Në shtypin slloven është shkruar shpesh për atmosferën kulturore në Kosovën e viteve 60-të dhe 70- të të shekullit të kaluar. Në revistën sllovene, “Primorski Dnevnik”, në vitin 1957, është botuar një shkrim për letërsinë shqiptare, që krijohej në Jugosllavinë e dikurshme.
“Periudha 12 vjeçare e letërsisë që krijohet në Kosovë, dëshmon për një zhvillim të bujshëm dhe të larmishëm. Ajo ka kaluar nga letërsia gojore, që ishte dominuese deri në Luftën e Dytë Botërore, drejt një letërsie të kultivuar shqiptare”.
Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, në revistën “Liria”, botonin shkrime: Ramiz Sadiku, Esad Mekuli dhe Fadil Hoxha. Pas Luftës së Dytë Botërore kishin filluar të botoheshin disa revista, kurse shkrimtarëve Radovan Zogoviqit, Esad Mekulit apo Hivzi Sulejmanit, u ishin bashkëngjitur edhe shkrimtarët e rinj, që kishin botuar “përmbledhjet e para me poezi, novela, libra historie, madje edhe romanin e parë”.
Autori Petar Gudel, në një shkrim të botuar në vitin 1961, në revistën “Primorski Dnevnik”, flet me respekt për letërsinë shqipe.
“Letërsia shqipe te ne kishte filluar të zhvillohej pas luftës, duke dhënë vepra të mira dhe emra premtues”.
Gudel shkruan se në gjuhën shqipe, përveç librave me poezi, ishin botuar romane dhe drama.
Atmosfera kulturore e kësaj periudhe përshkruhet edhe nga revista “Vestnik”. Në një shkrim, të botuar në tetorin e vitit 1961, thuhet se shqiptarët e Kosovës, “dikur të diskriminuar”, kishin nisur “t’i shijonin të mirat kulturore”. Aty flitet edhe për revistën “Jeta e Re”, e cila, falë poetit Esad Mekuli, nuk ishte vetëm revistë kulturore, por edhe vatër e krijuesve shqiptarë.
“Revista “Jeta e Re” ka shënuar një rekord të veçantë jugosllav. Ajo shtypet me tirazh prej 5000 ekzemplarësh… Revista ka mbledhur rreth vetes 200 krijues të kombësisë shqiptare. Duhet përmendur edhe botimin e gazetës ditore “Rilindja”, e cila ka shënuar një “rilindje”, por edhe pesë revistat tjera, në mesin e të cilave revista “Përparimi”, që trajton çështje kulturore dhe shoqërore”.
Shtëpia botuese “Rilindja”, sipas këtij shkrimi, kishte botuar 700 libra të ndryshëm.
“Në gjuhën shqipe janë botuar: “Kurora e maleve” e Njegoshit, “Hamleti” i Shekspirit, “Nëna” e Gorkit, vepra të Balzakut, Tolstoit, Heminguejt, Kamysë, Floberit, Zolës, Dandet-it, Dostojevskit, Majakovskit, Jeseninit, Gogolit, Manit, si dhe libra të autorëve jugosllavë, sikurse: “Ura e Drinës” nga Andriqi, novelat e Kërlezhës, të Branko Çopiqit, “Humnera” e Kovaçiqit, “Dielli është larg” i Qosiqit”, por edhe 50 libra të autorëve shqiptarë, përfshirë edhe pesë romane. Librat botoheshin me 3000 ekzemplarë dhe me cilësi shumë të lartë.
Kritiku letrar, Hasan Mekuli, në deklaratën për revistën “Vestnik”, e kishte veçuar krijimtarinë e Esat Mekulit, librat e Hivzi Sulejmanit, Mark Krasniqit, Mikel Markut; por edhe librat e brezit më të ri të shkrimtarëve, gjegjësisht: Mehmet Hoxhës, Setki Imamit, Tajar Hatipit, Murteza Pezës, Vehap Shitës, Ramiz Kelmendit, Rexhep Hoxhës, Enver Gjergjekut dhe Murat Isakut.
“Prej të rinjve premtojnë Besim Bokshi, Fahredin Gunga, Anton Pashku, Azem Shkreli, Ali Podrimja”, thotë Mekuli.
Në gjuhën shqipe ishin botuar edhe 300 libra shkollorë, disa me tirazh prej 100 mijë ekzemplarësh.
Gazeta sllovene “Dolenjski list”, në vitin 1962, informonte për një takim të shkrimtarëve në Slloveni, ku merrte pjesë Esad Mekuli. Ai e kishte prezantuar kulturën dhe letërsinë shqipe, si dhe kishte folur për veprat e shumta të përkthyera në gjuhën shqipe.
Nëpër revistat dhe gazetat sllovene, të kësaj periudhe, hasim shkrime për jetën kulturore në Kosovë, por edhe në Maqedoni. Shkruhet për filmin e parë shqiptar, që ishte xhiruar me angazhimin e Abdurahman Shalës; për hapjen e fakulteteve në Prishtinë; për koncertet e artistëve kosovarë; për librat e përkthyer në gjuhën shqipe; për aktivitetin e gazetës “Flaka e Vëllazërimit” në Shkup, kurse me angazhimin e Esad Mekulit botoheshin në sllovenisht krijime letrare të shkrimtarëve shqiptarë.
Burimi: Portalb.mk