Mos e kalofsh rininë në Kosovë, vendin ku as plaku nuk ia ka zili të riut!

Mos e kalofsh rininë në Kosovë, vendin ku as plaku nuk ia ka zili të riut!

05/07/2018 Off

Postimi është lexuar 57 herë!

Xhevdet POZHARI

7 vdekje në vendin e punës në Kosovë vetëm në 6 muajt e parë të vitit 2018. Ky është një lloj i ri i krimit që punëdhënësit janë duke e kryer ndaj punëtorëve. Vend pune apo front lufte?!

***

Seldin Alija, 17 vjeçari që humbi jetën në vendin e punës u bë viktima e shtatë që vdes në vendin e punës brenda 6 mujorit të parë të vitit 2018. U tha se i ndjeri punonte për t’i vetefinancuar studimet.

E, sa e sa të rinj të tjerë janë të detyruar të punojnë në rrethanat që iu desht të vepronte Seldini.

Në mungesë të mbikëqyrjes të inspektoratit të punës që do të duhej të garantonte të drejtat e punëtorëve, privatistët janë shndërruar në ushujza që e thithin pamëshirshëm gjakun rinor.

Të vetëdijshëm për gjendjen e rënduar ekonomike të familjeve shqiptare si pasojë e një pushteti që udhëhiqet nga burrështetas të pasur të një populli të varfër, “padronët me kollare” kanë skllavëruar punëtorët e tyre. Kundrejt një shume simbolike, ata kërkojnë angazhime maksimale. Gjahu më i preferuar janë të rinjtë, ata që duhet të jenë të gatshëm të punojnë edhe gjatë vikendeve, edhe jashtë orarit të punes, edhe çdo punë që e ngarkon punëdhënësi nëse duan ta mbajnë shpirtin gjallë.

Këta punëdhënës monstruoze që shpesh shihen me kravata përkrah burrështetasve nëpër panaire të ndryshme ku promovojnë produktet e tyre, thuajse kanë zhdukur çdo ndjenjë humane dhe janë të gatshëm t’ua thithin gjakun me pambuk hallexhinjve që u duhet të mbijetojnë derisa të gjejnë rrugë për të ikur nga Kosova.

Janë ata punëtore që nuk i shohim në katet e larta duke ndërtuar mure apo duke pastruar xhama, janë ata depoiste apo arkëtarë që na ndodh t’i shohim edhe në mesnatë, edhe në ditë festash duke qëndruar të këputur me fytyra të zbehta prapa arkave. Janë ata fëmijë që nuk i shohim nëpër podrume të shndërruara në punëtori ku qepin e prejne produkte për skllavopronarët e tyre modern, ata zotërinj të rëndë me kravata që shëtisin tërë botën me djersën e punëtorëve. Ata skllavopronarë që janë të gatshëm të korruptojnë edhe burrështetasit më të lartë shtetërorë e lërë më një inspektoriat thuajse inekzistent.

Jeta e një të riu u nda përgjysmë në mënyrën më të tmerrshme, siç përfundoi tragjikisht edhe jeta e gjashtë të rinjve të tjerë vetëm në gjysmën e parë të ketij viti. Edhe shumë të rinj të pafat janë të detyruar të shtrijnë supet e tyre të njoma nën pushtetin e eprorëve me duar të përgjakura.

Ata të rinj si Seldini duan të jetojnë me nderë, të grumbullojnë para për të studiuar, ndërkohë që janë të detyruar që më shumë se provimeve t’a kenë hallin nëse shefi i tyre do t’i lejojë të shkojnë në orarin e caktuar t’iu nënshtrohen testeve, apo me nenqeshjen e përhershme do t’iu thotë, nuk të paguaj kot, puno se nuk ka çfarë të duhet shkolla.

Vitet kalojnë dhe siç rritet numri i punëtorëve që vdesin në vendin e punës, qindfishohet numri i të rinjve që duan ta braktisin Kosovën.

Askush nuk do ta besonte se Kosova një ditë do të bëhej vend ku as plaku nuk do t’ia kishte zili të riut! Se kaq pamëshirshëm do të perdhosej e ardhmja e këtij vendi me gjakun dhe djersën e të cilëve i kanë të përlyera duart ata skllavopronarë që me mburrje shtrëngojnë duart me burrështetasit e Kosovës që janë përgjegjësit kryesorë të këtij mjerimi.