Ideologjia kombëtare e Ismet Totos

Kolumna

“Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen”. Kjo ishte kryefjala jetësore e Ismet Totos (1908 – 1938). Kryefjala e këtij mendimtari me orientim perëndimor, e këtij kundërshtari të oportunizmit, servilizmit, të koncepteve të vjetra kulturore, e këtij lartësuesi të qytetërimit të lashtë shqiptar, e këtij kërkuesi të dijes dhe mbrojtësi të lirisë së shprehjes dhe mendimit, na kujton qasjen e Niçes për njerëzit me “virtyt dhurimi”, të cilët nuk ngrohen prej ideve të gatshme dhe nuk ia bëjnë qejfin turmës.

Ismet Toto, si njeri me “virtyt dhurimi”, e promovoi ideologjinë kombëtare me orientim perëndimor, të cilën e quajti “Diktatura e Ndritur”.

Kjo ideologji e theksonte lartësimin moral, kulturor, qytetërues dhe material të shqiptarëve, sipas formulës: “për një qëllim që shënjtëron qënien tonë”.

Kjo ideologji e synonte organizimin e kaosit brenda qenies dhe shoqërisë shqiptare nëpërmjet një projekti të menduar mirë.

Kjo ideologji duhej që të realizohej nga përfaqësuesit më të ditur, më të ndershëm dhe më profesionistë të kombit.

Kuvendi që do të udhëhiqej prej përfaqësuesve të zotë e të ndershëm do të bëhej një forcë motivuese për kombin dhe shtetin.

Ndonëse në krye të Diktaturës së Ndritur, sipas rrethanave të kohës, do të ishte mbreti, sërish rolin kryesor do ta kishte “aristokracia spirituale”, aristokracia e shpirtit dhe e kulturës, që do të punonte për idealin kombëtar.

Ismet Toto ishte i bindur se shteti dhe shoqëria mund të përparonin vetëm nëse do të udhëhiqeshin nga rinia e pastër, e ndjeshme ndaj ndryshimeve që i duheshin botës shqiptare. Kjo rini do t’i hidhte “rreckat e vjetra” që “i merrnin frymën Shqipërisë”.

Për lartësimin e qytetërimit shqiptar, sipas tij, duheshin procese të paramenduara mirë, që do të rridhnin me dinamikë të shpejtuar dhe do të udhëhiqeshin nga njerëz pa inferioritet intelektual. Ata do t’i lartësonin vlerat shqiptare, kurse modelet shoqërore, politike, kulturore e arsimore të huaja do t’i përshtatnin për rrethanat e kohës dhe në sinkron me konstitucionin mendor të shqiptarëve.

Ismet Toto ishte kundër politikës “laissez-faire“, sepse ishte politikë e indiferencës ose: “Lëri punët të ikin natyrshëm se ashtu është më mirë”. Kjo teori, që angazhohet për konkurrencë të pakufizuar dhe garë të lirë ekonomike, u përqafua nga shumë qeveri të kohës, sepse nuk donin që t’u rëndonin mbi kokë disa probleme të shoqërisë.

“Vetëm ata kombe që kanë qeveritarë të mbëdhënj, njërës q’i trëmben gjyqit të historisë, vetëm ata shohin dhe mendojnë se ku do të ndodhen mbas 50 vjetësh”, shkruan ai.

Çdo nisme, sipas Totos, duhej t’i paraprinte një projekt i menduar në detaje, për realizimin e së cilës duhej që të zgjidheshin njerëzit më të aftë.

Mungesa e organizimit të institucioneve shtetërore e shoqërore nuk vinte si pasojë e mungesës së mjeteve financiare, por te mospasja e një koncepti.

“Në Shqipëri, kemi nevojë për njërës që të bëjnë punë pa pretenduar të bëjnë not në mes të fondeve; njërës me gjoks të fortë, njërës që të kenë bindjen se do t’u dalin në krye qëllimeve edhe kur të mos t’i kenë të kompletuara, siç duhet, mjetet dhe veglat. “Atje ku ka një vullnet ka dhe një possibilitet (mundësi)”, thotë Englezi”.

Si njeri edhe i veprimit politik, së bashku me vëllain, Etem Toton, iu bashkua lëvizjes kundër e Monarkisë. U dënua me vdekje. U ekzekutua në nëntorin e vitit 1937. Ishte 29 vjeçar. Nuk kishte ndonjë amanet për familjen. Gruas i la orën e dorës dhe një unazë.

Burimi: Salajdin Salihi – portalb.mk