Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Tetovës – kanë qenë dhe do të mbeten qendrat kryesore të edukimit, arsimimit dhe kërkimit shkencor. Secili universitet në qendrën ku vepron, e ka përmbushur me sukses detyrën ndaj qytetarëve – shtetasve të tij, ndërkaq së bashku (UT, UP, UT), me dekada të tëra i shërbejnë kauzës së kombit shqiptar.
Universitetet publike shqiptare me profesorët e tyre dhe pjesën më vitale – studentët, kanë kontribuar fuqishëm në zhvillimin, përparimin dhe ndryshimet kolosale që janë bërë në trojet etnike shqiptare. Universitetet e lartpërmendura, përpos misionit të edukimit, arsimimit dhe kërkimit shkencor, kanë meritat dhe kontributin e tyre të pamohueshëm në të gjitha proceset përparimtare, strategjinë dhe zhvillimet e suksesshme gjithëkombëtare.
Universiteti i Tetovës që në fillimet e para e ka bashkërenduar agjendën institucionale me Universitetin e Tiranës dhe Universitetin e Prishtinës, prandaj sukseset në Universitetin tonë nuk kanë munguar, prandaj përkrahja, mbështetja, besimi ndaj kësaj vatre të dritës dhe diturisë nuk është zbehur asnjëherë, prandaj të rinjtë tanë studiojnë në këtë institucion të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, prandaj me të drejtë qytetarët shqiptarë tek UT – shohin qendrën, bazën e përparimit arsimor, shkencor dhe kulturor.
Aktualisht (26 – 30 gusht 2019), në Universitetin tonë zhvillohet afati i parë i regjistrimit të studentëve të rinj në vitin akademik 2019/2020. Ky proces zhvillohet sipas pritshmërive dhe në përputhje me vizionin dhe misionin historik që ka UT –ja.
Sepse, në trembëdhjetë njësitë akademike – fakultetet, siç janë: Fakulteti i Administrimit të Biznesit; Fakulteti i Arteve; Fakulteti i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë; Fakulteti Ekonomik;
Fakulteti Filologjik; Fakulteti Filozofik; Fakulteti Juridik; Fakulteti i Kulturës Fizike; Fakulteti Pedagogjik; Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore; Fakulteti i Shkencave Mjekësore; Fakulteti i Shkencave të Zbatuara; Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, përmes sistemit të avancuar online: (www.unite.edu.mk:https://sites.google.com/unite.edu.mk/regjistrimet/home), aplikojnë të rinjtë shqiptarë nga të gjitha qytetet e vendit tonë, Shqipëria, Kosova, Kosova Lindore dhe vëllezërit tanë nga diaspora.
Në rastin e UT-së, vërtetohet aksioma e njohur se, “kufijtë e universitetit i kalojnë kufijtë e shtetit”.
Duke ju shprehur respektin dhe mirënjohjen ish-maturantëve që kanë zgjedhur Universitetit tonë të studiojnë dhe përgatiten profesionalisht, njëherazi i përgëzojmë se me regjistrimin në UT, ata do të realizojnë dy detyra: do të ndërtojnë karrierën e tyre dhe do edukohen, formohen sipas udhëzimeve të rilindësve tanë.