Sijarto: Nuk duhet pritur gjashtë vjet për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor

Bota

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto deklaroi se është e papranueshme që Komisioni Evropian nuk dëshiron një valë të re të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2025.

Sipas Agjencisë hungareze të lajmeve (MTI), Szijjarto kritikoi politikën e Komisionit Evropian në lidhje me anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ai vuri në dukje se anëtarësimi i vendeve të rajonit në BE do të ishte në interes të Evropës në aspektin e ekonomisë dhe sigurisë.

Szijjarto theksoi nevojën për të patur parasysh faktin se ka tensione serioze në Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se vendet e këtij rajoni me integrimin në BE mund të kontrollojnë situatën.

“Nuk ka nevojë të presim 6 vite. Sipas mendimit tonë, Serbia dhe Mali i Zi mund të jenë anëtarë të BE-së shumë më shpejtë. Do të ishte në interes të Hungarisë dhe të gjithë BE-së në aspektin e ekonomisë, por kryesisht në aspektin e sigurisë”, tha Szijjarto.