Sipas disa politikanëve duket se tashmë është koha kur duhet me qëllim të nxiten urrejtje ndëretnike, me çka më pas të zhvillohet ping – pongu i akuzave dhe kundër akuzave deri në fushatën parazgjedhore. Nuk do të mungojnë as premtimet e bollshme dhe të shumta.
Disa qëllimkëqinjë politik e ndezin zjarrin e problemeve për të përfituar poena politike, e ca të tjerë shfrytëzojnë hapësirën e krijuar që të promovohen në opinin gjoja si qetësues të situatës. Në fund madje na paraqiten edhe si kontrollues të fateve tona duke marrë “vendime të mëdha patriotike”.
E kam fjalën për ngjarjet e fundit në shkollën e Lisiçes në Shkup, ku më ngjan se nacionalistët maqedonas duan ta ndihmojnë DUI-n për nevoja politike?! Por, sigurisht se nuk do t’ia arrijnë, sepse që moti shqiptarët i kanë tejkaluar këto skema politike boshe.
A thua vallë episodet e kësaj shkolle ku luhet me lojën e rrezikshme “krijo tensione ndëretnike” për t’u dukur më pas shpëtimtarë e kontrollues i situatës, bëhet me qëllim që të aktualizohet Ministri i Arsimit nga DUI nëpër debate televizive?! Ata bëjnë veprime të këtilla ngase e kanë humbur rrugën në oborr, ndërsa e mira është se kemi “AlternAtivA”, ka shkruar Sekretari Organizativ nga Alternativa, Bekim Sali.