Nga aktivitetet intensive në Bruksel të funksionarëve të lartë shtetëror, ish ambasadori Nano Ruzhin, vlerëson se, në qershor, do të pasojë ftesa për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas tij, Shkupi, në rrugën e eurointegrimeve madje qëndron më mirë edhe se Tirana dhe Beogradi.
Mendoj se Maqedonia e Veriut është në pozitën më të mirë nga të gjithë vendet e tjera aspirante të Ballkanit duke pasur parasysh se jetojmë një pranverë të qetë politike, të karakterizuar me zgjedhjet presidenciale. Nuk do të më habiste nëse Maqedonia e Veriut do të jetë i vetmi vend që do të marrë ftesë për fillim të negociatave edhe pse shumë më e lehtë do të ishte nëse kjo do të ndodhte njëkohësisht me Shqipërinë”- tha Nano Ruzhin, ish ambasador .
Ruzhin shton se vendimi varet kryesisht nga Gjermania, Franca dhe Holanda por se sipas tij, tashmë është zbatuar një pjesë e mirë e reformave. Kusht për marrjen e datës pritet të jetë edhe organizimi i zgjedhjeve të drejta presidenciale. Sipas profesorit Ruzhin, vendi është i përgatitur në aspekt administrativ për të filluar bisedimet për anëtarësim.
Praktikisht u japin datë me të cilën ju mobilizoheni, vinë dhe negociojnë ekipet. Mendoj se Sekretariati për çështje evropiane tashmë është mirë i përgatitur sepse vendi jonë përgatitet tashmë një kohë të gjatë, që në kohën e eurokomisarit paraprak për zgjerim”- theksoi Nano Ruzhin, ish ambasador.
Të hënën në Bruksel zv.kryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani dhe ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov, realizuan përpjekjen e fundit për të bindur ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së se vendi meriton datë për negociata./alsat