Sela: Nuk pajtohemi me disa pika, por jemi “pro” NATO-s

Maqedonia e Veriut

Aleanca për Shqiptarët mbajti mbrëmë tubim në Strugë. Kreu i ASh-së, Zijadin Sela, tha se vota më 30 shtator nuk është votë “pro” partive, por “pro” NATO-s dhe BE-së dhe votë që do t’i thotë stop politikbërjes dhe kuzhinave që nuk na e duan të mirën. Shqiptarët duhet të dëshmojnë aleancën me NATO-n dhe aleatët e tjerë, tha Sela.

“ASh ka alarmuar bashkësinë ndërkombëtare dhe qendrat vendosëse janë informuar përmes “non paper”-it se ka çështje të pazgjidhura të shqiptarëve në Maqedoni dhe se nuk pajtohemi me disa pika të marrëveshjes. Me hapjen e Kushtetutës, ASh do të jetë aty dhe do të këmbëngul që të inkorporohen çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët, siç është gjuha shqipe dhe pjesët e tjera ku do të kërkohet heqja e definicionit bashkësia etnike mbi 20 për qind. U bëj thirrje që të votoni më 30 shtator, sepse anëtarësimi në NATO dhe BE nënkupton më tepër demokraci, më shumë fushëveprim, më tepër mendim dhe shprehje të lirisë. Këto çështje janë nevojë imanente për shqiptarët, duke i hapur rrugë drejtësisë”,- deklaroi kryetari i ASh-së, Zijadin Sela.