Mrekulli deti dhe kompleks vipash

Kolumna

Salajdin Salihi: (Mbresa udhëtimi)

Teksa “zbret” drejt vendit të Dyzet Shenjtorëve, në Sarandë, ka çaste kur ndjen sikur je përmbi re. Para syve të shfaqet një bukuri mahnitëse, që s’mund ta paraqesë asnjë ekran apo fotografi. Ku është deti, portet e faret, aty është bukuria dhe pasuria. Shqiptarët thonë: afër detit, afër mbretit.

Kur sheh bukuritë natyrore të Durrësit, Vlorës, Sarandës, Shëngjinit, e kupton dëmin e madh ekonomik që regjimi komunist ia ka shkaktuar vendit. Mbyllja hermetike i ka kushtuar vendit miliarda euro humbje. Gjithë kjo pasuri e pashfrytëzuar me dekada për shkak të paranojës.

Serbia ka bërë krime për “dalje në det”. Gjithmonë i ka ëndërruar portet shqiptare. Durrësin dhe Shkodrën i ka quajtur “qytete serbe”. Janë bërë projekte të fshehta e gjysmë të fshehta ku shpesh përsëritet fjalia: “dalja në det është mbijetesë ekonomike për Serbinë”…

Shqipëria nuk e ka shfrytëzuar pasurinë natyrore për shumë kohë. Aty ka vende mahnitëse turistike, ku sot pushon më lirë se kudo tjetër. Ka shërbime hotelerie si në çdo vend turistik. Të marrë do të gjesh si kudo, sepse nuk ka mal pa derra.

Aty pushojnë dhe ndjehen mirë shumë ballkanas. Paragjykimet mposhten nga turistët. Konradi thotë se përderisa të tjerët urrejnë, turisti shpalos fotografitë.

Mediat shqiptare (me përjashtime) shpesh i bëjnë antireklamë vendit të tyre. Para disa vitesh, në një festival letrar në Durrës, poetët kroatë prezantuan një dokumentar mbi bukuritë e bregdetit të tyre. Ne filluam ta shikonim njëri me tjetrin dhe u ndjemë me faj…

Në bregdetin shqiptar mund të pushojnë edhe rrogëtarët. Kjo s’u pëlqen “vipave” tanë (bijë dhe bija rrogëtarësh), që sot kanë para për të hedhur. Duan t’i plotësojnë vetëm ambiciet e tyre snobe. E duan bregdetin vetëm për vete. U pengojnë ata që jetojnë me një rrogë të fituar ndershmërisht. Shumë njerëz jetojnë me një rrogë, por njohin vlerat më eprore që ka krijuar gjeniu i botës. Janë sojli krahas “aristokratëve” tanë me vetëdije provinciale.

Kompleksi i inferioritetit “vipat” i ka bërë të pangopshëm dhe të pashpirt. Ata ndjejnë neveri kur i shohin fëmijët e punëtorëve që shijojnë detin falë kursimeve të prindërve. Nuk duan t’i shohin në pushime ata që ujin e bukën e marrin me vete. Mes tyre ka shumë dashuri. Nuk ka snobizëm. Paraja nuk t’i shëron komplekset e inferioritetit. Përçmimi i tjetrit nuk t’i shton vlerat që nuk i ke.

Ata që vërtet kanë lindur dhe janë rritur në luks kënaqen me bukuritë e bregdetit shqiptar. I shijojnë vendet ekzotike, të virgjëra. Një ndjenjë prej romantiku, aristokrati, prej Bajroni.

Mjerisht, shumica e mediave janë media për “vipat”. Lodhen ekranet nga agu deri në muzg me “vipat” që shkojnë nëpër studio me bebet dhe flasin për pelenat e tyre. Jemi pajisur me dije të mjaftueshme për “vipat” e ardhshëm. Gjëmojnë mediat duke reklamuar tallavaxhinjtë, që bëjnë “muzikë” me dy nota dhe me tekste idiote. Idioti kësi tekstesh mund të pëlqejë. Flasin “vipat” për kuzhinë, fitnes e shoping. Se mos deshët t’u flasin për libra?! Lexojnë vetëm menytë e restoranteve. Ka prej tyre që thonë se nuk lexojnë fare poezi. Ku ka këngë pa poezi? Grekët e lashtë, krahas lirikës e njihnin edhe melikën.

Këta që jetojnë me komplekset provinciale nuk janë as një përqind e popullatës. Ne kemi media për një përqindëshin…

Shqipëria, me gjithë problemet e shumta, me gjithë standardin e ulët, sërish është vend më i zhvilluar se sa Maqedonia e Veriut. Mediat maqedonase shpesh e përsëritin refrenin: “madje edhe Shqipëria na ka tejkaluar”, sepse Shqipërinë ende e paragjykojnë si një vend të humbur, të nëmur, terra incognita.

Këtu buçasin ekranet dhe sa nuk e shpallin si ngjarje shekulli shtrimin e një rrugice me begatona apo meremetimin e një ure katundi. Politikanët vrapojnë ta presin shiritin e gjatë, sa ka rrezik t’ia presin gishtat njëri – tjetrit.

Këtu ecim nëpër rrugët e ndërtuara gjatë “kohës së Titos”, mësojmë nëpër shkolla dhe shërohemi nëpër spitale të asaj kohe. Janë ndërtuar vetëm përmendore, që sipas Frommit janë shfaqje neurozash kolektive në një shoqëri paranojake. Ka krizë identiteti, prandaj ka ndryshime të shpeshta dhe të shpejta në kulturë.

Këtu të rinjtë e kanë humbur shpresën për ditët e mira që paskëtaj vijnë. Ky është mëkati më i madh që ka ndodhur në këtë vend.

Burimi: Portalb.mk