Abdulla Mehmeti: Në këtë gjendje janë mbi 100 mijë shqiptarë në Maqedoni

Opinione

Ja çfarë shkruan profesori Abdulla Mehmeti për gjendjen e rëndë të mbi 100 mijë shqiptarëve, jo vetëm në Veles por në gjithë Maqedoninë:

NË KËTË GJENDJE JANË MBI 100 MIJË SHQIPTARË NË MAQEDONI

Abdulla Mehmeti

Në lagjet e dhjetëra qyteteve ku ata janë pakicë (në numër më të vogël se joshqiptarët) dhe në shumë katunde shqiptare në rrethinat e këtyre qyteteve, të harruar nga pushteti dhe nga të gjithë ne.

Këta shqiptarë jetojnë dita-ditës me shpirtin ndër dhëmbë, nga padrejtësitë e pushtetit dhe nën kërcënim nga gjendja e rëndë ekonomike e sociale, për t’u asimiluar ose braktisur vatrat e tyre, si qindra mijë shqiptarë të tjerë para tyre, sidomos nga Shkupi, Kumanova, Manastiri, Resnja, Velesi (Qyprilia), Prilepi (Përlepe), Ohria, Krusheva (Dardhishta), Srtumixhja, Koçani, etj…

Këta shqiptarë nuk janë në këtë gjendje prej dje dhe sot, por nën të gjitha regjimet dhe sundimet e huaja të mëhershme, nën Serbi e Bullgari, nën regjimin komunist ish Jugosllav, si edhe pas pavarësimit të Maqedonisë në vitit 1991.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Shqipëria ka qenë shtet, me Parlament, Qeveri, President shteti, Ministri për Punë të Jashtme, pas vitit 1992 edhe me Ambasadë shqiptare në Shkup, me shërbime të Inteligjencës dhe të Sigurisë Kombëtare, sa për të siguruar informata të nevojshme për pushtetin në Tiranë se në çfarë gjendje janë shqiptarët jashtë shtetit, në trojet e veta etnike, siç i obligon edhe Kushtetuta.

Gjatë gjithë kohës, sidomos pas pavarësimit të Maqedonisë, shqiptarët vendës në Maqedoni kanë pasur parti të tyre poltike dhe përfaqësues në pushtet, në Parlamant, Qeveri, Ministri, Diplomaci dhe gati në të gjitha institucionet e shtetit në Maqedoni. Pse është dashur t’i futin veshët në lesh përballë kësaj gjendje siç është sot?

Si ka mundësi që qendrat e huaja „strategjike“ të shteteve fqinje të kenë të dhëna për çdo familje dhe individ në trojet shqiptare, që mund të ketë çfarëdo lidhje të afërt apo të largët me sllavët dhe grekët, të hartojnë plane dhe t’i zbatojnë strategjitë e tyre, ndërsa pushteti në Tiranë dhe institucionet e shtetit shqiptar të mos e dinë se çfarë po ndodhë me shqiptarët në Maqedoni, vetëm disa kilometra larg Tiranës?!