Zyrtare/ Stevo Pendarovski është kandidati presidencial i LSDM-së dhe BDI-së

Maqedonia e Veriut

LSDM, Partnerët e koalicionit dhe partitë e tjera që japin mbështetje për kandidat të përbashkët presidencial e filluan takimin sonte në hotel “Hillton” në Shkup. LSDM, siç deklaroi kryeministri dhe lideri i partisë, Zoran Zaev paralajmëroi se Stevo Pendarovski do të propozohet si kandidat i përbashkët konsensual.

Kryeministri, pas përfundimit të koordinimit në selinë e partisë të mbajtur sot pasdite tha se Pendarovski është kandidat mbipartiak, i cili do t’u propozohet partnerëve të koalicionit dhe pret që ai të mbështetet.

Në koordinim LSDM i shqyrtoi favoritët për kandidat presidencial, midis të cilëve ishin Oliver Spasovski, Radmilla Shekerinska, Nikolla Dimitrov, Gjorgji Filipov, Imer Selmani.

Kandidatin LSDM-ja do ta promovojë të dielën në kongres.

Kryeministri dhe lider i LSDM-së, Zoran Zaev dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti të mërkurën arritën marrëveshje për kandidatin e përbashkët presidencial, i cili pritet të mbështetet nga Alternativa dhe PDSH si edhe partitë e tjera.

Aleanca për Shqiptarët dhe BESA, nga ana tjetër, kumtuan se do ta mbështesin nominimin e ambasadorit dhe profesorit universitar Blerim Reka. Ai prej dje iu bashkua listës së kandidatëve zyrtarë për president në të cilin është edhe Gordana Siljanovska Davkova, pas kandidaturës të së cilës u ndal VMRO-DPMNE në opozitë.

Raundi i parë zgjedhor për zgjedhjet e gjashta presidenciale u caktua për më 21 prill, ndërsa i dyti do të mbahet më 5 maj.