Prof. Dr. Enver Bytyçi
Kosova është në fushatë elektorale. Opozita e ka ndërtuar këtë fushatë në narrativën e sulmeve kundër Kurtit për ta akuzuar atë si një politikan dhe kryeministër kundër UÇK-së. Sepse zoti Kurti tha se nuk bën me qenë “Edhe çlirimtar, edhe zullumqar”! Në fakt Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka të bëjë aspak me zullumin. Luftëtarët e lirisë ishin vetëm çlirimtarë! Po kush ishte zullumqarët? Këtë enigmë e sqaron një raport i Prokurisë Speciale, në të cilën thuhet se SHIKU dhe policia sekrete e kohës së luftës dhe nën drejtimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës me Hashim Thaçin kryeministër, ishin zullumqarët. Le të kthehemi në atë kohë. Qeveria e përkohshme e Kosovës e Hashim Thaçit u krijua pasiqë ky i fundit kontestoi qeverinë Bukoshi dhe lidershipin e Ibrahim Rugovës. Ani se sot Vjosa Osmani përpiqet t’i bashkojë ata në një, edhe zullumqarët e asaj kohe, edhe Ibrahim Rugovën!
Qeveria e Përkohshme e Kosovës me kryeministër Thaçin u krijua me porosi të qeverisë dhe presidentit të kohës të Shqipërisë, në modelin e Kongresit të Përmetit të kohës së luftës civile në vendin tonë midis komunistëve dhe forcave nacionaliste. Kryeministri, presidenti Mejdani, ministri i Jashtëm i asaj kohe dhe në veçanti, Fatos Klosi si shef i shërbimit sekret, rekomanduan dhe asistuan të gjithë procesin e linjës Thaçi, Haliti, Azem Syla e të tjerë, me qëllim denigrimin dhe eleminimin e Ibrahim Rugovës së paku politikisht, por me përpjekje për ta likuiduar edhe fizikisht. Ky ishte zullumi i parë i krerëve të UÇK-së. Kjo është e vërteta. Vetëm të hyjmë në arkivat e radios BBC, Zëri i Amerikës, Deutsche Welle, apo të Televizionit Shqiptar dhe do të bindesh për këtë që po shkruaj.
Zullumqarët mbeten zullumqarë. Ata nuk bëhen çlirimtarë. Të tillë mbetën edhe pas luftës disa ish-komandantë. Sidomos pasiqë ata nuk mundën t’i fitojnë zgjedhjet lokale të vitit 2000 dhe ato të përgjithshme të vitit 2001, megjithë manipulimin e tyre që bënë ndërkombëtarët në emër të stabilitetit. Mandati i Gjykatës Speciale ka për detyrë të zbardhë vetëm disa vrasje të shqiptarëve deri në fund të vitit 2000. Por më e keqja ka ndodhur pas kësaj periudhe. U vranë dhjetra aktivistë të Lidhjes Demokratike dhe mbështetës të Ibrahim Rugovës. Vjosa i ka harruar këto, prandaj shkoi në protestën në mbrojtje të Hashim Thaçit. Në fakt shkoi për ta josh PDK-në për ta propozuar si kandidate për presidente. Tani bën fushatë së bashku me Fatmir Limajn e Xhavit Halitin. Me Elmi Reçicën dhe të tjerë eksponentë të SHIK-ut të Hashimit, Kadri Veselit dhe Fatos Klosit.
Ndërkohë që askush atyre vrasjeve të planifikuara nuk mund t’u thotë gjë tjetër, perveçse zullum! Zullumqarët e vazhduan zullumin e tyre. Por këta nuk janë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ajo ushtri as që ka ditur gjë, nëse kishte SHIK e Polici të jashtëligjshme. Nëse dikush e ka ditur këtë, ka menduar se kështu është më mirë për Kosovën. Në fakt ishte zullumi i madh që i bëhej Kosovës. Paligjshmëria është gjithmonë, edhe në kohë lufte, edhe në kohë paslufte, zullumi më i madh.
Zullumi dhe zullumqarët nuk u ndalën. Ata filluan të bëjnë kompromise të dhimbshme dhe të tmerrshme për armikun e Kosovës, Serbinë. Nuk po i numëroj, sepse nuk kam lënë rast pa i përmendur faktet me këtë tezë në komentet e mia. Por zullumi u trash dhe në emër të luftës, gati sa nuk u copëtua dhe nuk u shua shteti i Kosovës. Edhe këtë e bënë zullumqarët dhe jo çlirimtarët. Çlirimtarët janë e duhet të jenë krenarë për veprën e tyre. Zullumqarët duhet të paguajnë koston e zullumeve që kanë kryer në kurrizin e shqiptarëve në Kosovë. Kjo është e drejta dhe e vërteta. Por jo vetëm ata. Koston duhet ta paguajnë edhe këshilltarët dhe tutorët ideologjikë të Tiranës, që në atë kohë e drejtuan shtetin shqiptar. Duke filluar te Rexhep Mejdani, të cilit ia mori mendjen miku i tij, Rexhep Qosja, e duke përfunduar te Fatos Klosi.
Prandaj dhe narrativa se Kurti “është kundër Ushtrisë Çlirimtare dhe çlirimtarëve” bie për tokë. Hajnat e pasluftës, vrasësit e pas kësaj lufte, të gjithë mëkatarët duhet të dënohen dhe nuk kanë pse mburren me të qenit çlirimtarë. Por UÇK nuk ishte e tillë. Ishin disa, ndoshta sa gishtat e njërës dorë. Dhe këta, kaq pak veta, nuk kanë pse rëndojnë ndërgjegjen e çlirimtarëve të vërtetë!

