Anëtari i Komisionit të historisë nga Bullgaria Kiril Topallov me retorikë të ashpër ndaj Shkupit. Akuzoi kolegët e tij maqedonas se e falsifikojnë historinë. Nga Sofja gjuhë e ashpër edhe për trashëgiminë kulturore dhe gjuhën maqedonase. Kreu i komisionit nga pala maqedonase Dragi Gjeorgiev nuk i komentoi deklaratat e kolegëve të tij. Ndërkaq sipas ministrit të Jashtëm Bujar Osmani Sofja zyrtare nuk e konteston identitetin maqedonas.
“Maqedonia e Veriut është një Kore Veriore e Ballkanit. Më vjen keq por kjo është e vërteta. Aso censure të rreptë, aso totalitarizmi që ekziston atje, ne shumë kohë më parë i kemi harruar”, tha Kiril Topallov, Anëtar i Komisionit të historisë.
Porosi të ashpra nga anëtari i Komisionit të historisë nga Bullgaria, Kiril Topallov. Ai pretendon se Maqedonia e Veriut falsifikon gjithçka që mundet dhe askush nuk ka qasje në arkivat, ku “ruhet” e vërteta.
“Një nga dramat me të cilat përballemi kur jemi me kolegët tanë nga Maqedonia e Veriut: ata duan t’i thonë të bardhës e zezë. Nuk i lexojnë dokumentet siç janë, por ashtu siç duan vetë. Kur munden, falsifikojnë. Aty ku shkruan “bullgare” e fshijnë dhe e shkruajnë “maqedonase”. Askush nuk ka qasje në arkiva, ku ruhen dokumentet origjinale e që vështirë mund të falsifikohen”, pohoi Kiril Topallov, Anëtar i Komisionit të historisë.
Ana Koçeva nga Instituti për gjuhë bullgare dhe bashkë-autorja e titullit të sapo botuar “Libri i bardhë” tha se e vërteta e Maqedonisë së Veriut për gjuhën është fanta-shkencë.
“Shembull skandaloz për politikat e Shkupit në sferën e kulturës dhe historisë është përvetësimi i këngës së Botevit “Lamtumirë”, e cila u bë “Këngë popullore maqedonase” pas “Stilizimit rajonal”, ashtu siç ndodh me gjuhën letrare bullgare. Ata nuk kuptojnë se punojnë kundër tezave të tyre. Nëse një këngë e poetit më të madh bullgar bëhet pjesë e praktikës së tyre kulturore, atëherë ka lidhje shumë të thella”, theksoi Ana Koçeva, Anëtare e Institutit për gjuhë bullgare.
Zv/kryeministri bullgar, Karakaçanov porositi Shkupin se në të drejtën ndërkombëtare nuk ka argument që quhet “Mendoj”, duke theksuar “Ata më herët menduan se janë trashëgimtarë të Filipit dhe Aleksandrit të Madh, por hoqën dorë pasi grekët iu thanë se nuk janë”.
“Nuk i detyrojmë ta ndryshojnë identitetin dhe gjuhën. Le të quhen si të dëshirojnë. Maqedonas. Gjatë kohës së okupimit serb, ju u quajtët “jugosllavë” ose “Serbë të jugut” gjatë kohës së Titos. Është e drejta jote. Por nuk mund të thuash “Quhem maqedonas, sepse Goce Dellçev dhe Car Samoili ishin maqedonas”, pohoi Krasimir Karakaçanov, Zv/kryeministër i Bullgarisë.
Kreu i Komisionit të historisë nga ekipi i Maqedonisë së Veriut, Dragi Gjorgjiev nuk pranoi t’i komentonte deklaratat e kolegëve të tij nga Sofja. Ai vetëm konfirmoi për Alsat se Goce Dellçevi dhe tekstet shkollore për klasën e shtatë do të jenë temë e takimit të 25 dhe 26 shkurtit, që do të mbahet online. Nga ana tjetër Ministri i Jashtëm Osmani tha se Sofja nuk i konteston atributet e identitetit maqedonas./Alsat