Rritet dukshëm eksporti i Shqipërisë në Kosovë pas taksës

Kosova dhe Shqipëria

Eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës kanë pësuar një hov të konsiderueshëm gjatë dhjetorit të 2018. Nga të dhënat e INSTAT-it konfirmohet se eksportet në këtë periudhë u rritën me 44.5 %.

Kreu i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi, shpjegon se taksa e vendosur nga Kosova për mallrat Serbe ka rezultuar pozitive për bizneset shqiptare.

“Shqipëria, nga një importuese e drithërave nga Kosova dhe Serbia, tashmë po eksporton drejt Serbisë, për shkak se industria jonë përpunuese e drithërave është e avancuar dhe konkurruese në një ekonomi me rregulla të barabarta loje. Po kështu ka edhe produkte të tjera kryesisht mallra ushqimore. Materialet e ndërtimit kanë qenë prezentë edhe më parë”, ka thënë Zusi, raporton Oranews.

Por pavarësisht kësaj, biznesi shqiptar ngre si shqetësim tarifat doganore. Pavarësisht nismave të dy qeverive, kostot mbeten një tjetër pengesë për të cilën kërkohet të ndërhyhet sa më parë.

“Kalimi i 1 mijë eurove mall, që mund të konsiderohet një tregti e vogël dhe e mesme, kërkon tarifa të shërbimeve që kapin vlerën e afro 250 euro, për secilin operacion. Përveç kohës së shërbimit që shkon disa orë në pikën doganore, atëherë nuk kemi për të pasur zhvillim të tregtisë”, shtoi ai.

Në mes të nëntorit Kosova vendosi një taksë 100% ndaj mallrave serbe. Reflektimi në rritjen e eksporteve në vend ishte i menjëhershëm dhe nga një analizë e të dhënave konstatohet se nëngrupin materiale ndërtimi dhe minerale kanë pësuar rritjen më të ndjeshme. Kjo rritje konstatohet se ka ardhur nga rieksporti, ku kompanitë shqiptare të karburanteve importojnë nga vendet e tjera dhe shesin në Kosovë por edhe nga nafta e prodhuar në rafineritë e vendit. Çeliku është një tjetër produkt që ka pësuar rritje të ndjeshme.