Për poezinë, atdheun, dashurinë dhe gjuhën

Kolumna

Salajdin Salihi

Kur Lasgush Poradeci u shfaq në skenën letrare, Eqrem Çabej shpejtoi që ta jepte kumtin se shqiptarët tani e kishin poetin që do t’ia falnin letërsisë evropiane. Pothuajse ngjashëm mendonte edhe Mitrush Kuteli, por jo edhe Kris Maloki.

Lasgushi, ndërkaq, besonte se vepra letrare bënte jetë autonome nga poeti, i cili nuk duhej të fliste as kur shkruhej kundër tij.

“Poeti s’përgjigjet. Poeti bën veprën, vepra le të përgjigjet. Po të mos flasë ajo, poeti s’ka çka thotë”.

Lasgushi i ka zbuluar pikëpamjet e tij për letërsinë, dashurinë, atdheun, gjuhën e për shumëçka tjetër nëpërmjet Petraq Kolevicës, gjegjësisht librit “Lasgushi më ka thënë” (Toena, 1999).

Poeti, sipas Lasgushit, së pari shkruante poezi që ta kënaqte veten dhe pastaj merrte pjesë “në gëzimin e të tjerëve”, në gëzimin e lexuesve të sotëm dhe atyre që nuk kishin ardhur. Qëllimi i artit ishte gëzimi estetik, që përjetohej vetëm nga shpirtrat e lartë. Arti nuk ishte për secilin, siç pretendonte kritika dogmatike dhe adhuruesit e verbër të revolucioneve kulturore.

Poetit krahas talentit i duhet edhe kultura e madhe. Ka poetë gjenialë që kanë bërë skandale, por nuk ka të tillë pa kulturë të madhe. “Shtërgu i fundit”, krahas talentit, e kishte edhe kulturën e madhe.

“Po nuk studiove shumë, nuk bëhesh dot poet. Dhe poet të bëhesh o i madh, o hiç, se po s’qe i madh, je hiç në art. Arti, siç kemi thënë, ka vetëm një gradë, gradë të parë” , thotë ai.

Poeti në botëshikimin e Lasgushit është si albatrosi i Bodlerit. Ai është poet vetëm kur ngjitet në qiellin e frymëzimit; derisa një perëndi e veçantë i afrohet pranë.

“Kur kjo perëndi largohet, ata bëhen prapë njerëz si ne, si unë, si ti, si ai tjetri: hanë, pinë, dehen dhe grinden, siç grindemi ne të dy”.

Gabriel Garsia Markes ka thënë se ishte shkrimtar vetëm atëherë kur shkruante, kurse pastaj ishte si gjithë idiotët tjerë.

Lasgushi e çmonte formën, por nuk e çmonte poezinë që kishte vetëm formë e asgjë tjetër. Parnasianët, sipas tij, kishin poezi të përsosur nga forma, por vetëm kaq.

“Formë vetëm formë. Një nga këta ishte Syli Prydom (Sylly Prudhomme). Ai ishte i pari që mori çmimin Nobel. Po sot ku është? Kush pyet për poezinë e tij që është vetëm formë?”

Poezia për të ishte “divine (hyjnore)”, poeti ishte “shpirti i shenjtëruar” dhe kursimtar i madh i fjalëve, ndërkaq krijimi i poezisë ishte “metafizikë e tërë e pashpjegueshme” dhe “quint esenca e prodhimit më të lartë intelektual të njeriut”.

“Doktorata mund të marrin të tërë, se ajo kërkon vetëm punë sistematike dhe ai që e do, e bën. Por poezinë s’e bën dot kushdo”.

Një poet mund të ishte i madh vetëm nëse, ashtu sikurse Homeri, “e përshkruan njeriun, të përbrendshmen e tij e cila është eternale”. Por poetin nuk e bënte shkolla. “Po se si duhet bërë poezia e gjen vetë poeti, po të jetë poet”.

Poezia për Lasgushin ishte edhe libër formimi, sepse, sipas tij, ajo e formonte shpirtin e kombit. Shqipëria, thotë ai, kishte lindur së pari në mendjen e poetëve, pastaj në shpirtin dhe mendjen e popullit, “e kur e patën në mendjen dhe shpirtin e tyre, u ngritën shqiptarët për ta bërë realitet”.

Për Lasgushin kategoria e së bukurës në art ishte më e përsosur se sa e bukura në natyrë.

“Natyra nuk është e përsosur. Ka në natyrë ndonjë peizazh të përsosur? Jo! Piktori, artisti i madh e bën peizazhin më të përsosur se sa natyra”.

Ai huazoi nga gurra popullore, por mendonte se asnjë poezi popullore, e çdo populli qoftë, nuk ishte e përsosur. Megjithatë, asnjë poet, sipas tij, s’mund të krijonte nëse nuk e kishte studiuar së paku poezinë popullore të vendit të vet.

Lasgushi i këndoi dashurisë. I këndoi bukurisë shpirtërore dhe trupore të gruas.

“Unë besoj në dashurinë. Më shumë më ka tronditur në jetë dashuria, më shumë më ka gëzuar dashuria”.

Për të është thënë se ishte më shumë qiellor se sa tokësor, por Lasgushi ka thënë se nuk ngopej nga asnjë dashuri qiellore, jashtëtokësore. Poeti, sipas tij, vërtet duhej që të lëvizte nëpër hapësirat e pafundme dhe me shpejtësi të llahtarshme, por sërish duhej të zbriste në tokë.

Lasgushi nuk i përjashtonte ndikimet në letërsi. Madje, i sheh si të domosdoshme për një poet. Ai ishte kundër “mitit të origjinalitetit”.

“Do të marr një shprehje të Dantonit, se s’kam frikë se mos më thonë plagjiat. “Poeti s’pyet se ç’merr dhe se nga e merr. Shikon ç’bën. Bën vepër arti”, atëherë mirë! Ajo që bëri u bë e tija. Ashti si ti arkitekt, a pyet nga i merr tullat, llaçin dhe betonin? Jo. Ti shikon se çdo të bësh me ato tulla, laç dhe beton. Shikon të bësh një pallat të bukur. Tullat, llaçi dhe betoni vdesin brenda. Ashtu vdesin dhe temat, fjalët, shprehjet dhe idetë e marra nga poeti, kur ai arrin të bëjë një vepër arti. Ato bëhen të tijat, mbajnë damkën e tij. Mos janë anglezët personazhet e Shekspirit? Jo. Janë danezë, italianë, arabë. Po mos e ka penguar gjë kjo që të jetë dramaturgu më i madh anglez?”

Poeti, që vështirë përkthehet, thoshte se përkthimi e bënte kulturën, se përkthyesi duhej që të kishte kulturë të madhe, ta dinte mirë gjuhën shqipe, sidomos kur përkthente poezi.

“Edhe gjuhën e huaj duhet ta dish mirë, por duhet të dish gjuhën tënde njëherë. Se s’mund ta japësh atë bukuri të gjuhës së huaj në gjuhën tënde, kur nuk zotëron mirë gjuhën tënde… Kur zotëron gjuhën tënde edhe poezia e përkthyer del e madhërishme”.

Njohja e gjuhës për të ishte njohje e shpirtit dhe kulturës së një populli. Çdo gjuhë sipas tij kishte mundësi përkthimi, kurse shqipja kishte mundësi të pakufishme për krijim dhe përkthim. Lasgushi këtë e dëshmoi me poezitë dhe përkthimet e tij.