Nis vizita e Albin Kurtit në Tiranë, pritet në Presidencë nga Bajram Begaj

Kosova dhe Shqipëria

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka nisur vizitën e tij në Tiranë ditën e sotme.

Siç ishte paralajmëruar ai është pritur fillimisht në Presidencë nga kreu i shtetit, Bajram Begaj.

Më pas pritet që Kurti të takohet me kryetaren e parlamentit, Lindita Nikolla në Kryesinë e Kuvendit. Ndërsa në fund, ai do të takohet me kryeministrin Edi Rama.

Të dy do të zhvillojnë një drekë pune në vilën qeveritare 30 në kryeqytet. Vizita e Kurtit në Tiranë vjen pas takimit të Ohrit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç më 18 Mars.

Kryeministri i Kosovës është përballur me kritika të shumta nga partitë opozitare në vend, pasi një pikë e kësaj marrëveshjeje është dhe asociacioni.

Në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër palët ranë dakord të zbatojnë marrëveshjet e arritura mes tyre, si dhe Prishtina të nisë përgatitjet për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, një nen që shihet si referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Edhe pse nuk u firmos një marrëveshje, palët në Ohër arritën marrëveshje të zbatonin propozimin e BE për normalizimin e marrëdhënieve.

Burimi: pamfleti.net