VMRO me amendamente për Ligjin e gjuhëve, LSDM: Nuk ka ligj të ri

Maqedonia e Veriut

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski paralajmëroi se do të propozojë amendamente për Ligjin e gjuhëve. Kjo bëhet pasi po merren parasysh rekomandimet e Komisionit te Venecias, për të cilat ai insiston që të respektohen.

Në takimin e presidentit Stevo Pendarovski u riafirmua qëndrimi se partitë, pavarësisht se a do të jenë në pushtet apo opozitë, do të vazhdojnë angazhimin për integrim të shtetit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Por kjo kërkesë e Mickoskit, futi në lojë mundësinë e ndryshimit të Ligjit të gjuhëve.

Deputetja e LSDM-së, Jagoda Shahpaska nga selia e partisë tha se kjo nuk ka paralajmërim se do të hapet Ligji i gjuhëve. Komisoni kërkoi që faktori politik në Maqedoninë e Veriut të merret vesh për çështjen se a do të përdoret gjuha shqipe në procedura gjyhësore. Në aspekt të kapaciteteve, sipas gjuhëtarit Avzi Mustafa kjo nuk do të ishte problem të zbatohet.

E juristi Temelko Ristevski megjithëse e sheh atë si mundësi për zvarritje të lëndëve gjyqësore të cilat mund të dërgojnë edhe një vjetërsi të tyre, sërish vlerësoi se përkthimi duhet të sigurohet nëse të akuzuarit, dëshmitarët dhe avokatët nuk e njohin gjuhën maqedonase.

Përndryshe, Komisioni i Venecias rekomandoi që pushteti në mënyrë shtesë të vendosë se a ka kapacitet që gjuha shqipe të përdoret në procese gjyqësore. Për pjesën e banknotave, komisioni ka vlerësuar se dygjuhësia është praktikë që ndodh edhe në shtete tjera. Këto vlerësime të Komsionit të Venecias erdhën pasi që të njëjtat i kërkoi pushteti në Maqedoninë e Veriut, për të larguar dilemat për çështjen e zbatimit të gjuhës shqipe në banknota dhe procedura gjyqësore.

Kjo ka ngjallur edhe reagimin e kreut shtetëror dhe të partive politike. Kreu shtetëror ka deklaruar se do t’i marrë parasysh rekomandimet e Venecias. Opotzita maqedonase ka kërkuar që Ligji për gjuhët të shfuqizohet dhe të përpilohet ligj i ri, e kurse opozita shqiptare ka kërkuar që gjuha shqipe të marrë dipozitë kushtetuese.

Ligji i gjuhëve është miratuar në vitin 2018, ndërkaq në fuqi ka hyrë pas një viti, pasi ish presidenti Gjorge Ivanov refuzonte ta dekretonte.(koha.mk)