Krerët e shtetit të mbledhur në një vend shpallën të hapur aksionin për luftë kundër lajmeve të rrejshme. Për Presidentin e shtetit Stevo Pendarovski, kryeministrin Zoran Zaev dhe kreun e Kuvendit Talat Xhaferi, vendi gjatë viteve të kaluara ka qenë cak i lajmeve të rrejshme dhe desinformatave. Shembull u përmend propaganda me lajme të rrejshme për Marrëveshjen e Prespës dhe referendumin.
Gjatë viteve të kaluara e pamë potencialin e lajmeve të rrejshme që të ndikojë në procese të rëndësishme politike dhe qytetare edhe tek ne, edhe në botë. Lajmet e rrejshme ngadalë por sigurtë shndërrohen në kërcënime primare për sigurinë nacionale të shumë shteteve për shkak të kapacitetit të tyre për ta shtrembëruar të vërtetën dhe t’i groposin vlerat e demorkacisë si sistem politik”-tha Stevo Pendarovski, president.
Unë prej vetë marrjes së funksionit të kryetarit të Kuvendit isha i hapur ndaj gazetarëve, i drejtëpërdrejtë dhe gjithmonë në dispozicion për të gjitha pyetjet e mundshme për shkak se konsideroj se informata e vërtetë e pranuar prej vetë burimit dhe gjithsesi e transmetuar në mënyrë autentike nga gazetarët dhe mediat që janë të përgjegjshme dhe të përkushtuar ndaj profesionit të vet mund të prodhojë vetëm efekte pozitive, gjegjësisht, besim të ndërsjelltë ndërmjet bartësve të institucioneve publike, mediave dhe qytetarëve”-pohoi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Liria e shprehjes është e drejtë njerëzore e garantuar por keqpërdorimi i kësaj të drejte në formë desinformimi ose propagandimi manipulues shumë lehtë reflektohet mbi sigurinë dhe stabilitetin e përgjithshëm dhe nuk është as për së afërmi liri e shprehjes. Në një vend demokratik, transparenca aktive është armiku më i fuqishëm i lajmeve të rrejshme dhe desinformatave”-tha Zoran Zaev, kryeministër.
Në konferencën e organizuar nga Qeveria morën pjesë ministra dhe drejtorë të institucioneve të sigurisë kombëtare./alsat/