Vendi i Skënderbeut në historinë e Shqipërisë

Art dhe Kulturë

Prof. Abas Ermenji
Ka disa emra njerëzish të mëdhenj që shoqërohen përgjithmonë me idenë e kombit ose të shtetit të tyre. Nuk mund të mendojmë, për shembull, Maqedoninë e dikurshme pa na u kujtuar njëherësh edhe Aleksandri i Madh, as Romën e vjetër, pa Jul Qesarin, as Shqipërinë tonë, pa Skënderben.

Për të kuptuar shkakun e këtij shoqërimi idesh, duhet të dimë më parë se ç’është kombi, ose shteti. Që të dy janë një bashkësi kulturo-gjuhësore, sidomos kombi, dhe politiko-ekonomike, sidomos shteti, ku individët qëndrojnë të lidhur me ndjenja e me interesa si në një familje të madhe.

Sa m’i fuqishëm të jetë shteti, sa m’i lartë të jetë kombi nga kultura dhe traditat historike, aq m’e fortë është edhe ndjenja që i lidh individët me të. Kështu që, komb, shtet a çfarëdo grupi qoftë, bëhen si një qenie ideale; dhe emri i atij njeriu që, në një periudhë të historisë a në disa rrethana të veçanta, i ka dhënë kësaj qenieje çfaqjen më të lartë, mbetet i lidhur me të në kujtimin e popujvet.

Kur flasim për Shqipërinë, e mendojmë si një njësi të bashkuar, sipas ndjenjavet kombëtare të sotshme, dhe na pëlqen t’a përfytyrojmë në formën më të mirë, në çfaqjen më të lartë të saj.

Por, që nga Mesjeta e tëhu (domethënë qëkur Shqipëria quhet Shqipëri), n’asnjë çast tjetër historik nuk ka treguar kombi ynë aq forcë të bashkuar drejt një qëllimi të vetëm – dhe që hyri si faktor në historinë e përgjithshme t’Evropës – sa në kohën e Skënderbeut.

Studionjësit e psikologjisë dhe të sociologjisë e dinë se sa e fortë është ndjenja e grupit tek njeriu, në fundet e errëta të pavetëdijës.

Njeriu është një qenie e gjallë që ka nevojë shpirtërore t’a ndiejë vehten pjesëtar i një grupi, domethënë i lidhur brendësisht me të tjerë njerëz që ndiejnë e mendojnë pak a shumë si ai, që kanë të njejtën gjuhë, të njejtën kulturë, të njëjtat zakone, të njëjtat interesa.

Ndarja e njerëzve në grupe të ndryshëm – fis e krahinë, fe e kulturë, komb e shtet, parti e klasë etj. – e ka bazën në këtë ndjenjë instinktive, dhe jo vetëm në nevojën ekonomike siç mendojnë marksistët. Në kohët tona, megjithëse ndërhyrja e shumë faktorëve kulturorë, teknologjikë dhe ekonomikë i ka dhënë të tjera drejtime ndarjes ose bashkimit të njerëzve në grupe, ndjenja kombëtare mbetet akoma si një nga më të fortat.

Për ne Shqiptarët, figura e Skënderbeut zmadhohet ose zvogëlohet sipas vleftës që i japim kombit dhe ndjenjës kombëtare. Ka qënë një kohë – dhe mjaft e gjatë – kur emri i Skënderbeut ishte harruar pothuajse fare në Shqipërinë e sotshme.

Shkaku ishte se njerëzit u grupuan rreth ndjenjës fetare ose krahinore – e njihnin vehten të Krishterë ose Myslimanë, Gegë ose Toskë, Dukagjinas a Kurveleshas – dhe jo bij të një kombi në kuptimin e sotshëm të fjalës. Gjatë asaj kohe, kujtimi i Skënderbeut jetonte tek Shqiptarët e Italisë, pikërisht sepse ata kishin mbetur me gjuhën, me ritin fetar dhe traditat e tyre si një grup kombëtar më vehte, i veçuar nga popullsia italiane që i rrethonte.

Kur ideja kombëtare rilindi për ne Shqiptarët në shekullin XIX, dolli menjëherë edhe figura e Skënderbeut si ati i kombit, si shprehja m’e lartë e sedrës kombëtare dhe e vleftës sonë trimërore.

Të Krishterë e Myslimanë, Gegë e Toskë e njohën si hero kombëtar. Më në fund u shtrënguan t’a njohin edhe komunistët, megjithëse në fillim këta u treguan kundër çdo vlefte kombëtare, me qëllim që t’a gruponin popullin – e sidomos brezin e ri – rreth ndjenjës së proletariatit botëror. Mirëpo eksperienca ua provoi se këta vetë paskëshin qënë më të ngushtët nga mendja në tërë kampin e komunizmit ndërkombëtar.

E panë se komunizmi titoist nuk ishte veçse një jugosllavizmë dhe desh t’i gëlltitte si i tillë. Provuan gjithashtu se edhe komunizmi rus nuk ishte veçse rusizmë dhe desh t’iu rripte lëkurën për interesat e veta. Nëqoftëse nuk janë prapa botës, duhet t’a kuptojnë se edhe konflikti kino-rus ka një shkak kombëtar ose gjeopolitik, dhe jo ideologjik siç duan t’a trumbetojnë ata.

Përpara realitetit të sotshëm që po e shohin edhe të verbëtit, ideologjia marksiste-leniniste, si dogmë, e ka humbur përmbajtjen e saj. Agjentët e regjimit të Tiranës, kur flasin tani me ndonjë Shqiptar të jashtëm, i thonë në mirëbesim: “kërkon të na përpijë sllavizmi.” Sikur t’ua thoshte tjetërkush këtë fjalë, njëzet ose dhjetë vjet më parë, e dënonin me plumb.

Të vënë në këtë gjendje dhe të veçuar nga bota (mbasi Kina është tepër larg), komunistët janë kthyer në demagogjinë kombëtare. Prandaj figura e Skënderbeut, edhe për ata, duhet të zërë vendin qendror të historisë së Shqipërisë. Për t’u treguar më t’afërt me ndjenjën kombëtare të masavet, e kanë shpallur vit jubilar pesëqindvjetorin e vdekjes së Skënderbeut.

Përse gjithë ky çmim për Skënderben? Sikur t’a shikonim punën nga ana praktike, nga ana e mirëqenies (siç do të thoshnim sot), ai nuk iu solli ndonjë të mirë Shqiptarëvet të kohës së tij: burrat më të fortë u vranë, një pjesë e madhe e popullsisë u shua, një pjesë tjetër po aq e madhe u mërgua në dhe të huaj, qytetet u rrafshuan, fusha e fshatra u zbrazën, i tërë vendi u shkretua me zjarr e me hekur.

A do të kishte mundur Skënderbeu të bënte një tjetër politikë me Turkun, politikë vasali, dhe njëkohësisht të siguronte mbajtjen e kombit shqiptar si një grup ethnik të bashkuar? Ashtu siç deshën të bënin mbretërit e Serbisë, pasi u mundën, dhe siç bënë Grekët e Fanarit pas rënies së Kostandinopojës?

Nuk na besohet kjo hipotezë. Sepse Shqiptarët nuk kishin një kulturë siç ishte helenizmi nëpër të cilin u mbajt kombësia greke, as bashkim kombëtar rreth një dinastie mbretërore siç e kishin Serbët. Këtë bashkim u mundua t’a bënte Skënderbeu nëpërmjet të luftës kundër Turkut.

Gjer atëhere Shqipëria kishte qënë e copëtuar në një feudalizmë pa krye. As Thopiajt as Balshajt, që patën qënë shtëpitë princore më të mëdha, nuk kishin mundur t’a bashkonin të gjithë vendin. Përpara Skënderbeut si edhe në kohën e këtij, çdo feudal shqiptar, i madh a i vogël, e mbante vehten si zot në krahinën e tij dhe bënte politikën që i pëlqente, me Turkun, me Venetikun a me cilindo tjetër. Skënderbeu qëndroi në krye të tyre vetëm me anën e luftës: ndryshe s’mund t’ishte mbajtur.

Grekët dhe Serbët kishin arritur me kohë n’ato dy njësime (unitete) pa të cilat s’ka shtet as komb që të qëndrojë i bashkuar: njësim kulturor dhe njësim politik. Kombësia greke kishte si bosht qendror kulturën helenike me Kishën Orthodokse dhe me kurorën mijëvjeçare të Bizantit. Kombësia serbe kishte edhe ajo Kishën e saj me liturgjinë sllavone dhe me një kurorë mbretërore prej tre shekujsh.

Pra popujt e këtyre dy kombeve, edhe pasi e humbën pavarësinë politike, mbetën të lidhur me shpirt e me ndjenjë rreth boshtit fetaro-kulturor dhe traditës historike të tyre. Rreth këtij boshti e mbajtën bashkimin si kombe.

Kurse Shqiptarët nuk kishin as njësim politik as njësim kulturor, nëqoftëse me fjalën kulturë nuk kuptojmë vetëm gjuhën e folur dhe zakonet. Politikisht ishin të thërrmuar në krahina e principata, pa një dinasti qendrore. Një farë mbretërie shqiptare që pat krijuar mbreti i Napolit, Charles d’Anjou, më 1272, pat qënë e përkohshme dhe pa rrënjë të brendëshme. Nga ana fetaro-kulturore, Shqiptarët nuk kishin jo vetëm Kishë e liturgji në gjuhën e tyre por, me sa dimë, as letërsi të shkruar. Një popull që varet shpirtërisht nga qendra kulturore të jashtëme nuk mund të formojë kurrë njësim kombëtar në kuptimin e vërtetë të fjalës. Sikurse nuk mund të formojë njësim shtetëror ai popull që varet nga qendra politike të huaja. Kjo e shpjegon deri diku se përse një pjesë e madhe e Shqiptarëve u kthyen në myslimanë.

Duke mos pasur pra as bosht politik as bosht fetaro-kulturor të tyren, Shqiptarët s’kishin sesi të mbahëshin si njësi e bashkuar nëpërmjet kompromisesh me Portën e Lartë, siç bënë Serbët dhe Grekët. Bashkimin politik të Shqiptarëvet në një shtet të përqendruar u mundua t’a bënte Skënderbeu me grushtin e tij të fortë. Dhe e dimë se sa e vështirë qe kjo punë dhe se sa kokëçarje i solli.

Tani vjen një pyetje tjetër: mbasi lufta e Skënderbeut nuk i siguroi dot Shqipërisë një t’ardhme të pavarur, ose njësimin si komb, ç’vleftë kanë për ne trimëritë e tij përpara gjithë atyre humbjeve në njerëz e në mjete, përpara atij shkretimi që i solli vendit?

Përgjigjia e kësaj pyetjeje është pak si e vështirë. E para, sepse varet nga shkalla e vleftavet morale që njerëzia ka pranuar gjer më sot si kriter gjykimi. E dyta, sepse nuk dimë se ç’përfundim do të kishte pasur kombi shqiptar sikur të mos kish ndodhur qëndresa e Skënderbeut.

E treta, sepse ne e mendojmë atë luftë pasi është bërë. Por kur ishte duke u bërë, kishte të tjera mendime, të tjera ndjenja, të tjera shpresa, sipas të cilavet vepronin Skënderbeu dhe Shqiptarët e asaj kohe. Mendohej e shpresohej, për shembull, në një kryqëzatë të përgjithshme evropiane kundër Turkut, në shpartallimin e Perandorisë Osmane prej grindjesh të brendëshme etj. Sidoqoftë, pa qënë nevoja t’a shikojmë këtë çështje nga disa anë që i përkasin filozofisë ose të kërkojmë shkaqet subjektive që e shtynë Skënderben n’atë luftë, do të mundohemi të japim një gjykim vetëm nga ana objektive e historisë së Shqipërisë nëse figura e Skënderbeut e meriton atë vend që i kanë dhënë gjer më sot Shqiptarët.

Thamë më sipër se Shqipëria nuk kishte arritur në njësimin kombëtar gjer në shekullin XV. Çdo princ a kryezot bënte politikën që i pëlqente, qoftë me Turkun, qoftë me të tjerë shtete fqinjë. Sikur të mos kishte dalë Skënderbeu, disa kryengritje do të kishin ngjarë prapë dhe do t’ishin shtypur, ashtu siç qenë shtypur ato të Gjon Kastriotit, të Gjergj Aranitit dhe të kapedanëve të tjerë. Vendi do të kishte rënë prapë, siç ra, nën Turkun. Nuk do t’ishin vrarë ndoshta aq burra, nuk do t’ishte shuar ndoshta aq popull, nuk do t’ishin bërë ndoshta aq shpërngulje, por nga ana tjetër nuk dimë sesi do të kishte përfunduar kombësia shqiptare.

Skënderbeu i dha jo vetëm një frymë heroike, po edhe një karakter kombëtar qëndresës shqiptare kundër Turkut. Dhe tronditja qe aq e madhe, sa që kujtimi i luftës së tij vazhdoi për disa kohë si një jehonë trimërore në malet e Shqipërisë dhe jetoi si një epope legjendare tek Arbëreshët e Italisë. Kur ideja kombëtare rilindi në shekullin XIX, u kuptua se Skënderbeu i kishte dhënë një bazë historike Shqipërisë, i kishte dhënë nyjen e kreut ku mund të lidhej filli i saj për në kohët moderne. Ndryshe – edhe sikur t’a zëmë se do të kishte pasur një ndjenjë shqiptare – historia e Shqipërisë do të paraqitej si një legjendë e çthurur, pa lidhje e pa krye, si një përrallë e venitur në mjegullirën e shekujve. Deri Evropa, me gjithë shtrembërimet e armiqve, nuk mundi t’ia mohojë historinë e tij kombit shqiptar, mbasi qëndresa e Skënderbeut kishte hyrë në historinë e përbotshme.

Që Shqiptarët, pa përjashtim, t’a kenë njohur Skënderben për hero kombëtar, duket se ka disa arësye të thella kombëtare dhe historike. Këto arësye do të mundohemi t’i vëmë në dukje gjatë këtij studimi.

Kur flasim për komb

Kur flasim për komb, kuptojmë një grup njerëzor që lidhet me gjuhë, me kulturë e zakone të përbashkëta, po edhe që lëviz si një tërësi e organizuar n’anën politike e ushtarake dhe në jetën ekonomike e shoqërore. Ka pasur shumë kombe me gjuhë e zakone, por që janë zhdukur nga skena e historisë sepse nuk patën mundur të formojnë një tërësi t’organizuar politiko-ushtarake. Organizimi i tyre pat mbetur primitiv në radhën e një grumbulli fisesh. Po marrim si shembull vetëm popujt e vjetër t’Evropës, Ilirët, Maqedonët, Thrakët, Dakët, Etruskët, Keltët etj., të cilët ishin kombe me gjuhë e zakone por që u shkrinë në Perandorinë Romake, mbasi vetëm Roma qe e zonja të formonte një strukturë shtetërore në shkallën më të lartë. Në Ballkan, përveç ne pak Shqiptarëve, mbetur nga Ilirët, u mbajt kombësia greke nëpërmjet të kulturës helenike, e cila ishte eprore mbi latinen. Gjermanikët dhe Sllavët, që erdhën më pastaj, duket se kishin më tepër instinkt organizimi, e prandaj i asimiluan ato popullsi të vjetra, të gjysëm-romanizuara.

Kur themi që një komb është m’i lartë nga tjetri, në radhë të parë kuptojmë kulturën por edhe forcën, të cilat në më të shumtën e rasteve shkojnë bashkë. Dhe forca s’është tjetër veçse organizimi, bashkërenditja e fuqive të veçanta nën një drejtim të përgjithshëm. Numri s’ka vleftë kur nuk është i organizuar. Anglia, për shembull, me disa dhjetra milionë frymë, sundonte një perandori koloniale ku vetëm Hindi kishte katërqind e ca milionë njerëz. Dhe Holanda e vogël pat deri dje një perandori fort të madhe në Lindjen e Largët.

Nuk është vendi t’analizojmë këtu se përse disa kombe organizohen dhe arrijnë në një strukturë shoqërore të lartë, siç arriti Roma e vjetër, kurse të tjerë nuk dalin dot përtej kuptimit të fisit, të qytetit a të krahinës. Si faktorë hyjnë sigurisht gjeografia, kultura, rrethanat historike, e të gjitha këto ndërvaren dhe ndikojnë njëra-tjetrën. Duam vetëm të nënvizojmë se Roma i shtroi popujt e tjerë rreth e qark jo sepse këta ishin më pak trima, por sepse s’patën arritur dot n’atë shkallë organizimi sa t’i bënin ballë maqinës shtetërore romake dhe ushtërisë së disiplinuar të saj.

Ne flasim për Mbretëri t’Ilirëvet siç mund të kishte një mbretëri të Galëvet e të tjera mbretëri t’atij lloji. Por këta popuj kishin mbetur të thërrmuar në një numër fisesh me ca lidhje të flashkëta midis tyre, ku shteti ishte si një farë konfederate e çlirët dhe mbreti si një kryebajraktar, të cilin e dëgjonin vetëm kur kishin interes ose kur ishte mjaft i fortë sa t’iu imponohej kryetarëve të fiseve. Ushtëria e këtyre popujve ishte një grumbull i mbledhur në kohë nevoje, i rreshtuar togje-togje sipas fisevet, i paaftë për të zbatuar një plan të përbashkët dhe më i paaftë akoma për një qëndresë të gjatë, të shumanshme. Një fitim i vogël ia dehte mendjen, një humbje e parëndësishme përhapte panik. Kishte aq kumandarë sa ç’kishte edhe kryetarë fisesh. Në vështirësitë më të para, fillonin pëshpëritjet, mendimet e kundërta, hedhja e fajit njëri tjetrit, intrigat, shmangiet, përçarjet, të cilat armiku i shfrytëzonte më së miri ose edhe i mbillte vetë sipas qejfit.

Kundrejt këtij grumbulli të paformë, paraqitej shteti romak i përqendruar, me një administratë të rregullt, me një politikë të përcaktuar, që zbatohej nga një qendër e vetme, me grusht të hekurt. Paraqitej ushtëria romake, një nga më të disiplinuarat në botë, e drejtuar nga një mendje, e kumanduar nga një vullnet i vetëm, dhe që mbahej si një mur ose lëvizte si një maqinë shtypëse, ku çdo kohortë kishte vendin e saj dhe do të zbatonte urdhërin që i jepej, ku çdo legjionar kish numrin e matrikullit dhe për mosbindjen më të vogël mund t’i priste liktori kokën. Kundrejt një ushtërie të këtillë, grumbulli i Ilirëvet, i Galëvet a i cilitdo popull tjetër paraqitej si një vandak shkarpash kundër një shtylle të hekurt.

Nëse shteti i Maqedonisë u tregua ndryshe për disa kohë, kjo iu detyrua, përveç gjeografisë së vendit, organizimit të ri ushtarak që bëri Filipi II dhe që e përforcoi Aleksandri. Maqedonia shtrihej mbi tri fusha të gjera, përshkuar prej luginash dhe rrethuar prej malesh gjithë pyje. M’e madhja, e cila quhej Emathia, përbënte pjesën qendrore të Maqedonisë, ndërmjet lumenjvet Vardar dhe Vistrica. Pastaj, nga juga, zgjatej Pieria deri n’Olimp dhe, nga lindja, Migdonia, gjer në lumin Struma. Filipi II, pasi shtiri në dorë minierat e arit të malit Pangje e të krejt Peonisë, në Thrakë, organizoi një ushtëri të fuqishme duke krijuar falangën, si peshën më të rëndë të këmbësorisë, dhe duke disiplinuar kalorësinë e trupat e tjera ndihmëse. Falangat e famshme dhe kalorësia maqedonase i dhanë fitoret e shkëlqyera Aleksandrit, sikurse legjionet që ia dhanë Romës. Por Maqedonia nuk vazhdoi të zhvillohej si shtet, sepse Aleksandri e shpërnguli prej aty boshtin e fuqisë dhe e vendosi në Persi, të cilën e bëri qendër të Perandorisë së tij të përbotshme. Mbretërit e Maqedonisë që erdhën pas Aleksandrit, qenë të paaftë dhe me pamje të ngushta tirani. Megjithatë, kur Roma vendosi t’i binte Maqedonisë, të cilën e druante më tepër se çdo shtet tjetër në Lindje, ia ngarkoi kumandën e kësaj shpedite gjeneralit më të zot të saj, konsullit Pavl Emil. Ky, që ishte në moshë të thyer dhe i regjur në lufta, tregonte pastaj se nuk kishte ndjerë kurrë në jetën e tij një frikë aq të madhe sa n’atë gjysmën e orës së parë kur u sulmua, në Pidna, prej falangavet maqedonase. Mirëpo Perseu, mbreti i fundmë i Maqedonisë, thuhet se iku i trembur dhe e la ushtërinë pa kumandë. Këtë e tërhoqën atëhere manevrat e Pavl Emilit në një vend që s’ishte i përshtatshëm për kompaktësinë e falangavet, të cilat u çanë sipas formës së tokës që vinte kodra e përrenj. Gjenerali romak e kishte menduar këtë plan më përpara dhe iu dha urdhër legjionevet të hynin nëpër të çarat e midis falangavet për t’i sulmuar këto nga brinjët. Me këtë mënyrë i copëtoi falangat duke shtrirë njëzet mijë Maqedonas të vrarë në fushën e betejës. Pas kësaj disfate, Perseu u dorëzua duke qarë e duke u lutur si një frikacak i dobët.

Mandej Pavl Emili, me një urdhër të Senatit, i ra befas Epirit për t’i kapur burrat si gjahun në shtrofull, prishi gjer në themel 70 qytete dhe zuri robër 150.000 njerëz, të cilët u shitën si skllevër, për të larë fymjen që Pirroja i pat bërë Romës. Ndërsa mbreti i fundmë i Ilirisë, Genci, thyhej dhe binte rob në duart e Romakëve përpara murevet të Shkodrës.

Kështu tre shtetet stërgjyshore të Shqiptarëvet, Iliri, Epir dhe Maqedoni, u ndodhën bashkë n’orën e fundit kur i përfshiu njëherësh furtuna e Romës, në vitin 168 para Krishtit. Mosorganizimi dhe grindjet e brendëshme i kishin dënuar të pësonin atë fat.

S’është vendi këtu të zgjatemi mbi kryengritjet e pastajme t’Ilirëvet, sidomos mbi atë të vitevet 6-9 pas Krishtit, e cila vazhdoi tre vjet, e udhëhequr nga Batua i famshëm, dhe e tronditi keq Perandorinë e Augustit. Por të gjitha këto u shtypën me gjakderdhjet më të mëdha, shumë qytete të lulëzuara t’Ilirisë u bënë rrafsh për tokë dhe sa e sa skllevër ilirianë mbushën tregjet e Italisë! Për të shtypur këto kryengritje, Roma, përveç forcës, pat përdorur gjithmonë përçarjen.

Kur Iliria pastaj hyri në maqinën e shtetit romak, burrat e saj jo vetëm që iu bënë mburojë Perandorisë në Rhen, në Danub e gjer në Kaukaz, por i dhanë gjeneralë dhe perandorë nga më të zotët si Romës dhe Bizantit.