A është ky ndoshta ‘Antikrishti’

Opinione

Shikoje me kujdes, ky njeri i ka të gjitha karakteristikat e Antikrishtit.
Mos t’nin kush!
Unë jam i zgjedhuri’-ka thënë Trumpi, jo Isa Mustafa.

Isa Mustafa është hijanet, kurse LDK hijanetllaku i tij.
E Antikrishti nuk mundet me qenë i Podujevës, eventualisht i nahijes t’Pejës, ndoshta mundet me ndodh, ama llapjan e drenicak, jo.
(Anipse shqiptar qëlloi njëfarë astrologu i çmendur i Shqipnisë që e ‘zbuloi’ dje se baba i Krishtit ka qenë ‘alien’.
Populli aq i vogël me pas kaq budallenjë të mëdhenj, s’ka bë vaki).

…Po djali insistonte. Njëherë kujtova se po don me më shpalll dashni, po ai ish nxe n’Isën.
Qe, vini re, tha, kqyre n’drita t’syve, dhe po ma afron foto portretin e tij, ku i kish vë në pah ‘brinjët’ e tij në tentativë për t’iu shfaqur publikisht.

Unë nuk shikoj TV, po dje m’hëngër dreqi nga kureshtja për ‘Antikrishtin’ e shikova videon e ekipit negociator të LDK duke shkuar në Kuvend m’u taku me Albinin.

A është Isa Mustafa paralajmërim i fundit të politikës shqiptare?
S’besoj.
Isa Mustafa duket si koncerti i papërfunduar ‘This is it’, kurse ekipi i tij si valltarët e Majkëll Xheksonit te ‘Trilleri’ i famshëm.
Të gjithë të ‘maskuar’, me frizura të viteve 80-ta, disa pikshin zejtin, por të gjithë të frikësuar prej tij si prej lugatit, të gjithë i kordinonin hapat e tyre me hapat ‘Moonwalker’ të kryetarit, në vend se të dilte Vjosa ta tejkalonte.

Këtij djalit ju kish tek, tha: të jesh e bindur se me ja gju një petardë (lojë t’fmive), aty afër diku, kush që e nxan Isën s’ka.

Vjosa nuk e di se populli janë ftoh edhe prej saj, e kanë zbulu që po tutët, s’po ka guxim m’u sill si fituese e zgjedhjeve në partinë e saj, ku ke me çu më larg.
Popullata ende nuk e kanë plotësisht të qartë a e ka emrin Vjosa a Vjollca e lëre më po e mirëkuptojnë frikën e saj prej Isës.
Prandaj, ende pa ia mësuar pa gabime emrin, për një ‘ll’, ajo po ‘tretet’, në ecje pas të kaluarës.

Vjosa është shembull pse nuk merrem me politikë, se nuk mundem me hesht e m’u frikësu ‘me zor’ prej Isa Mustafës pash Zotin.

Por bash Isa Mustafa po më duket don m’u bë sebep me fillu m’u marrë me politikë.

Shiko rininë kah enden kot.
Krejt fëmijët ushtarë digjitalë në ‘Fortnite’ e Hashim Thaçi komandant i FSK-së.

Të shkolluar, të papunë.
E këta të PDK e LDK edhe nipat i kanë siguru.
Sami Lushtaku edhe nipin me shkollë fillore e ka qit n’selamet, e neve na mbetet lavdia se ne e dimë përmendësh ‘Poemën e mjerimit’.
Ka budallë në mesin tonë që edhe Epin e Gilgameshit e kanë mësu ujë.
E ka prej neve t’aftë që edhe ‘Idiotin’ e Dostojevskit e kanë lexu, po qe jena shku posht’.

Ku kemi gabu, ku kemi mëkatu, qysh na erdh puna kështu m’u var e ardhmja jonë prej të kaluarës së errët të do hajnave e kriminelave milionera!

2. Atmosferë e zymtë.
Janar me diell. Nxen kur lypset me ftoh, ftoh kur lypset me nxeh.
Krejt mbrapsht, si te ajo kënga. S’kanë pas faj hoxhollarët që e kishin pas ndalu me fe këtë këngë ‘Mbrapsht po më shkon jeta, natën rri zgjuar e ditën fli’.

Kah me ja mbajt?
Rrugët po zbrazen. Koferat gati. Të gjithë me sy kah Gjermania.

Po soset sokaku.

Varfëri.

E Lutfi Hazirit ju kish bë barku sa koshi nga vuajtjet e vazhdueshme për mish e raki.
Vuajtje gjithandej.

Albërie Nagavci e fton popullin ‘në durim’. E populli pyet: ‘Kush është Ajo’.

Vuan edhe burri i Albulenës, pse gjithmonë do të mbetet vetëm ‘burri i Albulenës’!
Vuajtje e madhe është edhe kjo.

Po vuan edhe Amerika, anipse tash është më e qetë prej se e ka marrë përkrahjen e Ramushit në luftë kundër Iranit.
Sot Ramushi i dha 250 mijë euro tonat për luftë kundër ISIS-it!

Lideri suprem i Iranit e ka quajtur Shqipërinë ‘vend djallëzor’. Ec e thuaj që nuk ja ka qëlluar!
Ilir Meta i është kundërpërgjigjur fuqishëm iranianit, i ka thënë atij se Shqipëria nuk është Republikë Djallëzore por Republikë Demokratike, anipse demokracia sipas Aristotelit është ‘Rregull i të varfërve’, kurse Shqipërinë e kanë në dorë milionerat e djallëzuar e jo varfanjakët e Aristotelit.

Rrezik.
Ikballja për një nëmë po han burg. Me nëmë fëmiun tënd në Kosovë nat e ditë është e lejuar, me nëmë fikun si Krishti në Bibël po, është e lejuar por me nëmë Trumpin-dënohesh me burg.
Amerika është e madhe, e mirë, e lirë, nuk t’i matë fjalët n’kanar.
Në Amerikë xhirohen filma e shkruhen libra kundër Amerikës, kundër politikës e kulturës amerikane, por në Kosovë veç dashnia lejohet me ligj.

Ikballja është ‘budallaqe’, se një grua armike e përbetuar, nuk i ‘fshin’ mendimet e saj.
S’di a ka ende ‘delikt verbal’, se ktyneherë Jugosllavia e ka pas hjek, veç m’u akuzu njeri për ‘shtytje në terrorizëm’ për një fjalë goje, duket me qenë shumë e rrezikshme.

Unë e kisha ‘dënu’ Ikballen veç pse iu çon të fala njerëzve që s’i njeh dhe pse ajo si hoxhonicë nuk e di se ‘momentalisht parajsa është e zbrazët’ dhe njëherë duhet m’u bë kijameti për m’u ‘mbush’ parajsa.
Gruaja e ‘zezë’ e obligoi t’deknin, n’ato zavajle t’shpirtit, m’i ja përcjell kësaj t’falnat hedije Imam Filanit, e Ibn Fistekut, thuajse u le e rrittë me ta. Gruaja zojë nuk i çon t’fala askujt, përveç babës e vëllaznive, se prej burrave shqiptarë pritet me xhelozu edhe Zotin.

Ikballja nëse do të ishte ‘terroriste’ do t’i kishte lexuar me vëmendje ekspertët e fushës që thanë se ‘nga vrasja e Qazimit ka fituar ISIS-i’.

Por Ajo e meriton burgun veç pse e përkrah politikën e një shteti që nuk e pranon pavarësinë e Kosovës.

3. E Kadri Veseli po e vazhdon heshtjen.
Ky është rreziku më i madh. Që siç thoshte iraniani i lashtë, Zaratustra: ‘Heshtja është më e keqja. Kur mendimet mbahen të heshtura, bëhen helmuese’.

Kadriu kujton se heshtja e tij do ta ‘zbulojë’ paaftësinë e Albin Kurtit. Kaq i çmendur është, kujton se varet prej tij.
Është njësoj sikur të thuash ‘nëse nuk i lexoj shkrimet e Kimetes, ato nuk kanë efekt, nëse i lexoj bëhen të plotfuqishme’.

P.S. Kosova po zbrazet. ‘Duhet të jesh gati të digjesh në flakën tënde’ (Z).