomike dhe sociale, si dhe pozitën kulturore dhe arsimore të shqiptarëve në këtë shtet.

As do të duhej të lodhen me ndërtimin e institucioneve të reja dhe infrastrukturën e nevojshme ekonomike, kur e dinë ata dhe e dimë edhe të gjithë ne, se nuk e kanë kaçikun për të realizuar asgjë më tepër.

Meqë çdo premtim tjetër i tyre do të kuptohej si farsë, së paku le ta zgjidhin një çështje të vetme, statusin juridik-kushtetues dhe politik të shqiptarëve, votuesve dhe zgjedhësve të tyre, me rikthimin në kushtetutën aktuale të këtij vendi të përmbajtjes analoge me nenin 1 të Kushtetutës së vitit 1974, e ish Republikës Socialiste të Maqedonisë, trashëgimtare e drejtpërdrejtë e së cilës është Republika e sotme e Maqedonisë, ku thuhej:

,,Neni 1

Republika Socialiste e Maqedonisë është shtet nacional i popullit maqedonas dhe shtet i kombësisë shqiptare dhe turke në të, ...” ***

* Sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare, asnjë kombi ose pakice kombëtare, nuk mund t’i atribuohen më pak të drejta se ato që i janë garantuar më parë me kushtetutën dhe ligjet e një vendi.

* Pakicës turke në ish Republikën Socialiste të Maqedonisë, me kushtetutën e vitit 1974 i është garantuar ky status, jo për t’i respektuar të drejtat dhe veçoritë kombëtare të saj, por për ta relativizuar statusin juridik-kushtetues dhe politik të popullit shqiptar në këtë republikë. Këtë e dëshmon edhe fakti se asnjëherë nga kjo popullatë, as nga udhëheqësit politikë dhe intelektualët e komunitetit turk nuk është kontestuar degradimi i këtij statusi me Kushtetutën aktuale të Republikës së Maqedonisë.

* Ekspertët e të drejtës kushtetuese le ta definojnë saktë se, me çka ndryshon fjala komb nga fjala kombësi, në kuptimin semantik, juridik, sociologjik dhe politik, përveç ndryshimit në kategori gramatikore mes tyre.

Sa për t’u përkujtuar se cili është statusi aktual juridik-kushtetues dhe politik i shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, ju sjellim më poshtë pjesën kryesore të preambulës nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, e vitit 1991, përkatësisht e vitit 2001, pas ndryshimeve dhe plotësimeve të saj përmes amendamenteve, në frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Në preambulën e Kushtetutës së vitit 1991 (të cilën nuk e votuan deputetët shqiptarë të asaj kohe, por nuk e bojkotuan këtë seancë dhe qëndruan gjatë për të siguruar kuorum, përkundër vullnetit të votuesve dhe apeleve të shumta), në të cilën thuhej:

“Maqedonia është konstituuar si shtet nacional i popullit maqedonas, ku sigurohen të drejta të plota qytetare dhe bashkëjetesa e përhershme e popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllehët, romët dhe nacionalitet e tjera…”.

Ndërsa, me ndryshimet kushtetuese të vitin 2001, përmes amendamentit IV, të vitit 2001, në preambulën e kësaj kushtetute thuhet:

,,Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, populli maqedonas, si dhe qytetarët të cilët jetojnë brenda kufijve të saj, të cilët janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak e të tjerë, duke e marrë përsipër përgjegjësinë për të tashmen dhe të ardhmen e atdheut të tyre, të vetëdijshëm dhe mirënjohës ndaj paraardhësve të tyre për viktimat dhe përkushtimin e përpjekjeve të tyre dhe luftës për krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Maqedonisë….”.

Me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, statusi juridik-kushtetues dhe politik i popullit shqiptar në këtë shtet, së paku është dashur të definohet në analogji me nenin 1 të Kushtetutës së Maqedonisë, të vitit 1974, me këtë përmbajtje:

            ,,Republika e Maqedonisë është shtet nacional i popullit maqedonas dhe shtet i popullit shqiptar, si dhe i pakicave kombëtare që jetojnë në të.”  

Asgjë më tepër nuk kërkojnë shqiptarët autoktonë në këtë shtet, duke pasur parasysh rrethanat aktuale në kontekst rajonal dhe ndërkombëtar.

Pse nuk u zgjidh kjo çështje gjatë 26 viteve të kaluara të pushtetit pluralist, mbetet e vetmja përgjigje që duhet ta kërkojnë shqiptarët nga përfaqësuesit e subjekteve të tyre politike, por edhe nga faktori ndërkombëtar.

Gjithçka tjetër për përmirësimin e marrëdhënieve ndërnacionale dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në këtë vend do të jetë e dënuar me dështim. Në anën tjetër, me moszgjidhjen e këtij statusi do të lihej hapësirë për përpjekje, iniciativa dhe kërkim të zgjidhjeve të tjera alternative, të cilat nuk do të ishin të dobishme për shqiptarët në rrethanat aktuale, as nuk do të ishin në frymën e parimeve demokratike, në interes të paqes dhe stabilitetit në vend dhe në rajonin më të gjerë, si dhe në pajtim me aspiratat e vendit dhe rajonit për integrime globale në strukturat euroatlantike.

(Poshtëshënim: Autori i këtij shkrimi zgjidhjen e kësaj çështje e sheh në kuadër të rrethanave aktuale në rajon dhe në arenën ndërkombëtare, duke mos e përjashtuar kërkimin e alternativave të tjera në interes të kombit shqiptar, pa e rrezikuar stabilitetin e rajonit dhe paqen ndërkombëtare)

Go to top