Teatri, fushëbeteja më e rëndësishme politike

Teatri, fushëbeteja më e rëndësishme politike

15/07/2018 Off

Postimi është lexuar 23 herë!

Shkruan Xhenis Sulimani

Arti është politika vet. Skena artistike, me theks teatri, është fushëbeteja më e madhe politike. Është konkluzë e shkurt e qartë dhe shumë e saktë. Kush nuk pajtohet, nuk ia ka haberin as poilitikës e as artit.

“Në det”, shfaqja e fundit teatrore për publikun kumanovar, e sjellur mjeshtërisht nga aktorët: Qazmedin Nuredini, Sefedin Shabani, Mirsad Abazi, Taulant Destani dhe Faton Ibrahimi, nën regji të Qëndrim Rijanit është shfaqja që më së miri e vërteton përfundimin që e dhash qysh në fillim.

Teatri është më shumë se shkollë. Leksionet e nxjerrura nga shfaqjet teatrore dinë të jenë shpesh më të frytshme se leksionet nëpër katedrat klasike. Është pikërisht shfaqja “Në det” e cila për më pak se një orë e gjysmë të jep pasqyrën më të kristalt të luftës të karaktereve njerëzore që reflektojnë thuajse në çdo fushë të jetës. Dhe, sikur për një moment të bind se i forti dikton drejtësinë dhe se në luftën për mbijetesë, drejtësia është në gojën e gjithësecilit, dhe në zemrën e askujt.

“Në detin” e karaktereve, ndodhin gjërat njëjtë sikur në karakteret e skenës politike. Në çfarëdo sistemi politik, nga demokracia liberale e deri te diktatura pëson i drejti. Dy budalla me vota e fitojnë të drejtin. Ngjajshëm, me metoda tjera, në diktaturë një i fuqishëm dikton drejtësinë si do vet.

Në shfaqje shtrohej pyetja për lirinë e vërtetë, ku jeton dhe çka do të thotë në thelb liria?!

Liria, insistoj unë, jeton te vet aktorët, në shpirtin dhe punën e tyre. Edukimi i opinionit, thirrja për liri, vëllazëri dhe dashuri në shoqëri është politika më e mirë mundshme. Trupa teatrore, dhe gjithë ekipi i kësaj shfaqje janë epiqendra e lirisë. Kjo për faktin se lirshëm adresojnë të metat e shoqërisë dhe japin zgjidhje. I mbetet opinionit se cilat karaktere do t’i zgjedh për betejat personale. Megjithatë me aktorë dhe teatër të lirë, lirinë do ta përjetojë çdo individ.

Qëniet më të mëdha politike janë vet aktorët. Aristoteli është definitivisht i pakontestueshëm kur thotë se njerëzorja realizohet nëpërmes aktiviteteve politike, aktiviteteve në të mirën e njerëzimit, prandaj është decid kur thotë njeriu është qenie politike. E ku ka më njerëzore që t’i inkurajosh të tjerët që të rreshtohen kah e drejta, kah e mira… për ta gjetur lirinë e vërtetë dhe për ta kalitur njerëzoren te vetja?!

Lufta tashmë është kulturore, kultura është politika më e mirë. Gjithësecili prej nesh duhet të ndihmojë artin, për të sjellë vlera në shoqëri. E gjithë këto aktivitete pastaj do të inkurajojnë edhe politikanë më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm. Në kësi mënyre do krijojmë fushëbeteja ku karakteret/protagonistët e shoqërisë/politikanët- njëjtë edhe siç ishte njëri ndër mesazhet e shfaqjes- më shumë do të flasin më njëri tjetrin se sa për njëri tjetrin. Kuptohet, gjithmonë për të mirën e përgjithshme.