Shkruan: Syrja Etemi
Në vend të hyrjes
Në punën time mbi 25 vjeçare – në cilësinë e pedagogut të shkollës,në kuadër të ezaurimit të detyrave që dalin nga Programi vjetor i punës së pedagogut të shkollës, e më konkretisht: në sferën e Përcjelljes dhe përparimit të punës edukative-arsimore në shkollë**, madje, në veçanti – në fushën që ka të bëj me Punën analitiko – kërkimore të çështjeve të ndryshme që rëndojnë procesin mësimor-edukativ të saj***, përveç tjerash, si një problem më sinjifikativ kam evidentuar fenomenin e mbingarkesës së nxënësve , i cili po ingravon dhe relativizon dukshëm mbarëvajtjen e përgjithshme të punës mësimore në veçanti, dhe shkollës në përgjithësi.
Mbingarkesa e nxënësit si fenomen dhe dukuri ka qenë dhe mbetet në fokusin e teorisë dhe praktikës pedagogjike.Kështu,në një farë mënyre ky problem është i pranishëm edhe në shkollat tona,i cili nuk është thjesht vetëm preokupim dhe çështje vetëm pedagogjike apo vetëm tangim i nxënësit,por një problematikë më gjithëpërfshirëse.
Në këtë rast,para jush do të pretendoj të vë në pah disa akcente që,aktualisht kanë të bëjnë me natyrën e mbingarkesës së nxënësit si: përkufizimin e problemit, bazën objektive të mbingarkesës, mbingarkesën kohore me obligime të nxënësit, mbingarkesën nga aspekti i vështirësisë dhe vëllimit të mësimit (programeve arsimore,tekstet mësimore) dhe arsimtarin si faktor mbingarkese.
(Më detalisht, këto parametra i kam parashtruar në Materialet që në formën e shkruar i kam prezentuar Komisionit të Tribunës e mëpastaj janë botuar në (Kollumnë: gazetën ditore “Koha” ).
___________________________
* Hulumtimi në fjalë (në versionin e shkurtuar) është i përgatitur si një variant i një punimi më të zgjëruar dhe që është prezentuar në Tribunë shkencore–në organizim të Shoqatës së Pedagogëve Shqiptarë të Tetovës,e cila është mbajtur për nder të Festës së Shtatë Marsit në Tetovë (më 6 mars, 2016)
**286 orë mësimore të hospituara në periudha të ndryshme – në shkollën ku punoj (nga viti 1995-2019);
*** Analiza të teksteve të diskutueshme mësimore (në ciklit klasor dhe lëndor): S.E. : ”Analizë e teksteve shkollore: Dituri natyre dhe shoqërie, Dituri natyre dhe Dituri Shoqërie – në përdorim në shkollat fillore shqipe të Maqedonisë”, “Tekste me standarde ekstensive pedagogjike – didaktike”(Tekstet: Gjuhë shqipe 3, 45,Gjuhë maqedone 4,5,6,7,8,9 , Etikë kl.VII);“Dërstilat e politikës dhe dergja e arsimit”- (S. E. Kollumnë -në gazetën ditore “Koha”).
Ç’është mbingarkesa?Duke u mbështetur në Fjalorin pedagogjik të Prof.Shefik Osmanit se “me mbingarkesë kuptohet vënia e barrës mbi nxënësin, vënia e detyrave të shumta për të mësuar , të cilat ai nuk mund t’i bartë, t’i përballojë,ajo paraqitet si angazhim i tepruar me vlera që nuk përkojnë me moshën dhe aftësitë intelektuale të nxënësit, reflektohet negativisht në qëndrimin e nxënësit ndaj të mësuarit dhe shkollës.”Në vijim do të japim disa argumentime,të cilat mendoj se paraqesin ashiqare prezencën e mbingarkesës në shkollat tona në përgjithësi:
Mbingarkesa kohore – ngarkesa me ditë pune gjatë vitit shkollor;ngarkesa me orë mësimi gjatë ditës,javës dhe vitit shkollor,dhe: ngarkesë me kohëzgjatje të orës mësimore, (që, në vazhdim, në Materialin më të gjërë kam paraqitur disa parametra për ta ilustruar problemin si është në disa shtete evropiane dhe si është në shkollat tona në Maqedoni).
Të dhënat në to flasin se, mbingarkesa në mes nxënësve në shkollat në Maqedoni dhe shtete të tjera është, poshtë – lartë identike dhe se nuk ka dallime qenësore në ditë pune (që sillet: 180-200), në orë mësimore (që sillet: 33-35 orë në javë), në kohëzgjatjen e orës mësimore (që varion: 40-45 min.), por dallimi esencial qëndron në numrin e lëndëve mësimore në baza etnike. Prandaj, duhet pranuar faktin se, nxënësit shqiptarë në shkollat fillore në Maqedoni, në krahasim me nxënësit maqedonas, janë të ngarkuar me dy, përkatësisht tre orë në javë më shumë, pasi mësojnë gjuhën maqedonishte si lëndë të detyrueshme (gjë që nuk vlen për fëmijët e së njëjtës moshë të etnitetit tjetër shumicë në nivel shteti, por pakicë në nivel të disa komunave të caktuara). Pra, këtu mungon parimi i reciprocitetit! Ky krahasim nxjerr në sipërfaqe influencën e fuqishme të politikës paternaliste arsimore si mbingarkesë, e që po tangon të gjithë aktorët e arsimit në gjuhën shqipe në këtë rast: nxënës – arsimtar – prind (Kujtoni këtu edhe tendencën e para disa viteve për mësimin e detyrueshëm të maqedonishtes që nga kl.I)!…
Mbingarkesa me obligime shkollore- si: mbingarkesa me përmbajtje mësimore (fakte historike, data, numra, teori, informacione të parëndësishme, të dhëna formale,etj); mbingarkesë me aktivitete mësimore dhe jashtëmësimore; mbingarkesë me detyra shtëpie; mbingarkesë me tekste mësimore (libra, fletore pune, doracakë); mbingarkesë me gjuhën e teksteve (nocione, kuptime të tepërta), mbingarkesë me tekste me përkthime të çoroditura nga maqedonishtja – në mungesë të teksteve origjinale nga autorë shqiptarë).
Elementet e përmendura që kanë të bëjnë, kryesisht me tekstet mësimore, janë një faktor i rëndësishëm dhe, që, në punën shumëvjeçare tonën, i janë nënshtruar trajtimit dhe analizës së shumë teksteve mësimore (nga kl I-IX) – me sugjerime që,të njëjtat t’u nënshtrohen procedurave të shkarkimit të atyre përmbajtjeve që janë të tepërta, mbi normale dhe që krijojnë mbingarkesë.
Mbingarkesa nga aspekti i vështirësisë dhe vëllimit (programeve arsimore, tekstet mësimore)- Elementi i vështirësisë është çështje relative dhe subjektive. Por,shikuar në përgjithësi,në shkollë flitet për ndarje të këtillë,si lëndë e vështirë e voluminoze, siç trajtohen; matematika, fizika, kimia, përkatësisht ato që dalin nga programet e adaptuara të Kembrixhit, madje edhe disa nga gjuhët e huaja.
Çështja e vëllimit,nënkupton përfshirjen e nxënësve në aktivitete jashtëmësim-ore, gara, madje aktivitete të lira dhe angazhime të shumta, (p. sh. një nxënës merr pjesë në Timin e multietnizmit, Eko-patrollës, në atë të recitatorëve, në gara të matematikës, gjuhës e të ngjashme).
Tekstet mësimore paraqesin, një tjetër faktor mbingarkese, i cili në një mënyrë apo tjetër (varet nga fakti se kush dhe si i koncipon ato). Edhe kjo çështje kërkon një vështrim kritik më gjithëpërfshirës në mënyrë për të konstatuar hipotezën tonë për këtë rast.
Arsimtari si faktor për mbingarkesë
– Mundësia e paraqitjes së arsimtarit si faktor për mbingarkim të nxënësit është shumë e madhe. Atë duhet trajtuar nga disa aspekte: me qasjen dhe mënyrën e mësimdhënies, organizimin e mësimit; planifiki-min, çështjen e metodës së mësimdhënies; uniformiteti dhe monotonia në mësim; mosrespektimi i individualizimit; puna e bazuar në klishe, kopje, stereotipe; format e punës dhe mjetet konkretizuese, që nuk janë adekuate në mësim, e k.m.r. Aspekti cilësor i ngarkesës ose mbingarkesës nënkupton se në shkollë, në punën mësimore mbizotëron: dominimi i mësimit enciklopedist; dominim i mësimit formal e meka-nik,të mësuarit përmendsh; dominim i mësimit teorik pa mbështetje praktike; dominim i metodave monologe dhe formave frontale të punës; dominim i arsimtarit si ligjërues e, jo edhe i nxënësit si pjesëmarrës aktiv në mësim…
Orari si faktor për paraqitjen e mbingarkesës
-Orari pasqyron shpërndarjen e lëndëve,aktiviteteve mësimore dhe radhitjen e orëve brenda ditës dhe brenda javës. Orari funksional me radhitje simetrike të lëndëve dhe akiviteteve mësimore,krijon harmonizim dhe ndarje të kohës së mësimit,duke pasur parasysh vështirësinë e lëndës. Mbingarkesë paraqitet nëse orari një ditë parasheh 7 orë mësimi (me lëndë që kërkojnë angazhim intelektual më të madh të nxënësit, e të nesërmen 5,6 apo 7 orë,që nuk kërkojnë gjithaq angazhim nga ana e tyre).Kur jemi te orari mësimor,do të jap një shembull të ngarkesës së orarit në shkollat tona shqipe në vend.
Pra,shifet qartazi se me sa orë mësimore brenda ditës është i angazhuar nxënësi i kl.II (26 gj.),III (28 gj.),kurse në klasët e radhës (kl.IV=31; V=32; VI dhe VII=34; VIII=36 kurse kl.IX=37 orë brenda javës, që nënkupton sa vijon:
-Nxënësi i kl.IX , 4 ditë në javë ka nga 7 orë, bile 1 ditë duhet të qëndrojë 8 orë në shkollë, edhe njëherë do ta theksoj: 8 orë brenda kushteve të mjerueshme infrastrukturore,teknike,teknologjike, ambientale,shëndetësore e k.m.r. E,ku mbeti E drejta e fëmijës për ushqim të shëndetshëm,E drejta e fëmijës për ujë e ajër të pastër? E drejta e fëmijës për lojë,për pushim aktiv,për arsim e edukim të mirëfilltë… A nuk kam të drejtë tani që edukimin dhe arsimin tonë ta quaj torturë, lodhje, maltretim e ndëshkim?
Fondi i angazhimit të nxënësit me orë mësimore gjatë javës
Mbingarkesa si faktor për paraqitjen e lodhjes tek nxënësi
I padiskutueshëm është roli i ngarkesës me përmbajtjen e punës mësimore dhe paraqitjen e lodhjes te nxënësi. Lodhja paraqitet si rezultat i angazhimit të tepërt ose mbingarkesës së nxënësit.Shenjat e lodhjes janë të ndryshme, por themelore janë: shqetësimet emocionale, shpërqëndrimi, zvoglimi i aftësisë për përcjelljen normale të mësimit, apatia, humbja e kujtesës, vonesa apo ikja nga ora,e k.m.r.
Propozim masa:
Në bazë të krejt asaj që kemi parashtruar lidhur me mbingarkesën e nxënësve, mendojmë që, me angazhim më kooperativ dhe më seriozë të të gjithë faktorëve arsimor me specialistë dhe ekspertë të dëshmuar në fushë të arsimit :
-të rishqyrtohen edhe një herë planprogramet mësimore të shkollës fillore në REPUBLIKËN E MAQEDONISË SË VERIUT;
-të përmirësohet cilësia e teksteve shkollore, madje të evitohet praktika e teksteve të përkthyera për nxënësit shqiptarë;
-të zbatohen metodologji dhe teknologji mësimore më funksionale e racionale;
-çdo punëtor arsimor të angazhohet për një mësimdhënie sa më kualitative – konform individualitetit të nxënësit , duke ndjekur trendet bashkëkohore në mënyrë kritike dhe duke u mbështetur edhe në përvojat pozitive të shkollës sonë të traditës.
Në vend të përfundimit:
Për ta sublimuar këtë shkrim apo TRAJTESË, do të zgjërohem paksa për një parantezë komplementare me përligjje fajësimi, e që mban peshën e një “akuze kolektive”:
-Ne si punonjës arsimi, si kemi lejuar dhe po vazhdojmë të lejojmë të neglizhohet praktika pozitive e shkollës sonë tradicionale (jo tradicionaliste)?!
-Si lejojmë të anashkalohet përvoja pozitive e shumë mësuesve tanë të traditës?!
-Si e dënojmë me mospërfillje mbarësinë e shkollës sonë të kalitur ndër breza?!
-Si po katandisemi në këtë derexhe duke lejuar që, shkolla (arsimi dhe edukimi i brezave) të shndërrohet në një “burg ndëshkimi” “TULLUSUM MEJTEP” për brezat që rriten në duart e papërgjegjshme të disa “burokratëve arsimorë” të shndërruar në instrumente të politikës tekanjoze?!
Kështu, në një rast, kur bën fjalë pë Krizën në Arsimin amerikan, Annah Arend, me të drejtë, do të shprehet: “Arsimi është kthyer në instrument të fortë të politikës, dhe, se, vetë aktiviteti politik, tani konceptohet si një formë e edukimit”, madje, për të vazhduar: ”Një krizë kthehet në katastrofë, kur ne i përgjigjemi asaj me gjykime të parakonceptuara, d.m.th. me paragjykime”. Them këtë kështu, sepse te Ne, po të përmendet për të mirë Shkolla e traditës, beftas, has në disa “zyrtarë arsimor” që i zgurdullojnë sytë nga kapsllëku paragjykimor, që dumaten me gjoba paushalle dhe ua mbyllin gojën “gjyhnaqarëve”…
Sido që të jetë, Ne duhet patjetër që, bashkë me inovacionet e njëmendta në arsim, të kemi në konsideratë edhe trashëgiminë pozitive si vlerë, përkatësisht Shkollën e traditës – me figurat e mpiksura, mbi të gjitha, me cilësi e kualitete, sa profesionale, po aq edhe me ndjenja atdhetare e kombëtare, që meritojnë shumë më tepër se sa një “listë” të stisur me emrat dhe mbiemrat e tyre nëpër monografi të ndryshme të pluhurosura nëpër arkiva e biblioteka.
Prandaj, në mënyrë konsistente të pretendojmë për të mbajtur gjallë këtë shkollë, të cilën, fatkeqësisht, sot, disa “pinjollë të demokracisë”, po na e zhveshin gati të tërën nga petku i saj kombëtar, dhe duke e “zhvatur” atë në dërstilat e një sistemi arsimor të ashtuquajtur: arsim “modern” apo arsim “sipas trendeve europiane”, bile-bile edhe arsim “ i integruar”, sipas modelit të dikurshëm të “vëllazërim-bashkimit” të famshëm.
Pavarësisht kësaj mospërfilljeje, Ne punonjësit (e tëbanit) të arsimit, duhet, përveç tjerash, të ushtrojmë mirë rolin dhe ndikimin tonë në “çlirimin” e arsimit, edukimit e të shkollës në përgjithësi nga shabllonet, kopjet e gatshme, stereotipet që rëndojnë, jo vetëm nxënësin, por edhe familjen dhe mbarë shoqërinë. Kështu, duhet patur kujdes që, puna e klisheve të gatshme në arsim, të mos i përngjajë asaj kajdes së “Laraskës, e cila, duke dashur të kopjojë të ecurën e thëllënzës, harron edhe të ecurën e saj”.