Profesori godet kundërshtarët e Vjosa Osmanit: Lëpirësit e pushtetit presidencial dhe LDK-ist gabojnë që i vërsulen

Kosova dhe Shqipëria

Profesori universitar, Enver Bytyçi, ka thënë se Vjosa Osmani, përpara se të jetë kundërshtare e Isa Mustafës ishte kundërshtare e bashkëpunimit të kreut të LDK-së me PDK-në dhe e kundërshtoi zgjedhjen e Hashim Thaçit president e nuk e votoi atë.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Osmani ishte bashkuar me vetveten dhe idealin e saj, përpara se të bashkohej me Albin Kurtin dhe e kishte projektuar shtetin modern që e krijoi Ibrahim Rugova, përcjell Bota sot.

Bytyçi ka thënë se lëpirësit e pushtetit presidencial dhe LDK-ist gabojnë që i vërsulen asaj sikur ta kishin gjetur duke vjedhë thesarin e shtetit, pasi thotë se atë e vodhën politikanët që sot e kundërshtojnë Vjosën me gjithçka kanë në dorë.

Postimi i tij i plotë:

Vjosa Osmani, para se të jetë kundërshtare e Isa Mustafës ishte kundërshtare e bashkëpunimit të kreut të LDK-së me PDK-në. Vjosa Osmani, para se të kundërshtonte kryetarin e partisë së saj, kundërshtoi zgjedhjen e Hashim Thaçit president dhe nuk e votoi atë pavarësisht presionit të partisë.

Vjosa Osmani, para se të bashkohej me Albin Kurtin, ishte bashkuar me vetveten, me idealin e saj, me projektin e saj të një shteti të pakapur, të një shteti të së drejtës dhe shanseve të barabarta. Ajo projektoi para Albinit shtetin modern në modelin e shtetit që krijoi Ibrahim Rugova. Rrugës takoi edhe Albinin, me të cilin e ndan mënyra se si duhet të ndërtohet ky shtet, por jo edhe qëllimi përfundimtar për këtë!

Prandaj lëpirësit e pushtetit presidencial dhe LDK-ist gabojnë që i vërsulen asaj sikur ta kishin gjetur duke vjedhë thesarin e shtetit. Thesarin e shtetit të Kosovës dhe krejt Kosovën e vodhën ata politikanë që sot i kundërvihen me gjithçka kanë në dorë Vjosa Osmanit!