Lëvizja “Besa” e mbështet kandidaturën e Agollit për kryetar të Dibrës

Maqedonia e Veriut

Lëvizja “Besa” në zgjedhjet e parakohshme lokale për kryetar të Dibrës, nuk do të ketë kandidat të saj. Ky subjekt politik e mbështet dr. Arben Agollin, i njohur si pediatër dibran, i cili është kandidat i Aleancës për Shqiptarët.

“Pas marrjes së pajtueshmërisë nga Kuvendi Qendror i partisë tonë amë, Aleancës për Shqiptarët edhe kryesia e lëvizjes “Besa” zyrtarisht e mbështet kandidaturën time për kryetar të komunës si kandidat i përbashkët i të dyja subjekteve politike. Pres mbështetje nga banorët e komunës së Dibrës, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, kombëtare ose fetare, si që asnjëherë në punën time të mjekut dhe në jetë asnjëherë nuk kam bërë dallim”, deklaroi Agolli për M.I.A-n.

Kuvendi Qendror i Aleancës për Shqiptarët i mbajtur dje në Dibër, e zyrtarizon kandidaturën e Agollit për zgjedhjet lokale të 21 prillit pasi ai paraprakisht mori përkrahjen edhe të organeve të degës së partisë në Dibër.

Agolli është i lindur në Dibër në vitin 1959, është i martuar dhe është baba i dy fëmijëve. Shkollimin e mesëm e ka përfunduar në Dibër, ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ndërsa ka specializuar pediatri në Shkup. Në profesion ka përvojë 34 vjeçare, prej të cilave 20 vjet si pediatër. Prej vitit 2004 punon si mjek amë.