Shqipëria rrezikon të luajë pa lojtarin e 12-të, Federata u kërkon tifozëve ta tërheqin bojkotin

Ndeshja Shqipëri-Izrael ua ka shterur tolerancën grupimit të tifozëve Kuq e Zi, të cilët kanë vendosur të bojkotojnë çdo ndeshje të Kombëtares brenda kufijve për shkak të trajtimit terrorizues nga policia.

Me anë të një njoftimi në faqen e tyre zyrtare ata njoftuan mungesën e tyre në stadium.

“Të nderuar tifozë,

Ajo që ndodhi në ndeshjen Shqipëri – Izrael, nuk kishte të bënte asgjë me lojën e bukur të futbollit. Atë ditë, tifozët shqiptarë prezent në stadium (dhe jo vetëm) ishin viktimë e terrorit shtetëror. Andaj, përshkrimi apo prezantimi i çfarëdo fakti, nuk mund ta përshkruan terrorin që tifozët shqiptar përjetuan nga policia e shtetit shqiptar. Ne jemi tifozë, që e duam këtë Kombëtare dhe këtë Shqipëri. Për arsyen e lartcekur dhe duke parë që ky terror i policisë po përsëritet tash e disa ndeshje, Tifozat Kuq e Zi, janë të detyruar të marrin vendim për bojkotimin e të gjitha ndeshjeve të radhës brenda, përfshirë këtu edhe ndeshjen me Lihtenshtajnin. Kombëtarën do ta përcjellim vetëm në transferta, atje ku na respektojnë. Me këtë rast, ftojmë policinë e shtetit shqiptar, që të pajisur me kallashnikov dhe me armë tjera, të bëjë tifozin në tribunë. Për veprimet dhe format e organizimeve tona të radhës, do të ju njoftojmë me kohë. Me sinqeritet, Tifozat Kuq e Zi”, shkruan ata dje.

Sot ka ardhur reagimi i Federatës Shqiptare të Futbollit e cila u kërkon tifozëve të tërheqin bojkotin.

“Deklarata e fundit, e grupimit të tifozëve kuqezi për bojkotimin e ndeshjeve të kombëtares shqiptare, është përcjellë me vëmendje dhe seriozitet, nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit. Duke e konsideruar grupimin TKZ dhe në përgjithësi të gjithë tifozët shqiptarë, si një faktor shumë të rëndësishëm në mbështetjen që i ka bërë skuadrës kombëtare, ne e shikojmë me shumë shqetësim, vendimin e tyre. Kjo sepse mungesa e tifozerisë në stadium, përbën për ne dhe skuadrën mungesën e një aleati të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm. Të luash pa “lojtarin e 12”, do të thotë që të hysh në fushën e lojës me një lojtar mangut.

Federata , i bën thirrje grupimit TKZ, që të ndryshojë qëndrimin që ka në lidhje me këtë vendim. Me një gjykim më gjakfohtë dhe dashamirës, duhet të rikthehen në stadium, në vendin që i takon. Duke i lënë mënjanë mëritë dhe qejfmbetjet. Duke kapërcyer mbi to. Duke u bërë të gjithë, më të gjerë. Dhe duke menduar për qëllimin tonë të madh: Të jemi një suport i rëndësishëm për skuadrën tonë të dashur, e cila na ka bërë shpesh të lumtur dhe krenarë me paraqitjet e saj.

Kjo ndeshje kishte specifikat e saj nga pikëpamja organizative. Për hir të ndryshimit të qytetit dhe stadiumit ku do të zhvillohej ndeshja, u desh të kryenim, një punë kolosale, në kushte realisht të vështira. Konvertimi në një kohë rekord, i biletave të programuara për në stadiumin e Shkodrës, ishte një aksion që vështirë se një organizëm tjetër, mund ta realizonte. Në kushtet e krijuara, edhe ne ndeshëm shumë vështirësi, për të realizuar organizimin e një ndeshjeje model, sipas standarteve të UEFA-s. Tifozët, gjithashtu sakrifikuan jashtëzakonisht. Ata ndryshuan axhendën, planet e tyre dhe programet që kishin përgatitur. Dhe sigurisht, kjo kishte kosto si fizike ashtu edhe financiare për ta. Për fat të keq, kjo sakrificë që tifozeria bëri, nuk u shpërblye. Ata, kanë dhënë gjithçka për skuadrën kombëtare gjatë kësaj periudhe dhe për këtë meritonin një trajtim më qytetar, brenda kufijve ligjorë. Ne besojmë se këto kanë qenë edhe udhëzimet e drejtuesve të policisë së shtetit por në terren gjërat janë deformuar dhe për këtë ndjejmë keqardhje.

Pavarësisht kësaj, Federata kërkon më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim me grupet e tifozerive. Vetëm mirëkuptimi e bashkëpunimi, do të përmirësojë komoditetin tuaj në stadium. Ne do të bëjmë maksimumin, për të qenë një interlokutor i rëndësishëm, midis të gjitha palëve, për të patur një mbarëvajtje sa më të mirë të punëve, në të ardhmen.

E përsërisim mbështetja e tifozëve, është shumë e rëndësishme, për ekipin kombëtar dhe futbollin shqiptar. Për këtë arsye ju duam të gjithëve. Të jeni në stadium, për të mbështetur kombëtaren. Siç ka ndodhur, në mënyrë spektakolare deri më tani”, mbyllet deklarata.

Federata nuk do donte që Shqipëria të luante pa një lojëtar të rëndësishëm, të 12-in.

Go to top