Ambasadori Zhbogar: Katica Janeva zhgënjimi më i madh për mua për këto 4 vite

Maqedonia e Veriut

Ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar, para përfundimit të misionit të tij në vend, në një intervistë për “360 Gradë” dha një vlerësim të 4 viteve të kaluara për gjërat më inkurajuese dhe më zhgënjyese që ai pa derisa ishte ambasador në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Për fat të mirë, ka më shumë gjëra inkurajuese se sa zhgënjyese. Ajo që është më zhgënjyese ka të bëjë me sundimin e së drejtës, më saktë në lidhje me prokuroren speciale Katica Janeva dhe përfshirjen e saj në rastin “Reket”. Mendoj se kjo ishte për ne, për mua personalisht, zhgënjimi më i madh, ishte si një lloj shoku dhe së bashku me shumë qytetarë u ndjeva i tradhtuar nga personi që i besuam. Zhgënjimi nga sundimi i së drejtës nuk ka të bëjë vetëm me zhgënjimin nga prokurori special. Zhgënjimi shkon më tej, se si qytetarët këtu e perceptojnë sundimin e së drejtës. Sundimi i së drejtës nuk është vetëm gjykata, sundimi i së drejtës është të mos pini duhan në restorante nëse nuk lejohet, sundimi i së drejtës është të mos parkoni në rrugë ku dëshironi. Kjo është zhgënjyese për mua, kur shoh makina të parkuara në shtigje biçikletash.

Gjëja më inkurajuese, më pozitive ka të bëjë me të rinjtë në vendin tuaj. Takova, ose më saktë bisedova me disa të rinj dhe energjia, aktivizmi, përgjegjësia shoqërore, perceptimi i tyre realist me problemet, përfshirja e tyre, e gjitha kjo ishte një lloj inkurajimi për mua. Prandaj isha shumë i lumtur kur pashë nxënës të shkollës së mesme dhe organizatat e tyre që demonstronin pse duan të kthehen në shkollë. Unë nuk them nëse ata kanë të drejtë apo jo, por unë isha i lumtur kur pashë që ata janë të mobilizuar, se ka aktivizëm dhe se ata duan të ngrenë zërin e tyre që shoqëria t’i dëgjojë ata. Unë mendoj se kjo është shumë inkurajuese dhe e shëndetshme për shoqërinë, kur keni të rinj të tillë.”- deklaroi Zhbogar.