MEHR LICHT!

Opinione

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Janë dy emra të modernitetit poetik shqiptar që për mendimin tim kanë krijuar një vizion krejt tjetërfare, që kanë arritur të trondisin kanonet e ligjërimit poetik të ngimë me përsëritje. Njëri vjen si vullkan, si klithje që ushqehet me defektet e shoqërisë shqiptare, si subjekt lirik që tashmë ka përbrendësuar lirinë supreme, që ka kristalizuar një vetëdije poetike qê shkon përtej kanoneve të traditës, përtej habitusit poetik të toneve romantike, ndërsa tjetri vjen i përveçuar në disidencën e vetë të heshtur përmes imazheve të përndritjes melankolike.
Dhe të dy sjellin dritën e lumnueme të poetikës shqiptare, të përndritjes brenda matricave të ligjërimit poetik që tashmë njihte limitet dhe majat e papërsëritshme.

Migjeni dhe Frederik Rreshpja janë emrat e paradigmave ndryshe poetike, që vijnë në letërsinë shqipe për të kumtuar mesazhin e madh poetik, horizontin letrar europian dhe të përbotshëm dhe bashkë me këtë edhe gjerësinë e gjuhës shqipe, fuqinë poetike të saj, që në të dy rastet arrin të artikulojë thellësi marramendëse vlimesh vullkanike dhe melankolish jo të kësobotshme.
Janë dy emra që secili në mënyrën e vetë, secili në vokacionin e vetë shpërfaq disidencën ndaj realitetit të zymtë, ndaj dy zymtësisë dhe kthetrave fatale të dy epokave.
Që tê dy lëshuan dritën e ndjeshmërisë në humnerat e gjallnisë shqiptare, i prekën mjeshtërisht me shqisën e lirisë plagët shqiptare, duke shpërfaqur një botë poetike të perveçme dhe iluminuese deri në grimcat më të imëta të dekompozimit shqiptar dhe tjetërsimit gjithashtu.

” Pak dritë, pak dritë, o shok, o vëlla”, klithte Migjeni, ndërkohë që Rreshpja po i ofronte poezisë shqipe dritë e melankolisë dhe arratisë në raport me poetikën soc-realiste. Që tê dy po kultivonin poetikên e rebelimit. Njëri përmes oshëtimave mbinjerëzore dhe tjetri përmes butësisë së vargut melankolik, por jo më pak rebelues ndaj kanoneve letrare dhe shoqërore.

Dhe, po, është drita e lumnueme e shpirtit njerëzor që kërkon një rend tjetërfarë në gjallninë e qenies. Është kjo dritë e lumnueme dhe këmbëngulëse që kërkon t’i jap kuptime më të thella jetës njerëzore. Dhe, në këtë pikë po ndërmendim autorin e veprës monumentale ” Fausti”, Gëten e papërsèritshëm që në grahmat e fundit shqiptoi fjalët “Mehr Licht!”, që do të ” dritë, më shumë dritë!”. Një klithje e përhershme për iluminim të qenies njerëzore, një premisë për kohën tonë me zezona të panumërta dhe me realitete skutash të errêta mediokritetesh të pafundme që ushqehen me fatalitetet e përditshmërisë.

” Më shumë dritë” do të thotë më shumë dije, mê shumë përkishtim dhe më pak madhështi të paqena. Më shumë dritë do të thotë më shumë kreativitet dhe përgjegjësi dhe më pak partizani ideologjike, do të thotë më shumê thellim në realitetet e konplikuara dhe më pak spekulime gjithologjike. Do të thotë më shumë kulturë dhe art dhe më pak ligjërim plebej rrjetesh sociale. Do të thotë më shumë liri dhe më pak kthetra robërimesh banale!