Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se të enjten Serbia do të shpall katastrofë humanitare gjendjen në Veri të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Haradinaj ka konfirmuar se ky plan do të ndodhë gjatë ditës së enjte, për këtë plan kanë fakte ku shihen njerëz të involvuar në këtë skenar të Serbisë.
Ai tha se për planin për krizë humanitare janë të informuar nga organet e rendit dhe nuk do të lejojnë projekte të tilla.
“Jemi në dijeni për 2-3 javë përpara për këtë plan të tillë, pra të improvizimit të një krizë humanitare, duke I bartë produktet e caktume nëpër shtëpia dhe objekte të tjera, kemi edhe prova të këtij skenari, pra njerëz të involvum në këtë skenar, ne nuk do të lejojmë dhe do t’i dekonspirojmë këto projekte të tilla që janë të çuditshme, janë metoda të kaluar, ne e dimë se target kohë e kanë të enjten për me aktivizu këtë skenar”, tha Haradinaj, shkruan Gazeta Metro.
Haradinaj po ashtu ka treguar se ky plan për krizë humanitare po ekziston pasi serbët dëshirojnë që Kosova të mbyll sytë para kontrabandës, mirëpo shteti i Kosovës nuk do ta lejoj këtë.
“Ekziston një tendencë që si Kosovë me i mbyll sytë para kontrabandës edhe para trafiqëve, pra nuk guxojmë me leju këtë, jo për shkak të ndonjë produkti ushqimor, por kontrabandistët mund të bartin edhe armë, drogë e gjëra të tjera, jemi të detyruar për ta vendosur rendin dhe ligjin në Veri”, tha Haradinaj, shkruan Gazeta Metro.
Haradinaj ka thënë se të gjitha institucionet e shtetit janë në dijeni dhe janë të gatshëm për të reaguar ndaj këtij skenari./gazetametro.net