Thonë se shoku i ushtrisë ndonjëherë është i afërt si vëllai, kur dy veta e ndajnë një palcë kurrizore, kur dy persona janë mbështetur shpinë për shpine dhe njëri-tjetrit ia ruajnë shpinën. Shok i ushtrisë do të thotë ndarja e gjithçkaje mes vete, mbështetja në shpatull ku mund të qash e përlotesh. Shoku i ushtrisë ka kuptim më shumë se gjaku e prejardhja. E pikërisht kjo u kishte ndodhur Davidit dhe Amirit në Zvicër, i pari zviceran, ndërs i dyti shqiptar nga Gjilani me shtetësi zvicerane.
Sapo e mori shtetësinë zvicerane, Amir Isenin e ftuan të kryej shërbimin ushtaraka në Chamblon, afër Yverdon-les-Bains. Aty, ai takohet me zviceranin David Werner, një takim që do të shndërrohet në një miqësi të sinqertë e që zgjat edhe sot e kësaj dite. Në këto ditë të vështira të shërbimit ushtarak, ata qëndruan së bashku nga muaji mars 2013 e deri në prill të vitit 2014. “Gjatë kesaj kohe kemi qenë së bashku si rekrutë, e më pas edhe në shkollën e oficerëve. Kaluam aq bukur, sa që më shkoi mendja ta ftoj edhe në dasmën time, në Kosovë”.
Davidit i dridhet zëri kur rrëfen për mikpritjen madhështore shqiptare të familjes Iseni nga Gjilani. Menjëherë e kaplojnë emocionet dhe sikur nuk i gjen dot fjalët më të ëmbla që i mban nga kujtimet e paharruara gjatë qëndrimit në Kosovë.
“Isha pak i hutuar, pasi kisha dëgjuar për Kosovën, por nuk e dija ku po shkoja, nuk i njihja mirë traditat e shqiptarëve, megjithëse Amiri më kishte treguar shumë shpesh”, rrëfen Davidi për “Shtegu.com. “Erdhën me qindra krushkë, jehona e tingujve të muzikës shqipe dëgjohej anembanë, një ambient i mrekullueshëm, të cilin nuk e kisha përjetuar asnjëherë në jetë. Shumica e mysafirëve i kishin drejtuar sytë nga unë, duke u munduar që të krijojnë hapësirë që të ndjehem sa më i lirë dhe më respektonin shumë. Gjithçka shkonte si është më së miri, gjithçka bëhej me rregull, sikur secili e dinte obligimin dhe angazhimin e vet”, vazhdon më tutje Davidi.
Pas një kohe të gjatë të gazmendit familjar, Davidi lodhet dhe i thotë Amirit t`ia rezervojë ndonjë hotel diku në afërsi. Por një gjë e tillë nuk ishte e mundur te traditat shqiptare, ishte si një lloj ofendimi për mikpritësin. “Ma caktuan një dhomë të tërë për mua, ku i kisha të gjitha kushtet dhe rehatinë. Ishte shumë më mirë se në hotel. Ajo që nuk do ta harroj tërë jetën është momenti kur me Amirin u kthyem vonë nga një restorant, ishte diku ora 1 pas mesnate dhe po bëhesha gati që prindërit e tij të na qortonin që ishim vonuar. Megjithatë isha zhgënjyer shumë keq, pasi në atë kohë të vonshme, nëna e Amirit na e kishte përgatitur një darkë të shijshme. U befasova, mbeta pa fjalë. Një flijim i tillë i një nëne për një të huaj, si është e mundur?”, sikur ngulfatet pak nga emocionet kur rrëfen.
Tani, Amiri banon rreth 100 km distancë nga Davidin, por shoqërimi i tyre nuk është ndërprerë. Sa me mall flasin me njëri-tjetrin për miqësinë e tyre! Amiri është udhëheqës në një kompani të sigurimeve të objekteve, ndërsa Davidi udhëheqës i çështjeve administrative në një institucion.