Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka shpalosur qëndrimet e tij para ekspertëve të Komisionit të Venecias lidhur me çështjet që i konteston Qeveria për përdorimin e Ligjit për gjuhët dhe që këto elemente i janë dërguar për shqyrtim këtij Komisioni, përcjellë INA.
Por Sela në takim ka shtruar çështjen e definicionit “20 përqindësh” që si shifër dhe pa emërtim përcakton të drejtat e shqiptarëve, dhe që sipas tij, kjo është ofenduese. Këto vërejtje janë paraqitur nga deputetë të Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa. Sela theksoi se ideja për Komisionin e Venecias erdhi për ta shtyrë sjelljen e ligjit për pas arritjes së marrëveshjes me Greqinë.
“Me fjalë të tjera ishte një marifet politik për ta vonuar sjelljen e ligjit dhe tani do të merremi me këtë marifetin politik edhe me Komisionin e Venecias. Realisht ata që vendosin për gjuhën, se cilat duhet të jenë gjuhët zyrtare dhe ku duhen përdorur, nuk është as një komision i jashtëm, është ky institucion ky, parlamenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, theksoi Ziadin Sela.
Neni 8 i ligjit është më i diskutueshmi, sepse rregullon përdorimin e shqipes në para dhe uniforma të ushtrisë. Për këtë arsye me marrëveshje të partnerëve të koalicionit ligji u dërgua në Komisioni e Venecias për mendim. (INA)