Shqipëria ka mposhtur Islandën me rezultatin 4-2, duke mbajtur gjallë objektivin europian. Një përballje tepër emocionuese ku u shënuan plot 6 gola!
Ishte mbrojtësi Kastriot Dermaku ai që hapi serinë e golave në minutën e 33-të. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal 1-0.
Në pjesën e dytë islandezët barazojnë menjëherë rezultatin në minutën e 47-të me Sigurdson! Kuqezinjtë nuk u dorëzuan, teksa ishte radha e kapitenit Hysaj, i cili në minutën e 52-të, gjeti golin e parë me fanellën kuqezi.
Miqtë nga Islanda provuan të na surprizonin sërish, duke gjetur golin e dytë me sulmuesin Sigthorson! Kombëtarja e Edi Rejës nuk u pajtua me këtë rezultat, teksa u hodh në sulm në kërkim të fitores. Duhet të shkonte minuta e 79-të, ku Odise Roshi, goditi bukur nga brenda zonës, duke çuar edhe njëherë peshë zemrat e tifozëve shqiptarë.
Për t’i vënë kapakun festës kuqezi mendoi Sokol Cikalleshi, i cili me një predhë brenda zonës, vulosi rezultatin 4-2! Një fitore fantastike, për të harruar humbjen ndaj Francës! /Lajmi.net/