Shqipëria harxhon rreth 180 milionë euro çdo vit nga fitimet e familjeve shqiptare, për të investuar në njerëz që do kontribuojnë në ekonomitë perëndimore dhe jo në atë shqiptare.
Numri i studentëve shqiptarë që zgjedhin të arsimohen jashtë është relativisht i lartë. Sipas UNESCO-s, aktualisht janë 18 mijë studentë shqiptarë që studiojnë jashtë vendit.
Sipas të dhënave publikuar në emisionin ‘Me pak fjalë’ në Euronews Albania, vetëm kostoja e jetesës për një vit në vendet e BE-së luhatet nga 10,000-15,000 euro. Kjo do të thotë që vetëm shpenzime jetese vjetore të studentëve shqiptarë në BE janë afërsisht 180 milionë euro, përcjell Albinfo.ch.
Ndërsa 94% e tyre dëshirojë të mos kthehen më në vend, ky investim është humbje për Shqipërinë.
Nga ana tjetër, buxheti i shtetit për arsimin në të gjitha nivelet është rreth 360 milionë euro. Ato parashikohet të mbulojnë nga pagat e mësuesve deri tek ndërtimi i shkollave gjatë gjithë vitit të ardhshëm.
Pra gjysma e asaj që vë në dispozicion shteti shqiptar për arsimin në një vit harxhohet nga familjet shqiptare për të shkolluar vetëm 18 mijë studentë jashtë vendit.