Kroacia pro Shqipërisë dhe Maqedonisë, Plenkovic beson në hapjen e shpejtë të bisedimeve për anëtarësim

Bota

Kryeministri kroat, Andrej Plenkovic beson se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do t’i hapin shumë shpejt negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Plenkovic deklaroi në një konferencë për shtyp në Zagreb, në krah të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, se shteti i tij është duke tentuar “të krijojë një klimë pozitive”, që mund t’ua mundësojë këtyre vendeve arritjen e qëllimit të tyre. Në 1 janar të këtij viti, Kroacia mori presidencën e radhës së BE-së, që funksionon me rotacion çdo gjashtë muaj, dhe që nga ajo kohë ka treguar se do të mbështesë Tiranën dhe Shkupin.

Franca dhe Holanda kanë penguar nisjen e bisedimeve për këto dy vende vitin e kaluar, duke nxitur zhgënjim dhe shqetësim.Për të qenë i gatshëm për anëtarësim në BE, vendi që aplikon duhet fillimisht të negociojë 35 fusha, duke përfshirë, bujqësinë, transportin, energjinë, dhe politikat gjyqësore e shoqërore.

Presidenti francez, Emmanual Macron tha këtë javë se dëshiron që samiti BE-Ballkan, i caktuar të mbahet në maj, “të jetë moment uniteti” për Europën. Zyrtarë të lartë kroatë mendojnë se këto deklarata duket se janë shenjë që zgjidhja mund të gjendet para takimit të liderëve të bllokut europian në muajin mars./tch