Poezi nga gjithë bota. Kështu quhet projekti poetik, i cili ka për qëllim të prezantojë poet e shkrimtarë nga të gjitha kombet e botës.
Poetja shqiptare Hava Kurti Krasniqi shprehet e gëzuar shumë për ftesën që ka marrë.
“Unë isha e ftuar në një promovim libri të një autoreje zvicerane, aty lexova një poezi shqipe në gjuhë shqipe dhe gjermane, dhe pas leximit zonja Lichtensteiger që ishte në rolin e moderatores së promovimit më erdhi pranë dhe më ftoi që të lexoj me datën 1 tetor, për të prezantuar poezinë time në shqip dhe të përkthyer në gjermanisht”, është shprehur Kurti-Krasniqi.
Por, si e ka menduar ajo këtë mbrëmje, ku do të jetë e vetme në binë, poetja ekskluzivisht për albinfo.ch u shpreh:
“Kam lexuar shpesh nëpër biblioteka e teatro nëpër Zvicër, por pranë meje gjithmonë kanë qenë edhe autorë zviceran. Kësaj here gjatë tërë kohës do të lexoj vetëm unë. Por poezia nuk të lë vetëm kurrë. E kam menduar të lexoj edhe ndonjë poezi nga: Dritëro Agolli, Ali Podrimja, Martin Camaj, Flora Brovina, etj. Dhe jam e bindur se poezia shqipe do ti fascinon të pranishmit që vijnë nga kultura të ndryshme”, ka shtuar tutje poetja shqiptare./ KultPlus.com