KUR LUANTE FUTBOLL FERHATI

Maqedonia e Veriut

Shkruan: Syrja Etemi

Po ua prezentoj kësaj radhe një personalitet mjaft interesant dhe karakteristik, energjik dhe luftarak, i cili akoma është shumë i njohur në qarqet sportive, sidomos në atë të futbollit në Turqi, por shumë pak i njohur në vendin e origjinës së tij. Është ky biri i kësaj ane, z. Ferhat Hocalar – Kaleci, për të cilin do të shkruajmë në vazhdim.

Ferhat Hocalar – Kaleci, ka lindur më 01.07.1953 në f. Nerasht të Tetovës nga nëna Sefedije dhe babai Taip. Që në moshën katërvjeçare familja i shpërngulet në Shkup (ku qëndron katër vjet), kurse në vitin 1961, përfundimisht me familjen shpërngulet në Bursa të Turqisë, ku mbaron shkollën fillore 5 klasëshe. Në këtë periudhë, d.m.th. që si nxënës i shkollës fillore u dashurua me topin, ku lojën e futbollit, bashkë me shokë të lagjes: Zufer Mahall, e kurdisnin edhe midis sokaqeve. Duke u rritur e kalitur në një mjedis krejtësisht të ri, më saktësisht në vitin 1969 (në moshën 16 vjeçare), me talentin e tij prej futbollisti , inkuadrohet në Klubin Futbollistik të Bursës, përkatësisht në ekipin “Bursaspor” që zhvillonte garat në Ligë të parë të Turqisë. Në cilësinë apo rolin e portierit të “pathyeshëm” në këtë klub ka dhënë kontributin e tij si një lojtar mjaft cilësor, për vite me radhë, të thuash: për gjashtë vite rresht. Me këtë, emri dhe fama e tij në qarqet sportive të kohës, gjithnjë e më tepër po spikatej, e, Ferhati tregohej gjithnjë e më tepër konsekuent e më dinjitoz. E, kush nuk donte ta ketë në gjirin e vet këtë lojtar kaq cilësor, i cili në mënyrë të vazhdueshme po i hapeshin rrugët e karrierës? Shkojnë vitet e, për të, interesim për ta inkuadruar në radhët e veta, do të shprehë një klub tjetër shumë i madh që, po ashtu bënte gara në Ligën e pare futbollistike.

Ishte ky Klubi futbollistik: Gençlerbirgin i kryeqytetit të Turqisë, Ankara, ku do të luajë për tre vite me radhë,e, që pas kësaj, të inkuadrohet edhe në klubin tjetër të Ankarasë, në Ankaragoci, me të cilin ekip fiton edhe Kupën e Turqisë. Më vonë, apo në vitet e mëvonshme vazhdon karrierën futbollistike sërish në Bursë, por tani në ekipin Demir sangor për 2 vite me ç’rast fiton titullin kampion.

Është me rëndësi të thuhet edhe fakti se, përderisa ka qenë në shërbimin ushtarak, ka luajtur edhe për reprezentacionin e Turqisë, nga ku veçon ndeshjen e luajtur ndërmjet reprezentacionit të Turqisë dhe të Çekosllovakisë në Pragë, ku, siç shprehet Ferhati, “unë i “hëngra “ tre gola, por kam mbrojtur te 20 sulme të qindpërqindta, dhe se, publiku mbeti i mahnitur nga lufta dhe vetmohimi im që tregova me këtë rast. Edhe pse humbëm 3 me 1, unë mbeta “fajtori” kryesor që mbrojta reprezentacionin nga më e keqja. Këtë nuk e them për t’u lavdëruar unë vet, por, për këtë kanë shkruajtur edhe reporterët apo gazetarët, si të huaj, po ashtu edhe të vendit, e, sidomos mediat turke.

Të vazhdojmë aty ku mbetëm. Edhe pse tani më edhe mosha e bën të veten, Ferhati nuk e ndërpren ativitetin dhe karrierën futbollistike. Por, tani vazhdon në Ligën e dytë futbollistike, edhe atë në tre klube me nga 2 vite, për ta përfunduar në K.F. “Kercalispor” për katër vite në të cilin ka qenë edhe si lojtar, por edhe si trajner i klubit.

Këtu, mbaron edhe karrierën e tij shumë të pasur futbolistike, në organizim të ceremonisë së ashtuquajtur: Takim lamtumirës. Takimi mbahet në stadiumin e qytetit të Bursës: Bursa Ataturk Stadion, ku marrin pjesë te 3o ooo shikues, e ku nuk mungoi edhe këngëtari i madh i Turqisë, Ibrahim Tatlises. Dhe, jo vetëm kaq. Ferhati karrierën e tij si lojtar aktiv në futboll e mbaroi, por ai edhe tani në këtë moshë, nuk qëndron larg futbollit. Tani që sa vjet ai posedon Patentën e agjentit ndërkombëtar të FIFA-s me seli në Bruksel, ku ofron mundësi për shumë talentë të rinj të inkuadrohen në klube të ndryshme futbolistike të Europës.

Udhëtimet dhe shtegtimet e tij qendrave dhe vendeve të ndryshme europiane janë bërë rutinë e tij e përhershme e imanente. E, mbi të gjitha, gëzimin më të madh e ka kur gjen talentë shqiptarë, sidomos të vendit të origjinës dhe, kur i ofron kushte për karrierë në logun e futbollit europian. Prandaj, do të përfundojë Ferhati: “Unë do ta vazhdojë këtë aktivitet deri në frymën time të fundit, sepse futbolli për mua është vet jeta ime”.