Gjykatësja Dobrilla Kacarska i shpalli fajtorë dhe dënoi me burg 17 të akuzuarit e mbetur për 27 prillin, raporton SHENJA.
Mitko Çavkov – 18 vite burg
Mitko Peshov – 15 vite burg
Dushko Lazarov – 15 vite burg
Goran Gjoshevski-Levi – 15 vite burg
Oliver Popovski – 13 vite burg
Oliver Radullov – 10 vite burg
Munir Pepiq – 15 vite burg
Abdulfeta Alimi – 7 vite burg
Mlladen Dodevski – 12 vite burg
Jane Çento – 15 vite burg
Igor Jug – 12 vjet burg
Aleksandar Vasilevski-Ninxha – 8 vite burg
Nikolla Mitrevski-Kolo – 15 vite burg
Gorançe Angelovski – 12 vjet burg
Vllatko Trajkovski – 15 vite burg
Vilijam Mihajlovski – 14 vite burg
Igor Durlovski – lirohet nga akuzat
Vepra për të cilën u dënuan është për kërcënim të rendit Kushtetues dhe terrorizëm. Gjykatesja Dobrilla Kacarska tha se 27 prilli ka shkaktuar frikë dhe pasiguri tek qytetarët që asnjëherë nuk do të harrohet. Ajo tha se të gjithë kanë qenë të vetëdijshëm për veprimet e tyre.
“Ky nuk është patriotizëm”, u tha Kacarska tashmë të dënuarve, raporton SHENJA.
Gjykatësja Dobrilla Kacarska tha se Parlamenti është burimi i demokracisë dhe populli nuk guxon që të drejtat ti marrë në duart e veta personalisht pasi për këtë ekzistojnë të zgjedhurit e tyre. Kacarska tha se një mori provash në formë të videove dëshmojnë se të akuzuarit e kanë kryer veprën.
Ajo u tha të akuzuarve se ua kupton revoltën për shkak të amnistisë së disa të akuzuarve, por se këtë e kishte bërë Parlamenti.
Kacarska gjykoi edhe sjelljen e turpshme të policisë që në vend të ndalojnë dhunuesit, janë shëtitur nëpër korridore dhe kanë bërë qejfin e tyre.
Komunikimet telefonike kanë dëshmuar se të akuzuarit njiheshin mes vete dhe ndërkohë edhe dëshmitari i mbrojtur S1 ka thënë se gjithçka ka qenë e planifikuar mirë. Targeti kryesor i tyre ka qenë Zaevi dhe Sela.
Në fillim të gjykimit ishin 33 të akuzuar, por për shkak të amnistisë që u bë me ligj të posaçëm në Parlament, shpëtuan pesë deputetë të VMRO DPMNE së dhe organizatorë e protestave për Maqedoni të përbashkët.