Trump i shkruan Ivanovit, Stoltenberg: Pa referendumin, iluzion anëtarësimi në NATO

Trump i shkruan Ivanovit, Stoltenberg: Pa referendumin, iluzion anëtarësimi në NATO

07/09/2018 Off

Postimi është lexuar 92 herë!

Në ndalesën e tij dyditore në Shkup, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka theksuar edhe njëherë porosinë e aleancës perëndimore përpara mbajtjes së referendumit për emrin e ri të vendit, në fund të këtij muaji.

Porosia nga shefi i NATO-s ishte më se e qartë, kur tha se nuk ka anëtarësim të Maqedonisë në NATO, nëse referendumi për çështjen e emrit nuk rezulton i suksesshëm.

Duke iu referuar qëndrimeve “kundër” të presidentit Gjorge Ivanov dhe opozitës me në krye VMRO-DPMNE-në, Stoltenberg tha në mënyrë të drejtpërdrejtë se “është iluzion të mendohet anëtarësimi në NATO, nëse jeni kundër marrëveshjes për emrin”.

“Dikush mendon se mundet të thotë ‘po’ për anëtarësimin dhe ‘jo’ për referendumin, por nuk ekziston një mundësi të tillë. Është iluzion i plotë që të mendohet se, nëse thoni ‘jo’ për marrëveshjen dhe ‘po’ për anëtarësimin, do të bëheni pjesë e NATO-s. Duhet t’i thuhet ‘po’ marrëveshjes për emrin dhe ‘po’ anëtarësimit, që të anëtarësoheni”, deklaroi Stoltenberg.

Ndërkohë, presidentit Ivanov i ka ardhur edhe një letër nga presidenti amerikan Donald Trump, sipas të cilit marrëveshja e nënshkruar në Prespë mes Gruevskit dhe Tsiprasit për emrin e ri të Maqedonisë i hap rrugën vendit për aderimin në NATO dhe BE. Letra me këtë përmbajtje vjen në kuadër të 8 shtatorit, ditës së Pavarësisë së Maqedonisë.

“Maqedonia ka shumë arsye që këtë vit të jetë krenare. Marrëveshja historike e Prespës e zgjidh mosmarrëveshjen shumëvjeçare për emrin me Greqinë dhe i hap rrugën Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe BE. Marrëveshja dhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të përforcojnë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në të gjithë rajonin. Amerika është e gatshme të përkrahë Maqedoninë, veçmas për bisedimet për anëtarësimin tuaj në NATO. Ju dëshiroj gjitha të mirat qytetarëve të Maqedonisë në këtë ditë të veçantë”, ka shkruar Trump.

Ndonëse e ka deklaruar prej kohësh se është kundër marrëveshjes për emrin, Ivanov e shprehu edhe njëherë qëndrimin e tij gjatë takimit të kësaj të enjteje me Sekretarin e Përgjithshëm të aleancës, Jens Stoltenberg.