Mësimi që populli ia dha politikës

Opinione

Nga: Valbona Mehmeti

Reagimi i shpejtë dhe mobilizimi për çdo lëvdatë i popullit për të ndihmuar të goditurit nga tërmeti fatal la në hije klasën politike në Kosovë dhe në Shqipëri. Po ashtu, ua bëri me dije Edi Ramës dhe Hashim Thaçit se as që i përfillin planet e tyre për nisma rajonale dhe idetë për shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh. Ua dëshmoi në vepër se populli vepron ndaras nga politika dhe e trason vetë rrugën e bashkimit

“Historia nuk shkruhet duke ndenjur në shtëpi dhe duke bërë patriotin me pizhame. Sot ka plot që nuk e kuptojnë, do ta kuptojnë nesër”, tha kryeministri Edi Rama, duke iu referuar refuzimit të Kosovës për pjesëmarrje në mini-Shengenin ballkanik dhe kritikave të opinionit kosovar se së bashku me homologun serb dhe atë maqedonas po tentojnë ta formojnë një mini-Jugosllavi që do ta “shkrinte” shtetësinë edhe ashtu të brishtë të Kosovës.

Pa kaluar as 24 orë nga deklarata e Ramës, Shqipëria u godit nga tërmete fatale që morën jetën e rreth 50 qytetarëve dhe lanë pas dëme të mëdha materiale. Dridhjet e tokës, që për epiqendër patën zonën bregdetare të Durrësit, rreth 270 kilometra larg Prishtinës, u ndien edhe në Kosovë. Fatmirësisht kaluan pa pasoja në njerëz dhe në objekte.

shuarja tragjike e jetëve nën gërmadhat e ndërtesave të shembura dhe mbetja pa kulm mbi kokë e bashkëkombësve dridhën fort zemrat e kosovarëve. Dhimbja dhe pikëllimi pllakosën çdo familje, ndërsa me lot në sy përcillnin çdo lajm që vinte nga gërmadhat. Pamjet e shkatërrimeve dhe skenat e nxjerrjes së viktimave, por edhe të të mbijetuarve nën pllakat e betonta, ua rikthyen traumat e para më shumë se njëzet vjetëve, kur shtëpive të tyre iu vihej flaka nga policia e ushtria serbe, ndërsa dëboheshin me dhunë dhe niseshin me trena, vetura e traktorë drejt Maqedonisë dhe Shqipërisë. Me gjithë varfërinë që mbretëronte asokohe në familjet shqiptare të Kukësit, Tiranës, Durrësit e qyteteve dhe fshatrave të tjera të Shqipërisë, ato hapën dyert e mikpritjes për kosovarët që përndiqeshin nga një regjim mizor, me arsyen e vetme se i përkisnin një kombi të ndarë padrejtësisht.

Jo vetëm për arsyen se u ofruan strehë e shpëtim në një kohë të vështirë, por Shqipëria në përgjithësi dhe Durrësi në veçanti (si një shtëpi e përhershme verore), për kosovarët kanë qenë dhe do të mbesin pika e dobët, nga e cila vështirë se do të shërohen ndonjëherë. Prandaj pak orë pas tërmetit “patriotët me pizhame” u vunë shqelmin politikave ditore të politikanëve andej e këndej kufirit dhe debateve të kota televizive për kohën dhe rrugën më të mirë të bashkimit të kombit. U ngritën mbi çdo dallim partiak a krahinor dhe dëshmuan se s’ka kufij as laura që mund të ndalojnë një popull të bashkëndiejë dhimbjen me gjysmën e vet.

Fotografitë e shesheve nga qytetet kosovare të mbushura me thasë me veshmbathje dhe me pako ushqimore vërshuan rrjetet sociale së bashku me thirrjet për t’iu bashkuar aksionit për kontribut nga të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Mediat audiovizuele dhe ato online, së bashku me rrjetet sociale, këto ditë të tragjedisë shqiptare patën rolin kryesor në sensibilizimin e njerëzve vullnetmirë. Ajo fjala popullore shqiptare “bëje të mirën dhe hidhe në det”, këto ditë mori shumë kuptim. Tani janë kosovarët që hapën zemrat dhe dyert e shtëpive për t’iu ofruar strehë bashkëkombësve fatkëqij që flinin në qiell të hapur, shkaku i shtëpive të dëmtuara dhe frikës nga përsëritja e lëkundjeve fatale sizmike. Të gjithë nguten të ofrojnë sadopak ndihmë, e më së shumti ata që kanë përjetuar jetën e refugjatit në tokë të vet. Ata e ndiejnë më shumë peshën e kthimit të borxhit.

Prezantimi në media dhe në rrjete sociale i ndihmave dhe shumave të parave shpesh duket si reklamë personale apo promovim biznesi, por jam e sigurt se shumica e kosovarëve e kanë ofruar ndihmën me sinqeritetin më të madh. Duke dhuruar për shqiptarët andej kufirit, ata përjetonin një lloj katarsisi shpirtëror se po e kthenin të mirën me të mirë dhe se po e kryenin një obligim kombëtar.

Ky tërmet na la me dhimbje për viktimat dhe humbjet e pronave të mijëra qytetarëve, por edhe na e rizgjoi solidaritetin që druanim se na e kishin shuar politikat e çoroditura dhe pa asnjë vizion të atyre që deri tani udhëhoqën me të dy shtetet e shqiptarëve. Fatkeqësia na bashkoi dhe na ndërgjegjësoi për fuqinë tonë si popull. Na e ktheu besimin se kur populli do, rrëzon barriera fizike e mendore dhe s’ka gjë që mund të dalë kundër vullnetit të tij.

Reagimi i shpejtë dhe mobilizimi për çdo lëvdatë i popullit për të ndihmuar të goditurit nga tërmeti fatal la në hije klasën politike në Kosovë dhe në Shqipëri. Po ashtu, ua bëri me dije Edi Ramës dhe Hashim Thaçit se as që i përfillin planet e tyre për nisma rajonale dhe idetë për shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh. Ua dëshmoi në vepër se populli vepron ndaras nga politika dhe e trason vetë rrugën e bashkimit. Dhe as që i duhen pizhame patriotike bile.