Dy ton mbeturina grumbullohen për 24 orë në Tetovë

Maqedonia e Veriut

Megjithatë, ai ka pranuar se ka shumë vështirësi, ngase ndërmarrja ka shumë shpenzime gjatë transportit të mbeturinave për në Shkup. Sipas tij, ndërtimi i deponisë rajonale në Rusino, do të ishte një zgjidhje e mirë, jo vetëm për komunën e Tetovës por edhe komunat tjera

Urim HASIPI

Tetovë, 22 korrik – Krahas shumë ngarkesave që krijohen gjatë verës si në komunikacion, me mungesën e parkingjeve, rrugë të stërngarkuara me automjete, kjo ka ndikuar që në disa rrugë të mos mund të depërtojnë kamionët e Ndërmarrjes Publike Komunale në Tetovë për të marrë mbeturinat në kohë. Vera në këtë qytet, sjellë me vete edhe shumë dukuri që vështirë menaxhohen nga ana e pushtetit lokal, siç është rritja e sasisë së mbeturinave.Nga kjo ndërmarrje kanë njoftuar se gjatë verës në Tetovës brenda 24 orëve grumbullojnë rreth dy ton mbeturina nga amvisëritë Tetovare, që është mjaft e vështirë për t`u menaxhuar nga një ndërmarrje e cila disa herë ka patur probleme pikërisht në grumbullimin e mbeturinave.

Kjo ka të bëëj edhe me rritjen e numrit të banorëve pasi që kthehen mërgimtarët në shtëpitë e tyre. Drejtuesit e kësaj ndërmarrje thonë se tashmë dy herë brenda ditës grumbullojnë mbeturinat.“Është e vërtetë që gjatë një viti kalendarik nuk kemi sasi të njejtë të mbeturinave, ku gjatë muajve korrik dhe gusht kemi sasi më të madhe te mbeturinave, menaxhojmë diku 2 ton mbeturina në ditë momentalisht të cilët i largojmë nga qyteti për t’i çuar deri në deponi, qoftë në Shkup në Drislla, apo në Rusino.Në këte periudhë ne i rrisim kapacitetet tona dhe mbeturinat merren dy herë ne ditë.

Edhe pse kemi telashe për shkak të komunikacionit të ngarkuar, kemi pika ku nuk mund të futemi për shkak të parkimit jo të rregullt të veturave, më së shumti praktikojm që prej orës 23 kontinierët e qytetit të Tetovës që t’i marrim”, thotë drejtori i NPK-së Xhelal Ceka. Sipas tij, ndërtimi i deponisë rajonale në Rusino, do të ishte një zgjidhje e mirë, jo vetëm për komunën e Tetovës por edhe komunat tjera.“Realisht ne kemi shumë probleme dhe shumë telashe, nuk janë telashe që shfaqen sot por që përsëriten kohë pas kohe dhe mos zgjidhja e problemit të deponisë rajonale, ku gravitojnë në 9 komuna, paraqet një ngarkesëe për neve dhe për të gjithë komunat përreth. Shpresoj që në afat prej dy viteve do të jetë gati, ndërsa qeveria zviceriane ka ndarë diku rreth 7 milion franga për të investuar në atë deponi rajonale.Besoj që do jetë një mënyrë e mirë për neve dhe për të gjithë që të investojnë në atë deponi rajonale që të menaxhohet më mirë me mbeturinat”, thotë drejtori Ceka.Sipas tij, kësaj ndërmarrje qytetarët i kanë rreth 10 milion euro borxh për mos pagesë të faturave.

Megjithatë, ai ka pranuar se ka shumë vështirësi, ngase ndërmarrja ka shumë shpenzime gjatë transportit të mbeturinave për në Shkup.“Për shkak të çmimeve jashtëzakonisht të ulta qe kanë qytetarët për shërbimet komunale dhe të tjera, kemi bërë thirrje për rritje të çmimeve dhe kemi bërë kërkesë në këshillin komunal .Hudhja e mbeturinave në Drislla të Shkupit na ka krijuar shpenzime të mëdha dhe nga e gjithë kjo ne mundohemi të kemi çdo gjë nën kontroll.Duhet që qytetarët t’i paguajne obligimet e tyre sepse subjektin që unë e menaxhoj qytetarët i kanë borxh diku rreth 10 milion euro”, nënvizoi ai.Nga ana tjetër shumica e komunave të Pollogut nuk kanë deponi të veçanta për hudhjen e mbeturinave nga materialet ndërtimore. Madje lokacion të veçantë nuk ka as komuna e Tetovës. Nga ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë thonë se janë në hall me këtë dukuri sepse materialet ndërtimore hidhen në vendet tek mbeturinat e zakonshme dhe më këtë edhe dëmtohen kontajnierët por edhe haset në vështirësi gjatë transportit. Drejtori Ceka ka apeluar deri tek qytetarët që të kenë kujdes me deponimin e materialeve të forta ndërtimore, të mos i hedhin ato në kontejner pasi kjo ndërmarrje nuk është e obliguar të dislokojë këto mbeturina.