Dashuria, barazia dhe dëshira, si ka ndryshuar tradhtia!

Dashuria, barazia dhe dëshira, si ka ndryshuar tradhtia!

18/07/2018 Off

Postimi është lexuar 76 herë!

Tradhtia, dashuria dhe dëshira mund të jetohen me një qasje inteligjente dhe jokonvencionale. Në tradhti, shpjegon për ANSA Esther Perel, një psikoterapeute belge “barazia gjinore kurrë nuk ka ekzistuar”. Tradicionalisht, thuhet se meshkujt tradhtojnë sepse janë të mërzitur ose të ndryshueshëm.

Kemi besuar që gratë ishin më të prira ndaj monogamisë dhe se ato tradhtonin vetëm për shkak se ishin të pikëlluara, të dëshpëruara, të vetme ose kishin nevojë për intimitet. Por, ky është një tejkalim i thjeshtëzimit. Sigurisht, pasojat e mungesës së besimit, nuk kanë qenë kurrë të njëjta për burrat dhe gratë. Dhe përderisa, për gratë, pasojat do të jenë serioze dhe të frikshme dhe në disa raste do të rrezikojnë jetën e tyre, gratë do të presin që të jenë me të vërtetë të dëshpëruara për të tradhtuar. Edhe në çështjen e tradhtisë, mund të vërehet njëfarë përparimi në barazinë gjinore.

Për këtë arsye: “Burrat dhe gratë duan intensitet, ngazëllim, kontakt, intimitet, vëmendje, duan të ndjehen të gjallë, të lirë, të lehtë, ata duan shumë gjëra. Dhe kjo dëshirë është më shumë njerëzore sesa specifike gjinore”, shprehet Perel

Natyrisht, tradhtia ekziston që kur ekzistojnë burrat dhe gratë dhe asnjë dënim moral apo ndëshkim nuk ka arritur të ndalë pabesinë. Por, pse tradhtohet edhe kur jemi të martuar dhe të lumtur? Koncepti i martesës dhe monogamisë ka ndryshuar me kalimin e kohës dhe do të vazhdojë të ndryshojë: Historikisht, monogamia nuk ka të bëjë fare me dashurinë: ishte kryesisht një imponim për gratë, për arsye ekonomike, trashëgimie dhe prejardhjeje.

“Ideologjia romantike e ka bërë monogaminë të shenjtë, bindjen e përbashkët nga të dy partnerët që, pasi e gjetën ‘Një’, bashkëshortin, të gjitha nevojat dhe dëshirat do të bëheshin realitet përgjithmonë”, thotë Perel.

Por, ekskluziviteti merr kuptime krejtësisht të ndryshme nëse martohesh me partnerin e parë “të shtratit” ose nëse zgjidhet dikush pas 15 vjetësh nomadizmi seksual dhe marrëdhënieje. Në formën e saj moderne, monogamia është një zgjedhje, ushtrimi i zgjedhjes së të njëjtit person. Edhe koncepti i martesës ka ndryshuar dhe Perel jep disa shembuj: “Ishte e zakonshme që në martesë të bëhej seks për herë të parë, tani ne martohemi dhe ndalojmë të bëjmë seks me të tjerët. Në botën perëndimore, martesat zgjatnin derisa vdekja t’i ndante, tani martesa përfundon kur dashuria mbaron. Monogamia do të thoshte një person për gjithë jetën”.

“Tani kjo do të thotë një person në një kohë. Pas vizionit universal të vlefshëm të martesës, i mirë për të gjitha stinët, ne po përpiqemi të përcaktojmë përkufizime të reja që plotësojnë nevojat e jetës sonë të tanishme”, thotë psikoterapistja.

Shpërthimi i protestave kundër ngacmimit seksual janë një çështje tjetër për Perel: “Ka një dallim të madh në mes të agresionit dhe pabesisë. Ngacmimi është një krim. Kurorëshkelësit dhe marrëdhëniet klandestine janë tradhti konsensuale të zemrës. Është e rëndësishme që këto gjëra t’i merrni në konsideratë të ndara”, nënvizon ajo.

Aventura krijuese e transferimit të të gjitha pjesëve të vetes në marrëdhëniet me partnerin është ajo që e bën lidhjen e fortë. Tradhtia ka qenë gjithmonë një mundësi për të rishkruar marrëdhënien e një çifti, një shtytje për të gjetur një harmoni të re me partnerin tuaj. “Disa pabesi do ta thyejnë marrëdhënien, por disa mund ta rishkruajnë atë, sepse çifti është në gjendje ta përdorë krizën si një katalizator për ndryshimin”, përfundon psikoterapistja.